Pesë persona, katër gra dhe një burrë, janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në një qendër për të mitur që strehon nëna me fëmijët e tyre në qytetin Stade, në landin e Saksonisë së Poshtme në Gjermani.

Policia konfirmoi se pesë persona kanë humbur jetën, ndërsa të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rëndohet.

Sipas policisë, autori i dyshuar u arrestua menjëherë pas nisjes së operacionit, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe një person i dytë, roli i të cilit po verifikohet. Hetimet për motivin dhe dinamikën e ngjarjes janë ende në vazhdim.

Sipas revistës Der Spiegel, pista kryesore e hetimit është ajo e një krimi pasional, me lidhje personale me qendrën ku ndodhi masakra. Deri tani nuk ka asnjë element që të tregojë për motive politike apo ekstremiste.

Një dëshmitar i tha Focus Online se një burrë dhe një grua tentuan të largoheshin me makinë nga vendi i ngjarjes. Sipas tij, policia u bëri thirrje të ndalonin, por pasi ata nuk iu bindën, efektivët qëlluan disa herë drejt automjetit dhe më pas arrestuan çiftin. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse gruaja e përmendur nga dëshmitari është personi i dytë i arrestuar.

Policia njoftoi se nuk ka më rrezik për popullsinë, por u bëri thirrje qytetarëve të mos përhapin informacione të pakonfirmuara që po qarkullojnë në rrjetet sociale dhe grupet e komunikimit, duke theksuar se ato nuk përputhen me faktet e konfirmuara deri tani nga hetimet.

Lajmi në përditësim