Kush mund ta përfitojë kompensimin 10% për produktet bujqësore? Çfarë ndodh nëse autofatura nuk shfaqet në e-Filing dhe kur kalojnë paratë në llogari? Për t'u dhënë përgjigje këtyre dhe pyetjeve të tjera më të shpeshta, Administrata Tatimore ka publikuar një sërë sqarimesh për procedurat, kushtet dhe afatet që duhet të ndjekin fermerët.
Për të përfituar kompensimin, produktet duhet t'i shiten një subjekti të regjistruar për TVSH që ushtron aktivitet si grumbullues ose përpunues të produkteve bujqësore, ose një agroturizmi të certifikuar. Shitja duhet të dokumentohet me faturë tatimore ose autofaturë, ndërsa kompensimi paguhet në llogarinë bankare të fermerit brenda 30 ditëve, nëse plotësohen kushtet ligjore.
Shqiptarja.com sjell më poshtë të plota pyetjet dhe përgjigjet e publikuara nga Administrata Tatimore.
Pyetje: Jam një fermer i regjistruar në Tatime dhe kam një NIPT e certifikatë me të cilën jam pajisur nga Administrata Tatimore. Kujt duhet t’ia shes produktet e realizuara nga puna ime për të përfituar kompensimin 10%?
Përgjigje: Produktet bujqësore duhet t’ia shisni një personi të tatueshëm të regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit, sipas ligjit për TVSH.
Pyetje: Në lidhje me aplikimin për kompensimin e fermerëve, do të doja të informohesha nëse faturat duhet të ngarkohen veçmas në sistem apo mund të bashkohen në një dokument të vetëm, si dhe nëse afati i aplikimit varet nga data e lëshimit të faturave apo është i njëjtë për të gjithë fermerët.
Përgjigje: Gjatë procesit të aplikimit online nuk është e nevojshme të ngarkoni faturat (autofaturat). Vetëm në rast se kërkohet nga Administrata Tatimore, mund të bashkëngjitni dokumente shtesë sipas informacionit të kërkuar. Për më shumë udhëzime mbi procesin e aplikimit online për kompensimin e fermerëve, Administrata Tatimore rekomandon referimin tek udhëzuesit e publikuar në faqen zyrtare, rrjetet sociale dhe kanalin zyrtar në YouTube. Për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar-qershor 2026, fermerët mund të aplikojnë nga data 1 korrik deri më 31 dhjetor 2026.
Pyetje: Unë prodhoj livando dhe blerësi nuk më lëshon autofaturë. Si mund të përfitoj kompensimin?
Përgjigje: Për të përfituar kompensimin në masën 10% për produktet bujqësore, transaksioni duhet të jetë i dokumentuar me faturë tatimore (autofaturë). Administrata Tatimore fton fermerët të përdorin aplikacionin “Denonco Evazionin” për të raportuar çdo rast të shkeljeve tatimore. Sipas saj, çdo denoncim i qytetarëve do të trajtohet me profesionalizëm, paanshmëri dhe me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të legjislacionit tatimor.
Pyetje: Kam hyrë në e-Filing për të aplikuar për kompensim për fermerët, por faturat e muajit qershor 2026 nuk më shfaqen në sistem, megjithëse disponoj autofaturat për shitjen e elbit dhe grurit. A do ta humbas të drejtën e kompensimit për faturat që nuk më shfaqen?
Përgjigje: Jo. Mosshfaqja e disa faturave në sistem nuk ju bën të humbni të drejtën për të përfituar kompensimin, nëse plotësoni kushtet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Nëse keni aplikuar përpara datës 10 të muajit pasardhës, faturat e muajit qershor 2026 mund të mos jenë shfaqur ende në sistem, pasi librat e blerjes transferohen nga sistemi SelfCare në sistemin CATS pas datës 10 të çdo muaji. Në këtë rast, mund të aplikoni përsëri dhe në sistem do t’ju shfaqen faturat për mallrat e furnizuara kundrejt grumbulluesve, përpunuesve ose agroturizmit të certifikuar.
Pyetje: Jemi subjekt eksportues dhe blejmë produkte nga fermerë vendas. Në sistemin SelfCare, këto blerje janë shfaqur në rubrikën 46 me TVSH 6%, ndërsa në e-Filing, pas përditësimit të rubrikës 46, ato shfaqen me TVSH 0%. A ndikon ky ndryshim në transmetimin e blerjeve tona te llogaria e fermerëve në e-Filing dhe a duhet fermerët me të cilët kemi bashkëpunuar të ndjekin ndonjë procedurë të veçantë për të aplikuar online për kompensimin, sipas udhëzimit të ri të Administratës Tatimore?
Përgjigje: Blerjet e produkteve bujqësore nga fermerët vendas nuk duhet të deklarohen me TVSH 6%, por si blerje të përjashtuara nga TVSH-ja (0%). Nëse në sistemin SelfCare ato shfaqen me TVSH 6%, kjo tregon se konfigurimi i programit të faturimit nuk është i saktë dhe duhet të korrigjohet në bashkëpunim me ofruesin e zgjidhjes softuerike.
Nëse këto blerje deklarohen me TVSH 6% edhe në e-Filing, vlera e kompensimit do të llogaritet gabim dhe kërkesa për kompensim mund të refuzohet nga Administrata Tatimore.
Ky ndryshim nuk ndikon në procedurën që duhet të ndjekin fermerët. Fermerët vijojnë të aplikojnë online në e-Filing sipas procedurës së publikuar nga Administrata Tatimore, me kusht që produktet bujqësore t’i kenë furnizuar te grumbullues, përpunues ose agroturizëm i certifikuar.
Pyetje: Cili është afati i aplikimit për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik-dhjetor të vitit 2026?
Përgjigje: Për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik-dhjetor të vitit 2026, fermerët mund të paraqesin kërkesën për kompensim nga data 1 janar 2027 deri më 30 qershor 2027.
Pyetje: Si më paguhet kompensimi i përfituar dhe brenda çfarë afati?
Përgjigje: Kompensimi paguhet nga Administrata Tatimore drejtpërdrejt në llogarinë bankare të deklaruar nga prodhuesi bujqësor, sipas emrit të bankës dhe numrit IBAN të plotësuar në formularin e aplikimit. Pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, me kusht që të rezultojnë të përmbushura kërkesat dhe kushtet e përcaktuara në ligj dhe në udhëzim, pas kryerjes së verifikimeve përkatëse.











Komente
Komento