Presidenti i Republikës, Ilir Meta nëpërmjet një letre drejtuar homologut të tij spanjoll, ka shprehur keqardhjen dhe ngushëllimet e tij për viktimat e sulmeve terroriste në Barcelonë, si dhe ka uruar një shërim sa më të shpejtë të lënduarve.

Meta i ka cilësuar këto sulme si akte barbare dhe ka shprehur solidaritetin e Shqipërisë dhe popullit shqiptar me autoritetet spanjolle në luftën kundër terrorizmit dhe kapërcimin e kësaj situate.

Mesazhi i plotë:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet për viktimat më të fundit të akteve të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që goditën dje Barcelonën, një prej qendrave më të mëdha e të rëndësishme evropiane.

Presidenti Meta i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve që humbën njerëzit e tyre të afërt në këto akte barbare terroriste, si dhe uron shërim sa më të shpejtë të të lënduarve.

Në të njëjtën kohë, Presidenti Meta shpreh solidaritetin e Shqipërisë dhe popullit shqiptar me autoritetet dhe popullin spanjoll në luftën kundër terrorizmit dhe kapërcimin e kësaj situate.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com