Deputeti demokrat Dash Sula ka ironizuar fushatën e kryeministrit Edi Rama dhe kërcimet e tij me qytetarët gjatë takimeve. Në një postim në Facebook, Sula shkruan se kërcimet tallava të Ramës nuk e ndalin ikjen e të rinjve, që sipas tij detyrohen të braktisin Shqipërinë për një jetë më të mirë jashtë shtetit.

Sula shkruan se Rama mendon se me shfaqje tallava, pa asnjë alternativë dhe program do t’i bindë shqiptarët që të votojnë për të.

Postimi i Sulës

“Kërcimet tallava të kryeministrit nuk e mbulojnë dot plagën e ikjes së të rinjve. Nëse ka një gjë në të cilën Kryeministri ka qëndruar konsistent, është përçmimi dhe zhvlerësimi për qytetarët shqiptarë e më konkretisht për rininë. Me politikat e tija në këto 10 vite i detyroi të marrin rrugën e emigrimit. I detyroi të braktisin të dashurit e tyre në Shqipëri për një jetë më të mirë në një vend që nuk vlerësohesh si aktiv1st, por si punëtorë.

Përçmimin ndaj të rinjve dhe shqiptarëve e tregon edhe në këtë fushatë për zgjedhjet e 14 majit. Mendon se me shfaqje tallava, pa asnjë alternativë dhe program do bindi shqiptaret që të votojnë “kukullat” e tij ne pushtetin vendor.

Aq ulët i vlerëson ai te rinjtë shqiptar saqë mendon se ata nuk vlerësojnë alternativën por stomakun e tyre e mbush kryeministri duke kërcyer tallava. Rinia ka reaguar ndaj arrogancës së kësaj qeverie, por fatkeqësi është që mënyra se si ka reaguar rinia (duke ikur nga Shqipëria) deri më tani i ka shërbyer kësaj mazhorance.

Megjithatë shanset për një autogol janë afër. Së fundmi INSTAT ka publikuar Raportin ku konkludon se në 3-mujorin e parë të këtij viti konsumi është ulur ndjeshëm, vlerat janë dyshifrore.

Rënia e importeve të sheqernave dhe drithërave i faturohet kryesisht emigracionit të lartë të rinjve gjatë vitit të fundit. Me 2022 kanë kërkuar azil në BE dhe në Britaninë e Madhe rreth 30 mijë persona, shumica mbi 80 për qind të rinj në moshë. Në një reagim për “Monitor”, Adi Haxhiymeri, drejtues i Shoqatës Përpunuese të Miellit thotë se tkurrja e popullsisë se re në moshë jep efekte te menjëhershme tek importet e drithërave, pasi sipas tij kjo grup-moshë janë konsumatorët më të mëdhenj të brumërave. Tregtarët në tregjet e pakicës pohojnë gjithashtu se importi i ëmbëlsirave ka rënë nga tkurrja e popullatës së re në moshë.

Pikërisht tani, kësaj mazhorance do i kthehen kundër edhe ato të cilët qëndojnë te heshtur në administratë dhe presin një rrugë për të ikur. Do i kthehen kundër edhe ata biznesmenë që po shesin më pak ëmbëlsira, më pak byrekë më pak ” Fast Food” sepse klientët e tyre qeveria i përzuri pa lekë jashtë Shqipërisë e do ti kthejë me Tallava.