Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka dënuar sulmet e fundit ruse në Ukrainë si një shkelje të rëndë ndërkombëtare humanitare. Ai shpreh solidaritet me viktimat dhe të lënduarit, si dhe thekson mbështetjen e palëkundur për Ukrainën.
Hoxha shkruan në postimin e tij se këto sulme të përsëritura dhe të vazhdueshme janë të papranueshme dhe duhet të marrin fund menjëherë.
“Ne dënojmë në termat më të ashpra valën e fundit të sulmeve të Rusisë kundër Ukrainës, gjatë së cilës dronë dhe raketa goditën zona civile, duke shkaktuar humbjen tragjike të jetëve të pafajshme, përfshirë fëmijë.
Shprehim solidaridetin tonë për viktimat, të plagosurit dhe familjet e tyre, të cilët vazhdojnë të përballen me pasojat shkatërruese njerëzore të kësaj lufte të pajustifikueshme.
Këto sulme të përsëritura dhe të vazhdueshme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës kritike janë të papranueshme dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Ato duhet të marrin fund menjëherë.
Shqipëria rikonfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për Ukrainën dhe popullin e saj. Mbështetja e qëndrueshme ndërkombëtare për Ukrainën, rritja e presionit ndaj Rusisë për t’i dhënë fund këtyre sulmeve, si dhe garantimi i përgjegjësisë së plotë për të gjitha shkeljet e së drejtës ndërkombëtare, mbeten thelbësore për mbrojtjen e civilëve dhe për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Evropë”, shkruan ministri.
Rusia lëshoi më shumë se 700 dronë dhe raketa ndaj Ukrainës në disa sulme gjatë natës, duke vrarë të paktën 17 persona në atë që zyrtarët vendas e përshkruan si sulmin më vdekjeprurës në muajt e fundit.
9 viktima raportohen deri më tani në Odesa, 4 në Kiev, përfshirë një fëmijë dhe 4 të tjerë në Dnipro.
Komente










