Stuhia “Byron” ka goditur Atikën në Greqi dhe disa zona të tjera, me shira të rrëmbyeshëm stuhi, dhe rrufe, duke shkaktuar probleme të konsiderueshme. Mesazhe paralajmërimi nga 112 u dërguan thuajse në të gjithë vendin, në veçanti banorëve në Mandra dhe Megara, duke iu bërë thirrje atyre që të reduktojnë daljet ose të largohen.

Shkollat në Atikë janë mbyllur ndërsa në Evia, rrugët janë shndërruar në lumenj. Një fshat i tërë u ‘mbush’ me baltë, gurë e mbeturina të tjera që vërshuan nga prurjet e mëdha. Në Tsoutsouras, erërat e forta dhe reshjet e vazhdueshme rrëzuan pemë, dhe dëmtime nëpër shtëpi.

Shërbimet e Mbrojtjes Civile janë vendosur në alarm të kuq në të gjithë Fthiotidën për shkak të motit të keq që pritet të godasë zonën në orët në vijim.

Në Lakonia gjithashtu u shkaktuan përmbytje të mëdha në rrugë, të cilat u shndërruan në lumenj, njerëzit u bllokuan nëpër fshatra, ndërsa ndërhyrja e Zjarrfikësve me automjete speciale ishte e nevojshme për të larguar qytetarët nga zonat e rrezikshme.