Dy persona janë plagosur me thikë në Londër, në zonën e Golders Green, e njohur për një komunitet të madh praktikantë hebrenj. Sipas raportimeve të mediave britanike, agresori është arrestuar. Një grup lokal rojesh sigurie, Shomrim, bën me dije se autori është parë duke vrapuar në rrugën kryesore me thikë në dorë, ndërsa tentonte të godiste persona nga komuniteti hebre.

Janë pikërisht agjentët e këtij grupi që kanë ndërhyrë të parët, duke e ndaluar agresorin deri në mbërritjen e policisë. Më pas, forcat e rendit e kanë neutralizuar dhe arrestuar.

Dy të plagosurit janë transportuar  në spital për ndihmë mjekësore ndërkohë që gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është bërë publike.

Ngjarja vjen në një klimë tensioni, pas një serie incidentesh me sfond antisemit në Londër, ku përfshihen edhe sulme me zjarr ndaj objekteve të komunitetit hebre.

Reagimi politik ka qenë i menjëhershëm. Kryeministri Keir Starmer e cilësoi sulmin “absolutisht rrënqethës”, duke shtuar se “sulmet ndaj komunitetit hebre janë sulme ndaj Mbretërisë së Bashkuar”.