Sulmet e fundit të Sali Berishës ndaj mediave dhe analistëve kanë nxitur reagime të forta në radhët e gazetarëve dhe komentatorëve publikë, duke hapur një debat mbi kufijtë e retorikës politike dhe ndikimin e saj në klimën mediatike.
I ftuar në Repolitix, analisti Arben Meçe, një ndër të targetuarit e Berishës, kritikoi ashpër thirrjet drejtuar militantëve, duke theksuar se debati duhet të zhvillohet publikisht dhe jo përmes presioneve indirekte.
“Sot ky person u bëri thirrje militantëve të PD të diskretojnë. Çdo të thotë diskretim? Unë së bashku me ju jemi të hapur në publik, nuk jemi prapaskenave që japim urdhra nëpërmjet militantëve për të asgjësuar dhe diskutuar. Opinioni jonë është publik, çfarë do të thotë nuk ke pse diskreton nëpërmjet militantëve, por ndërmjet njerëzve të tu që më sjell përballë. Nëse je burrë dil përballë, siç të kam dalë në ’90”,- tha Meçe.
Nga ana tjetër, gazetari dhe kreu i Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Isa Myzyraj, bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga Partia Demokratike dhe nënvizoi rëndësinë e respektimit të pavarësisë editoriale të mediave.
“Ne kemi pasur para 2 ditësh një reagim kundër gjuhës së vrazhdë të përdorur nga Berisha ndaj mediave, pronarëve të mediave, gjithmonë në prizmin që prek dhe klimën e gazetarëve brenda këtyre redaksive. Ndaj ne kemi dënuar këto deklarata të zotit Berisha dhe i kemi bërë thirrje që të tregohen më të tërhequr në sulmin ndaj mediave. PD ka një moment shumë të mirë për ta shfrytëzuar raportin me median.
Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë vetëpërmbajtje nga PD. Liria e medias, linja editoriale e çdo media është në dorën vetë medias, një media udhëhiqet nga parimet e pavarësisë dhe duhet mos mbajtur anë, por linjën editoriale që zgjedhin mediat duhet ta respektojmë”,- tha Myzyraj ndër të tjera.
Edhe avokati Përparim Caca e cilësoi retorikën si shqetësuese, duke paralajmëruar se thirrjet ndaj militantëve për të sulmuar analistë në rrjetet sociale rrisin polarizimin në shoqëri.
“Me të thënë të drejtën është shqetësuese kjo lloj retorike. Jam i shqetësuar që ti bësh thirrje më pas anëtarëve të partisë, militantëve që t’i pas në rrjetet sociale vërsulen të licencojnë të sulmojnë analistë të veçantë, është shqetësuese, ti nuk bën asgjë më shumë se sa polarizon shoqërinë”,- tha Caca.
Në një linjë tjetër, Indrit Vokshi relativizoi situatën, duke argumentuar se në politikë sulmet janë të ndërsjella dhe se ata që kritikojnë Berishën duhet të presin reagim të ngjashëm.
“Si në ring boksi, ata që shajnë Sali Berishën duhet të presin që të shahen nga Sali Berisha, apo njerëzit e fiksuar nga mëngjesi deri në darkë për të sharë Sali Berishën. Ai nuk e ka problem, këta njerëz, këta njerëz që ka sharë sot nesër mund t’i bëjë deputetë. Nuk ka nevojë të bëjë thirrje Berisha për linçimin e Kreshnik Spahiut, Idajet Beqirit, Arben Meçes, pse i shajnë vetë”,- tha Vokshi.
Komente











