PRISHTINË-Ministri i Jashtëm i Sudanit Jugor, Barnaba Marial Benjamin, në takim sot në New York me Presidenten kosovare, Atifete Jahjaga, vlerësoi arritjet e Kosovës, konkretisht përparimin në dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Ai tha se Sudani Jugor po e shqyrton me seriozitet njohjen e pavarësisë dhe do të përcjellë të gjitha procedurat për ta bërë këtë, theksohet në njoftimin e dërguar nga Presidenca e Kosovës.
Presidentja Jahjaga e njohu  ministrin Benjamin me zhvillimet në Kosovë dhe procesin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit. Ajo tha se Kosova që prej pavarëssisë të saj në vitin 2008 është pranuar nga 108 vende të botës dhe ajo sot është anëtare e FMN, Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, ndërsa synon anëtarësimin në të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, veçanërisht në OKB.
Presidentja Jahjaga tha se Pavarësia e Kosovës është legjitimuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe sot Kosova është shtet që promovon paqen dhe stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë me të gjitha vendet. Sipas saj, është me rëndësi njohja nga Sudani Jugor dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndërshtetërore./ATSH/