Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka dënuar dhunën e militantëve të Sali Berishës gjatë protestës së mbrëmjes së djeshme që PD zhvilloi në Tiranë, të cilët hodhën molotovë në vilën e Enver Hoxhës, sot qendër kulturore, ku rrezikuan jetën e disa artistëve që ndodheshin brenda.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Delegacioni i BE-së thekson se mbështet të drejtën për të protestuar, por kjo e drejtë duhet të ushtrohet në përputhje me ligjin dhe të mos cënojë sigurinë e të tjerëve.

Po ashtu më reagim Delegacioni i BE-së nënvijëzon se gjatë protestës së djeshme të PD-së u rrezikuan jetë njerëzish, duke pasur parasysh artistët që ndodheshin brenda 'Vilës 31' gjatë momentit të sulmit nga militantët e Berishës.

Teksa u bën thirrje aktorëve (kupolës së PD) për vetëpërmbajtje, Delegacioni i BE ripërsërit se është në mbështetje të angazhimit konstruktiv në funksion të reformave të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Reagimi i Delegacionit të BE-së në Tiranë:

Delegacioni i Bashkimit Evropian thekson se e drejta për tubim paqësor është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike. Ajo duhet të ushtrohet me përgjegjësi, në respekt të plotë të sundimit të ligjit dhe të sigurisë së të gjithë individëve.

Në këtë kontekst, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për aktet e fundit të dhunës në Tiranë, të cilat rrezikuan jetë njerëzish.

Delegacioni i BE-së u bën thirrje aktorëve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje. Ne mbështesim angazhimin konstruktiv në funksion të reformave të rëndësishme në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.