Një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur nga një sulm me armë zjarri në zonat e Trappes dhe La Verrière, pranë Parisit. Tre nga të plagosurit, mes tyre edhe një vajzë 12-vjeçare, ndodhen në gjendje të rëndë. Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi ngjarjen si një “sulm terrorist racist”, duke deklaruar se viktimat dyshohet se u shënjestruan për shkak të ngjyrës së lëkurës ose fesë së tyre.
Macron tha se sulmi përbënte një “pikë kthese në jetën e Republikës dhe të kombit tonë”, duke e cilësuar si rastin e parë të një vrasjeje raciste të rastësishme të këtij lloji.
Sulmi ndodhi ditën e djeshme dhe zgjati rreth 15 minuta. Autori dyshohet se qëlloi nga makina e tij ndaj disa personave, fillimisht në Trappes dhe më pas në La Verrière. Sipas kryetarit të bashkisë së Trappes, Ali Rabeh të shtënat u regjistruan pranë një pike karburanti, një qendre mjekësore dhe një këndi lojërash për fëmijë, raporton BBC.
Gjatë vizitës në vendngjarje, Macron paralajmëroi për rrezikun e ideologjive që nxisin urrejtjen dhe diskriminimin, duke e cilësuar sulmin si një moment të rëndësishëm për shoqërinë franceze.
I dyshuari, 39 vjeç i identifikuar nga mediat franceze si Kevin T., u arrestua në La Verrière. Sipas Prokurorisë Kombëtare Kundër Terrorizmit (PNAT), ai kishte katër dënime të mëparshme, por nuk figuronte në listën e personave që konsideroheshin kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.
Prokuroria ka nisur hetimet për vrasje të dyshuar në lidhje me një veprimtari terroriste.
Megjithatë motivi i saktë i sulmit mbetet ende i paqartë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.








Komente
Komento