Sulmi kundër gazetares, policia: U njoftuam 3 orë me vonesë, grup i posaçëm, hetim me metoda speciale

TIRANE-Policia e Shtetit dhe Prokuroria përmes një deklarate të përbashkët për mediat njoftojnë se pas sulmit me armë mbi banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala është ngritur një grup i posacëm që po heton me metoda speciale për të identifikuar dhe arrestuar autorët e ngjarjes. Policia thotë se është njoftuar 3 orë e 40 minuta pas ngjarjes. Sipas bluve të kryeqytetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, por është njoftuar në orën 06.40 minuta.

Në lidhje me veprimet e kryera për ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 30 Gusht 2018, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala, i ati i gazetares Klodiana Lala, informojmë se:

Në datë 30 gusht 2018, rreth orës 06.40 minuta, Policia e Tiranës u njoftua se në rrugën “Shkëndija”, fshati Bruk, Tiranë persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit. Për pasojë është dëmtuar fasada ballore dhe dera hyrëse e banesës. Në momentin e sulmit, në banesë ishin prindërit e gazetares, vëllai, dy fëmijët e gazetares dhe dy miq të afërm të familjes. Personat brenda banesës nuk kanë pësuar dëmtime.

Në lidhje me këtë ngjarje, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga ana e grupit hetimor janë kryer veprimet procedurale në vendin e ngjarjes si dhe janë kryer një sërë veprimesh me metoda speciale të hetimit për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor po vijon me intensitet maksimal veprimet hetimore dhe procedural, por për arsye hetimi nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera.

Deklaratë e përbashkët e Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës

24 orë pas ngjarjes askush nuk është në pranga për sulmin. REPORT TV mëson se paraditen e sotme u zhvillua një takim në prokurorinë e Tiranës mes drejtueses së këtij institucioni Elisabeta Imeraj, drejtorit të Policisë së Shtetit Veliu, atij të Tiranës Skënderaj dhe vetë gazetares Klodiana Lala. Pas takimit gazetarja dha dëshminë para grupit hetimor, ndërsa hetimet janë fokusuar në pistën e kërcënimit për shkak të detyrës. REPORT TV mëson se ka një rreth personash që do të shoqërohen për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Ndërkohë që grupi hetimor ka marrë dëshmitë e para, ka analizuar tabulatet e bisedave telefonike për të shkuar në gjurmët e autor/ëve të ngjarjes.

Ngjarja e pazakontë ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Domje të Tiranës, aty ku prej vitesh jeton familja e gazetares së kronikës së zezë, Klodiana Lala. Banesa e prindërve të saj, përjetoi momente terrori, pasi rreth orës 03:00 të mesnatës persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi, banesën e familjes së gazetares Lala.

Qëllimi i kriminelëve ka qënë të jepte një mesazh të fortë gazetares, duke nënkuptuar se të godasim familjen, nëse na përmend emrin në kronikat televizive. Kjo e fundit kishte vetëm disa orë që ishte larguar nga shtëpia e prindërve, ku së bashku me bashkëshortin e saj kanë udhëtuar në drejtim të Tiranës, aty ku jetojnë së bashku. Dy vajzat e saj të mitura, i ka lënë në banesën e prindërve, nën shoqërinë e 6 personave të tjerë, si dy gjyshërit, motrës, vëllait dhe dy krushqve,që kishin mbërritur për vizitë nga Italia.

Fatmirësisht breshëria e automatikut nuk ka sjellë asnjë dëm në njerëz, vetëm dëme materiale. Besohet se autori i krimit është larguar me automjet nga vendi i ngjarjes për të mos u identifikuar ende dhe sot. Pak ditë më parë gazetarja Lala ka botuar në një kronikë televizive një bisedë të përgjuar mes deputetit të PS Jurgys Çyrbja me një person me precedentë penalë. Mësohet se ministri Xhafa i ka siguruar mbrojtjen familjes së gazetares dhe vetë asaj, ndërkohë ka premtuar se ngjarja do zbardhet.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Akuzohet se ka falsifikuar diplomën e shkollës së mesme, Belind Këlliçi paraqitet në SPAK

Akuzohet se ka falsifikuar diplomën e shkollës së mesme, Belind Këlliçi paraqitet në SPAK