Stuhia Leonardo ka goditur fort Gadishullin Iberik, duke kthyer jetën e përditshme përmbys për mijëra njerëz në Spanjë dhe Portugali. Në disa zona të jugut të Spanjës ranë deri në 35 centimetra shi brenda vetëm 24 orëve, një sasi që zakonisht bie për muaj të tërë.

Në rajonin e Andaluzisë, autoritetet vendosën alarm të kuq. Toka është e ngopur nga reshjet e ditëve të fundit dhe lumenjtë janë tashmë plot, duke rritur rrezikun për përmbytje të pakontrolluara. Në zona malore si Grazalema, situata u përshkrua nga autoritetet si “shumë shqetësuese”.

Në qytetin e Ronda-s dhe zonat përreth, u raportuan rrëshqitje dheu dhe fusha të tëra të përmbytura. Pamjet e publikuara nga policia tregojnë rrugë të mbuluara nga uji, makina të bllokuara dhe ndërtesa të rrethuara nga rrjedhat e fuqishme.

Rreth 3.500 persona janë evakuuar vetëm në Andaluzia, ndërsa autoritetet kanë regjistruar mbi 650 incidente të lidhura me motin ekstrem. Një person mbeti i plagosur pasi një ndërtesë u shemb. Qindra ushtarë u dërguan në terren për të ndihmuar ekipet e emergjencës.

Të gjitha shkollat në rajon u mbyllën, përveç në provincën Almeria, ndërsa kompania shtetërore e hekurudhave anuloi pothuajse të gjitha trenat. Në shumë zona, rrugët janë të pakalueshme dhe nuk ka as transport alternativ.

Situata është e vështirë edhe në Portugali. Shërbimet e emergjencës kanë ndërhyrë në mbi 3.300 raste që nga e diela, kryesisht për përmbytje, pemë të rrëzuara dhe rrëshqitje dherash. Rreth 200 persona u evakuuan në Portugali qendrore.

Në qytetin Alcácer do Sal, në jug të Lisbonës, lumi Sado doli nga shtrati dhe përmbyti rrugën kryesore të qytetit. Rajoni i Lisbonës dhe Algarve janë ndër më të goditurit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se moti i keq pritet të vazhdojë edhe gjatë natës.

Stuhia vjen vetëm pak ditë pas Kristin, e cila la pas viktima, dëme të mëdha dhe dhjetëra mijëra familje pa energji elektrike. Shkencëtarët paralajmërojnë se fenomene të tilla ekstreme po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të forta për shkak të ndryshimeve klimatike.