TIRANE- Reforma e pensioneve e cila sapo ka nisur të diskutohet në vend pritet që të shoqërohet me një sërë konsultimesh, propozimesh dhe debatesh. Por, ndërsa tashmë janë hedhur piketat se çfarë do të ndryshohet, në qeveri dhe ministritë e linjës janë duke shkuar një sërë propozimesh. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka përgatitur një paketë kërkesash për Ministrinë e Mirëqenies Sociale për disa kategori të punësuarish. Zv/presidentja e konfederatës, Anisa Subashi deklaron se propozimi kryesor është për ulje me 10 vjet të moshës së daljes në pension për një sërë profesionesh të vështira. “Në kërkesën tonë ne kemi parashikuar që për një pjesë të atyre profesioneve të cilat konsiderohen të vështira të ketë ulje të moshës, apo pensione të parakohshme.

Këto të përfshijnë Minatorët, metalurgët, naftëtarët dhe ushtarakët. Në kërkesën tonë kemi dhënë edhe sugjerimet përkatëse ku për këtë kategori mosha e pensionit të jetë 55 vjeç” Ka theksuar Subashi. Sipas saj, minatorët që kanë 15 vjet që punojnë nën tokë duhet ta gëzojnë këtë të drejtë, atë të daljes në pension përpara afateve që parashikon ligji për kategoritë e tjera. Pjesë e paketës së propozimeve është edhe njohja e kontributeve të emigranteve, qoftë edhe nga shteti shqiptar. “Kemi emigrantë të cilët kanë shkuar jashtë dhe kanë humbur shumë vite të punës. Tashmë atyre nuk u njihet as shuma që kanë derdhur në Shqipëri dhe as periudha e sigurimit në vendin ku kanë emigruar” ka theksuar Zv/presidentja e konfederatës, Anisa Subashi.

Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë i njëjti propozim iu bë qeverisë edhe nga Sindikatat vetëm për moshën e minatorëve, kurse në propozimin zyrtar është zgjeruar lista e profesioneve të cilët duhet të përfitojnë pension në moshë më të re. Ministria e Mirëqenies Sociale duket se do të marrë në konsiderate uljen e moshës së pensionit për minatorët, por kjo po shqyrtohet nga grupi i punës. Kjo pasi një javë më parë kreu i këtij institucioni në një vizitë në një prej minierave të vendit ka theksuar se qeveria e ka ngritur grupin e punës dhe po shqyrtohen të gjitha alternativat e mundshme për uljen e moshës së pensionit për minatorët.

Burime zyrtare nga Ministria e Mirëqenies Sociale pohojnë se grupi i punës drejtohet nga ministri Veliaj ndërkohë që anëtarë të tij janë ekspertë nga Ministria e Financave si dhe nga Sigurimet Shoqërore. Sa i përket afateve, pritet që reforma për sistemin e pensioneve të shkoje për miratim në Parlament para verës së këtij viti. Deri atëherë procesi do t’i nënshtrohet një debati të gjerë publik. Kjo për vetë faktin se deri para pak kohësh është diskutuar edhe rritja e moshës së pensionit, por sipas burimeve nga ministria e Mirëqenies Sociale kjo pjesë është në diskutim e sipër por ka pak gjasa të vihet në zbatim pasi sjell një numër të lartë të të papunëve në vend.

Propozimet e sindikatës
Sindikata ka kërkuar uljen e moshës për minatorët, ku ata nuk duhet të kenë më shumë se 15 vite nën tokë, dhe mosha e pensionit të jetë 55 vjeç
Pikë tjetër e rëndësishme e kërkesës së tyre është edhe njohja e sigurimeve për emigrantët, pasi shumë prej tyre kanë humbur sigurimet në shtetet ku kanë jetuar
Edhe për ushtarakët është kërkuar lehtësim dhe ulje e moshës së pensionit nga sindikata.
Kategori të tjera që janë propozuar të përfitojnë nga pensioni i parakohshëm janë edhe metalurgët dhe naftëtarët, kjo për shkak të punës së vështirë që kanë.

 
Shkrimi u publikua sot (02.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)