Deputetja e LVV Arbëreshë Kryeziu, ka vazhduar sulmet e partisë së drejtuar nga Albin Kurti ndaj kryeministrit Edi Rama, teksa sipas saj, ky i fundit duhet të pendohet për mbështetjen që i ka dhënë Gjykatës Speciale.

E ftuar në ‘Studio live’ me moderator Ermal Qori, Kryeziu ka mbajtur qëndrimin e partisë që bën pjesë, pasi ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për akuza ndaj Ramës, por pasqyrim të realitetit.

“Nuk mendoj se janë akuza, por janë pasqyrim i realitetit që kur ne jemi gjendur që në momentin kur është ngritur diskutimi për krijimin e Gjykatës, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila është përkrahur shumë edhe nga kryeministri juaj Edi Rama. Pra më shumë jemi munduar që të paraqesim në një realitet dhe qëndrimet që palët kanë pasur. Më e pakta që ne kërkojmë nga këta persona që lobonin për krijimin e kësaj Gjykate, është një pendesë për qëndrimin e tyre pro një gjykate të tillë që po shkakton këto padrejtësi”, tha Kryeziu.

Më tej Kryeziu tha deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kanë shprehur shqetësim për krijimin e Gjykatës Speciale. Ndërsa më tej deputetja e Kurtit vazhdoi sulmet, teksa tha se Shqipëria të bënte më shumë për padrejtësinë që po i bëhet drejtuesve të UÇK.

“Unë mendoj që deri më tani është bërë, pasi kam pasur kontakt me disa deputetë të Komisioneve Parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë. Një pjesë e tyre kanë ngritur shqetësimet për krijimin e Gjykatës. Por mendoj që nuk është ngritur aq sa duhet nga një kryeministër i një vendi që është pjesë e disa prej organizatave ndërkombëtare. Ku specifikisht mund të kërkonte që të diskutohej për krijimin e Gjykatës Speciale, për faktin se aty po mbahen padrejtësisht edhe krerët e UÇK-së. Pra mendoj se mund të behej më shumë, se Shqipëria është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare ku nuk është Kosova. Pra mendoj se po të ishte mbrojtur me kaq shumë zell për protestën e ditës së nësërme, mendoj se do të ishin në një situatë tjetër”, tha ajo.

Gjithashtu Kryeziu sulmoi kryeministrin Edi Rama, për të cilin tha se ka lobuar tek deputetët për krijimin e Gjykatës Speciale.

“Dihet qëndrimi i LVV, që nga 2008 për këtë çështje. Tani gjithçka varet nga ata persona që duhet të ndërmarrin hapat, pas pendesës fillimisht, kanë lobuar fuqishëm që Gjykata Speciale të krijohej. Kryeministri Rama vinte në Kosovë dhe i luste deputetët që të votonin Gjykatën Speciale për të cilën sot thotë se është gabim”, tha Kryeziu në Report Tv.