Kuvendi mblidhet sot në orën 17.00, në seancën që çel sesionin e ri parlamentar. Prioritetet janë të qarta, reforma territoriale, ajo zgjedhore dhe ligjet e integrimit, por rruga për t’i finalizuar ato vijon të jetë e ndarë për mazhorancën dhe opozitën.
Përplasjet e para nisën në Konferencën e Kryetarëve këtë paradite. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi dhe anëtarët e tjerë të opozitës kërkuan një listë të ligjeve të integrimit dhe që në këtë sesion mazhoranca të heqë dorë nga kalimi i nismave të rëndësishme në mënyrë të njëanshme, siç është reforma territoriale.
Në përfundim të konferencës së kryetarëve, kreu i grupit socialist Taulant Balla tha se reforma territoriale do të jetë kryeprioritet ndërsa puna e deputetëve do të fokusohet edhe te “Besa” e “Prania Besnike” për të cilat kryesocialisti Rama u ka lënë detyrë takimet me qytetarët çdo të premte në orën 17:00.
Pavarësisht thirrjeve të palëve për konsensus në këtë sesion të ri, mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, u mbyll duke mos gjetur dakordësi as për kalendarin e punimeve, i cili kaloi për miratimin në seancën e parë që çel sesionin sot pasdite.
Pavarësisht mos-dakordësisë, në kalendar janë përfshirë edhe nismat e opozitës për anulimin e disa ligjeve, që vijnë si kërkesa të protestave qytetare.
Seanca pritet të hapet me një fjalë të kryeparlamentarit Niko Peleshi. Në nisje të saj pritet të votohet edhe dekreti i Presidentit për ministren e re të shëndetësisë Klodiana Spahiu, pas dorëheqjes së Evis Salës.
Në nisje të seancës plenare Presidenti Bajram Begaj i dërgoi një mesazh deputetëve, duke u ndalur fillimisht te protesta qytetare, e duke shkruar se “Sfida është që kjo energji qytetare dhe ky angazhim institucional të ushqejnë një dialog që forcon besimin dhe ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve më të mira.”
Ndërsa deputetëve u kërkon që ky “sesion parlamentar të jetë një periudhë bashkëpunimi në shërbim të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve të saj: një sesion që afron Shqipërinë me Bashkimin Evropian, që forcon institucionet, që forcon besimin e qytetarëve te politika dhe shteti.”
Në konferencën e kryetarëve, mazhoranca dhe opozita nuk gjetën dakordësi për projekt-kalendarin e punimeve të kuvendit, i cili do t’i kalojë për miratim seancës plenare
Në nisje të seancës, deputetët do të përballen me protesta nga qytetarët, të cilët kanë paralajmëruar grumbullimin e tyre pranë parlamentit kur të nisë seanca.
Lajmi në përditësim....
Presidenti Bajram Begaj i dërgoi një mesazh Kuvendit në nisje të sesionit të ri parlamentar, duke u ndalur te protestat qytetare. Kreu i shtetit tha se pjesëmarrja e qytetarëve në jetën publike është tregues i zhvillimit të demokracisë, ndërsa u kërkoi deputetëve një Kuvend përfaqësues, funksional dhe llogaridhënës.
Mesazhi i plotë i Begajt
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë,
Në nisje të këtij sesioni të ri parlamentar, ju uroj punë të mbarë dhe suksese në përmbushjen e përgjegjësive ndaj vendit dhe qytetarëve! Hapja e një sesioni të ri parlamentar është një moment për të reflektuar mbi rezultatet, për të identifikuar sfidat prioritare dhe për të programuar në mënyrë më efektive e institucionale punën e ardhshme. Shqipëria është sot një vend me ambicie të mëdha dhe me një shoqëri që merr pjesë gjithnjë e më shumë në jetën publike. Qytetarët shprehen më hapur për pritshmëritë, shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Kjo është pjesë e vitalitetit të një shoqërie demokratike dhe një tregues se demokracia jonë vazhdon të zhvillohet.
Në këtë kuptim, protesta paqësore dhe shprehja e lirë e mendimeve janë pjesë e natyrshme e jetës demokratike. Jo gjithmonë do të kemi të njëjtat qëndrime dhe jo çdo kërkesë mund të gjejë të njëjtën përgjigje. Është inkurajuese kur zëri i qytetarëve gjen hapësirë në debatin publik dhe merr vëmendjen e institucioneve. Sfida jonë e përbashkët është që kjo energji qytetare dhe ky angazhim institucional të ushqejnë një dialog që forcon besimin dhe ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve më të mira.
Të nderuar deputetë,
Një demokraci e konsoliduar nuk përcaktohet nga mungesa e dallimeve. Përkundrazi, ajo dallohet nga mënyra se si i përballon ato. Dallimet politike bashkëjetojnë me demokracisë dhe Kuvendi është vendi ku ato duhet të shprehen, të debatohen dhe të përballen me argumente.
