Studiuesi:Shkulni betonin,dëshpërimi
për Kartagjenën dhe Dyrrachium-in

Studiuesi:Shkulni betonin,dëshpërimi<br />për Kartagjenën dhe Dyrrachium-in<br>
Kohë më parë kisha shkuar në Sidi Bou Saïd të Tunizisë, rreth 20 km pranë Tunisit, jo larg asaj kodrine buzë detit të quajtur Byrsa. Isha me një mision të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë që më dha rastin të shkelja mbi atë tokë mitike, tokën e Kartagjenës që për shumë kohë kishte qenë rivalja e denjë e Romës antike, në atë vend që dikur na kishin çuar veç imazhet e filmave që kishim parë në kohën e adoleshencës, me legjionet, pazmoret, heshtat dhe karrot e luftës, me ngjarjet e «luftrave punike » dhe të Hanibalit të madh gjersa Kartagjena u nënshtrua.

Por atë ditë, përballë atij vendi mitik më kapi dëshpërimi, pasi shumë pak rrënoja kishin mbetur nga koha e saj e artë. Dhe atëherë ti pyesje veten : ku është hipodromi i madh që mbante 60.000 spektatorë, ku ishin termat, akuadukët e famshëm që sillnin ujin 150 km larg, ku ishin pallatet e mbretërve, arenat, stadiumet… veç një gjysmë amfiteatri kishte mbetur ende në këmbë ndërkohë që gjithçka ishte shuar, sikur asgjë të mos kishte ekzistuar më parë. Ku ishin fytyrat e atletëve, femrave të bukura, afresket e «lupanarëve»?

Gjithçka kishte ikur drejt muzeumeve të mëdha ose ishte kthyer në rrënojë, në dhé e pluhur, ku dergjen ende veç kapitele, statuja pa koka, gurë të gdhendur, pasi gjithçka është plaçkitur gjatë shekujve, madje dhe nga vandalët e shekullit VII apo më pas me luftrat e gjata që do të vazhdonin deri sot. E duke parë këtë, mu rishfaq Durrësi me kështjellën historike të rrënuar pothuaj brenda dy shekujve të fundit, antikitetet e humbura, gjymtyrët e një qyteti që ende pushtohen nga betoni modern, nga sipërmarës që u gëzohen të ardhurave të tyre, pasi njeriu, sado i kohës moderne, përsëri mendon per jetën luksoze të tij dhe jo për qytetërimet : ç’rëndësi kanë për të statujat pa shpirt, mermerët e një kohe të shkuar, shkëlqimet e një kohe që nuk ekzston më ?... Nëse pashallarët otomanë i merrnin antikitetet dhe i shkrinin për gëlqere apo i përdornin për themelet e sarajeve të tyre, «pashallarët» e sotëm të kohëve moderne, veshur me kostumet e fisme të modës i varrosin nën betonet e tyre.

Nëse historianët perëndimorë në librat e tyre të historisë, pavarësisht shkatërrimit të madh ndër shekuj e kanë rikrijuar jetën e Kartagjenës me heronjtë e saj, luftrat, dashuritë, krijimet e mrekullueshme, pra e kanë rikrijuar në imazhe virtuale, filma, pjesë teatrale Kartagjenën e Shën Agustinit (shek.IV) apo të peshkopëve të mëdhenj Tertullien e Cyprien, ne shqiptarët ende nuk e kemi një korpus historik të plotë, për të dhënë një jetëshkrim të këtij qyteti, të asaj jete të paraardhësve tanë, ende nuk kemi imazhet sintezë të një jete të imagjinuar të Butrintit, Orikumit, Apollonisë së Oktavit perandorit të parë romak, të Shkodrës së Teutës ilire…

Ana Komnena shkruan për gjeneralin autokton të kështjellës së Durrësit, Komiskortes, por kjo ka mbetur thjesht një emër dhe ne nuk kemi asnjë rikrijim mbi një histori të tillë bizantine të shekullit XII. S’kemi gjithashtu të mishëruar historinë se ç’ndodhi në Arapaj me djegje e shqiptarëve në atë kishë apo shumë histori të tjera të Apollonisë, Butrintit, Orikos, Amantias, Dimalit, etj. Tek shikon sesi vilat lluksoze zaptojnë gjithnjë e më shumë vendet e mbrojtura të parqeve arkeologjike, kur betoni zë vendin e kapiteleve, frizave, altareve të vjetra, akuadukëve helenë, romakë, autoktonë apo bizantinë, menjëherë të vjen në mendje ajo shprehje latine që thuhej për Kartagjenën : «Carthago delenda est»… «Të shkatërrojmë Kartagjenën»… Sa vallë kemi mundur, veç Butrintit në një periudhë të shkurtër, të sigurojmë financime nga fondacionet ndërkombëtare, private apo shtetërore ?

Vallë realiteti shqiptar krijon një lloj skepticizmi për ata në mbrojtjen dhe sigurinë e tyre? Ndoshta, por sidoqoftë, kur fondet nuk arrihen të sigurohen, sitet duhet të qëndrojnë ashtu siç janë, që të mos cënohen më tej nga interesa të ngushta siç ndodhi me kalanë e Lezhës e site të tjera, duke pritur pra një ditë më të begatë që shteti të financojë dhe që një «Shqipëri e ardhme arkeologjike» t’i dëshmojë Europës e botës historinë e mrekullueshme të saj.

Një vend si Shqipëria kur në fillimet e epokës së re pa të ndeshen në trojet e saj dy nga gjeneralët më të mëdhenj të asaj epoke, Cezarin e Pompeun ; një Shqipëri ku në shekullin XII u bë paqja më e madhe e botës midis dy fuqive më të mëdha, normandëve dhe bazileusit të Bizancit («Paqja e Devollit»); një vend që ka parë rrethimin e parë ushtarak të një kështjelle në botë, (me rrethimin e kështjellës së Durrësit) ; një vend me kaq shumë site arkeologjike mbarsur plot histori, padyshim ky vend do të kishte ç’tu tregonte turistëve të nesërm, çka do ta kishin zili jo pak vende të tjera të botës…

Ja pse cënimi i parqeve arkeologjike e natyrale të Shqipërisë na kujton shprehjen e famshme latine «Carthago delenda est», pasi biznesi i verbër vazhdon si duket kryqëzatën e vet mbi vetë historinë… Zoti Beton, Mister Beton, Monsieur Beton… ju nuk mund ta merrni nëpër këmbë historinë, ju, mëkatarë të mjerë që vezulloni ar. Disa dekada më vonë askush nuk do mendojë për ju, veç për betonin që keni derdhur mbi historinë tonë! Dhe atëherë do të duhet që ky beton të shkulet !...

Luan RamaLuan Rama

Luan Rama

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Avokatja e të dyshuarit për planifikim të sulmit në Vjenë tenton të ulë seriozitetin e rastit

Avokatja e të dyshuarit për planifikim të sulmit në Vjenë tenton të ulë seriozitetin e rastit