Greqia është përballur këtë të hënë me reshje të dendura shiu dhe stuhi, që kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu dhe probleme në disa zona të vendit. Për shkak të stuhisë “Agneta”, autoritetet kanë shpallur alarmin e kuq në shtatë rajone, ndërsa në ishujt Rodos dhe Samos janë raportuar përmbytje dhe evakuime.
Sipas gazetës greke Kathimerini, alarmi i kuq përfshin Ishujt Jonianë, Epirin, Maqedoninë Perëndimore, Maqedoninë Qendrore, Maqedoninë Lindore dhe Trakinë, Egjeun Verior nga Kiosi drejt jugut, si dhe ishujt Dodekanezë.
Në Rodos, zjarrfikësit kanë shpëtuar katër persona që kishin mbetur të bllokuar në një makinë, në mes të një rrjedhe të rrëmbyeshme uji. Ndërkohë, në Samos, gjashtë nxënës të shkollës së mesme kanë pasur nevojë për ndihmën e zjarrfikësve, pasi autobusi me të cilin udhëtonin mbeti i bllokuar në rrugë për shkak të rrëshqitjeve të dheut.
Probleme nga moti i keq janë raportuar edhe në qytetin e Volosit.
Shërbimi Meteorologjik grek ka paralajmëruar se reshjet e dendura të shiut dhe stuhitë do të vijojnë edhe të martën, duke prekur kryesisht pjesën perëndimore dhe veriore të vendit, si dhe ishujt e Egjeut lindor. Në disa zona, stuhitë mund të shoqërohen edhe me breshër.
Për shkak të situatës, Ministria greke e Punës dhe Sigurimeve Shoqërore ka ndaluar punën në ambiente të jashtme në zonat e prekura nga stuhia, ndërsa shkollat në ishullin Rodos do të qëndrojnë të mbyllura të martën, më 3 nëntor.
Autoritetet u kanë kërkuar shërbimeve të emergjencës të qëndrojnë në gatishmëri të plotë, veçanërisht në zonat ku ekziston rreziku i përmbytjeve. Banorëve u është bërë thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë stuhive dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.








Komente
Komento