Qytetarët kanë pritshmëri të larta ndaj Kuvendit për cilësinë e debatit, gjuhën politike, ligjbërjen dhe nivelin e përfaqësimit. Kuvendi duhet të jetë institucioni ku qytetarët shohin se vendimmarrja parlamentare sjell zgjidhje konkrete: një Kuvend përfaqësues, funksional dhe llogaridhënës. Interesat afatgjata të Shqipërisë kërkojnë një vizion përtej ndarjeve të ditës.
Siguria kombëtare, shteti i së drejtës, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zgjedhjet dhe reforma territoriale, si dhe e ardhmja evropiane e vendit kërkojnë vazhdimësi dhe një ndjenjë përgjegjësie që i bashkon të gjitha forcat politike.
Të nderuar deputetë,
Shqipëria ka bërë një zgjedhje të qartë strategjike për të ardhmen e saj. Rruga evropiane dhe orientimi ynë Euroatlantik janë pjesë e kësaj zgjedhjeje. Rrugëtimi evropian është një projekt kombëtar, një proces i thellë ndryshimi shoqëror që kërkon vazhdimësi, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët.
Në këtë projekt, secili mund të japë kontributin që i takon. Kuvendi, duke ushtruar plotësisht funksionin ligjvënës dhe mbikëqyrës; mazhoranca, duke i shndërruar angazhimet në rezultate; opozita, duke ofruar kontroll dhe alternativë; institucionet e pavarura, duke vepruar me profesionalizëm, transparencë, llogaridhënie dhe integritet; shoqëria civile, universitetet, media, sipërmarrja, rinia dhe Diaspora janë aktorë të domosdoshëm në këtë projekt.
Bashkimi Evropian nuk është vetëm një destinacion diplomatik apo një objektiv politik. Për qytetarët tanë, ai lidhet me besimin te reformat, me cilësinë e institucioneve dhe me sigurinë se ligji zbatohet për të gjithë.
Reformat që na ndihmojnë për të hyrë në Bashkimin Evropian janë reforma që e bëjnë Shqipërinë më demokratike, më të drejtë, më sociale, më funksionale dhe më krenare për qytetarët e saj.
Në këtë rrugëtim, konsolidimi i reformës në drejtësi mbetet një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Rezultatet e SPAK-ut janë një nga arritjet e saj më të rëndësishme. Reforma duhet të arrijë një drejtësi eficiente, me standarde evropiane dhe që ndihet në jetën e qytetarit. Një drejtësi e pavarur, e paanshme dhe me integritet është, para së gjithash, një garanci për qytetarin.
Të nderuar deputetë,
Shqipëria ka përpara saj objektiva të rëndësishme dhe shumë mundësi. Për t'i shfrytëzuar ato, kemi nevojë për bashkëpunim, angazhim, dialog, dhe për besimin se, edhe kur kemi dallime, jemi në gjendje të punojmë së bashku për atë që është në interes të vendit.
Mandatet dhe bindjet politike janë të ndryshme, por përgjegjësia ndaj Shqipërisë është e përbashkët.
Uroj që ky sesion parlamentar të jetë një periudhë bashkëpunimi në shërbim të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve të saj: një sesion që afron Shqipërinë me Bashkimin Evropian, që forcon institucionet, që forcon besimin e qytetarëve te politika dhe shteti!
Ju uroj punë të mbarë dhe suksese!
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se reforma territoriale dhe ajo zgjedhore do të jenë dy nga prioritetet kryesore të mazhorancës në sesionin e ri parlamentar.
“Themeli i punës për këtë shumicë është miratimi i reformës territoriale dhe miratimi i një reforme zgjedhore që të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për të garantuar në kohë marrjen e masave për zgjedhjet vendore të 2027-s”, tha Balla.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, akuzoi mazhorancën se po nis sesionin e ri parlamentar pa përcaktuar ligjet prioritare që lidhen me procesin e integrimit europian. Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Tabaku kërkoi që lista e ligjeve të integrimit të ndahet me opozitën, ndërsa i bëri thirrje PS-së të heqë dorë nga miratimi i njëanshëm i reformave territoriale dhe zgjedhore.
“Po nisni një sesion ku nuk përcaktohen ligjet për integrimin. A ju duket sikur jeni një kuvend që po punon për integrimin? Po jua them këtu një kërkesë të bërë para një viti: ndajeni me opozitën listën e ligjeve të integrimit. Integrimi do të duhet të jetë një proces transparent. Nuk mund ta trajtoni Kuvendin si pronë. Pastaj na thoni neve se nuk punojmë për integrimin? Ju nuk jeni serioz dhe këtë proces po e trajtoni si të tillë.
Kam edhe një thirrje tjetër: hiqni dorë nga kalimi i nismave të rëndësishme në mënyrë të njëanshme. Nuk mund të ketë reformë territoriale të njëanshme, nuk mund të ketë reformë zgjedhore të njëanshme ndryshe ky kuvend nuk mund të quhet kuvend i shqiptarëve”, tha Tabaku.
Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar dorëheqjen e Evis Salës dhe emërimin e Klodiana Spahiut si ministre Shëndetësie.
Dekreti i kalon sot seancës plenare për votim dhe më pas Spahiu do duhet të betohet para Presidentit për të nisur detyrën.










Komente
Komento