Në procesin ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe shtetasve Behar Brajoviç e Edmond Preka, për vrasjen e Gjin Ndojit në gusht të vitit 2020, GJKKO pranoi kërkesat e avokatëve për provat që do të bëhen pjesë e shqyrtimit gjyqësor, ndër to edhe dërgimin e një letërporosie të re në Francë për sqarimin e burimit të të dhënave SKY ECC.
Avokatëve iu pranua edhe kërkesa që të merret si provë edhe një vendim i autoriteteve gjyqësore holandeze që nuk ka lejuar në vitin 2019 përgjimin masiv të përdoruesve të SKY ECC.
Ndërkohë, seanca e ardhshme do të nisë pyetja e dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK, me shtetasin Jozi Kraja alias Ndoj, vëllain e viktimës i ekstraduar në fillim të këtij viti nga Zvicra për llogari të dosjes “revanshi”, dhe të dashurën e viktimës.
AKUZAT E SPAK
Biznesmeni Pëllumb Gjoka, akuzohet për akuzohet për ‘Vrasje me paramendim’ të Gjin Ndoj (Boriçi), në 9 gusht të vitit 2020 në qytetin e Shkodrës, kryer në bashkëpunim atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. SPAK e akuzon Gjokën edhe për sigurimin e kushteve për të vrarë Kleant Musabelliun, Dorjan Dulin dhe Ibrahim Licin në formën e grupit të strukturuar kriminal. Gjoka akuzohet nga Prokuroria e Posaçme edhe për korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka ka bashkëpunuar për vrasjen e Gjin Ndojit me Behar Brajoviq, (Bajri), dhe Edmond Prekën të cilët po ashtu akuzohen për vrasje. Behar Bajri, akuzohet po ashtu edhe për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje në dëm të Kleant Musabelliut, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.
Për të siguruar kushtet për vrasjen e Kleant Musabelliut akuzohet edhe Edmond Preka, ish-shoferi i Gjokës, ndërsa Astmer Bilali akuzohet për sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasve Dorian Duli dhe Ibrahim Lici, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal. Ndërkohë ish zyrtari i policisë Ardit Hasanbegaj, akuzohet për sigurim i kushteve për vrasje të Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit. Ish Shefi i Operacionales Oltion Bistri akuzohet për ‘korrupsion pasiv’, ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’.
Ndërkaq ish-prokurori Xhevahir Lita akuzohet për korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë. Për personat që ende ndodhen në kërkim mes tyre edhe Ervis Martinaj, SPAK ka veçuar hetimin. Dhjetra operacione janë bërë për gjetjen e Martinaj, por deri tani nuk kanë arritur në asnjë konkluzion zyrtar në lidhje me fatin e tij. Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente









