TIRANË- Rreth 20 protestues u shoqëruan nga policia pas episodeve të dhunës dhe përplasjeve me efektivët gjatë protestës së një dite më parë para Kuvendit. Vetëm një prej tyre, Mustafa Veizi, u arrestua, ndërsa të tjerët u lanë të lirë, përfshirë një prej organizatoreve të protestës, Arvina Lleshi, e cila u përplas me deputeten socialiste Iris Luarasi.
Protestuesit ishin mbledhur rreth Kuvendit që në nisje të sesionit të ri parlamentar, por një orë pas përfundimit të saj nisën tensionet dhe bllokimi i rrugëve. Dhjetëra protestues tentuan të godisnin me vezë makinat e deputetëve dhe arritën të rrethonin makinën e socialistes Ilva Gjuzi.
Policia në disa momente ndërhyri për të larguar forcërisht protestuesit nga rrugët që ata kishin bllokuar, por ata kundërshtuan, duke u përplasur dhe duke sulmuar edhe efektivët. Në një prej episodeve u përfshi edhe kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.
Më herët, një tjetër incident u regjistrua te qendra tregtare “Toptani”, ku deputetja socialiste Iris Luarasi u përball me një grup protestuesish. Aktivistja Arvina Lleshi dhe disa persona të tjerë e ndoqën deputeten, duke e quajtur “hajdute” dhe duke i thënë se “nuk i përfaqëson gratë”.
“Hajdute! Mos fol në emër të grave! Ti nuk je mbrojtësja e grave! Ti nuk i përfaqëson gratë! Po, ti! Po ti përfaqësoje nuk do të bashkoheshe me qeverinë e krimit! S’kemi turp fare, turp të keni ju! Hajdute!”, i tha aktivistja Lleshi.
Pas përplasjes, ishte vetë deputetja Luarasi që njoftoi se do t’ia linte çështjen në dorë drejtësisë, duke bërë edhe kallëzim.
“Disa vajza më kishin zënë pritë, me sharje, me fyerje dhe me celularët gati për të filmuar spektaklin që kishin përgatitur. Kritikën e përballoj, pyetjeve u përgjigjem, por shpifjen, kërcënimin dhe dhunën nuk i pranoj. Prandaj këtë rast do ta denoncoj dhe do t’ia lë drejtësisë të veprojë”, tha deputetja.
Pas këtij kallëzimi, Lleshi është shoqëruar në polici pas mesnate, por është lënë e lirë në orët e para të mëngjesit, bashkë me grupin prej 19 protestuesish të tjerë.






Komente
Komento