Në datën 20 prill nisin aplikimet për të gjithë fermerët që duan të përfitojnë subvencion për çdo litër qumësht të shitur dhe në ditët e para të muajit maj kryhet pagesa për çdo faturë që ata kanë dorëzuar.
Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote, në një intervistë për ATSH-në zbardhi detajet e skemës së kompensimit të fermerëve që operojnë në sektorin e prodhimit të qumështit, të cilët preken nga skema e uljes së TVSH-së së rimbursimit.
Sipas tij, fermerët aplikojnë vetëm me numrin e NIPT-it dhe në rastet kur nuk e kanë atë, duhet të kryejnë procedurat për ta marrë këtë numër.
“Për të ndihmuar fermerët pa NIPT, Qeveria ka lehtësuar procedurat për pajisjen e tyre në kohë rekord. Fermerët duhet vetëm të regjistrohen në tatime dhe të paguajnë sigurimet shoqërore vetëm për 3 muaj dhe jo për një vit apo më shumë”- tha zv/ministri.
Fermerët me NIPT janë automatikisht të fituar për të marrë kompensimin për çdo litër qumësht që shesin, deklaroi ai, ndërsa theksoi se, “nuk është kriter për subvencionimin e tyre, as analiza mikrobike për qumështin, as numri i krerëve që kanë”.
Ministria e Bujqësisë ka ngritur grupin e punës për të informuar në terren të gjithë fermerët për skemën e mbështetjes.
Vendimi përcakton se fermerët do të kompensohen për qumështin e shitur me faturë tatimore 10 lekë për litër, deri në 700 mijë lekë. Pra, nëse një fermer shet qumësht me faturë, ai do të rimbursohet deri në vlerën e 700 mijë lekëve, me nga 10 lekë për litër.
“Në fondin e programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, zëri ‘Transfertë në buxhetet familjare’, i miratuar në buxhetin e vitit 2019 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, shtohet shuma prej 84 milionë lekësh për pagesat për dorëzimin e qumështit, lëndë e parë nga fermerët”, citohet në vendimin e qeverisë.