Një analizë ekskluzive për Shqiptarja.com nga akademiku i mirënjohur Rexhep Qosja, i cili zbërthen Shqipërinë në 100 vjet shtet. Nga përpjekjet për pavarësi, luftërat, sundimet dhe sundimtarët, plagët dhe padrejtësitë e deri më sot, kur siç thotë Qosja shqiptarët jetojnë në demokraturë mes demokracisë e diktaturës.
Krijimi i Shqipërisë
Shqiptarët shënojnë sivjet 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. E shënojnë shqiptarët e Shqipërisë shtetërore, shqiptarët e Kosovës, shqiptarët e Maqedonisë, shqiptarët e Malit të Zi, shqiptarët e Luginës së Preshevës, shqiptarët e Çamërisë, arbëreshët e Italisë, shqiptarët e Turqisë, dhe shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Australi dhe në Islandë.
Njëqindvjetori i Shqipërisë është ngjarje madhore historike për shqiptarët kudo qofshin ata. Shqipëria shtet e ka bërë subjekt historik Kombin shqiptar dhe ua ka siguruar qenien shqiptarëve brenda kufijve të saj. Por, Shqipëria shtet u ka bërë të mundshme të mbahen në histori edhe shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të saj, në Ballkan. Në Shqipërinë shtetërore ata e kanë parë dhe e kanë gjetur shpëtimin sa herë ishin të rrezikuar në vendet e tjera ballkanike
Njëqind vjet shtet!
Njëqind vjet shtet duan të thonë shumë edhe për popujt me tradita të mëdha, të gjata shtetërore, edhe për popujt me fat të mirë historik e lëre më për shqiptarët, që janë popull me fat të rëndë historik.
Shtetet kurrë dhe kurrkund, prej asnjë populli, nuk janë krijuar lehtë dhe shpejt, kurse shteti shqiptar, Shqipëria, është krijuar për një kohë të gjatë dhe me mundime shumë të mëdha.
Një epokë e tërë, që në historinë shqiptare quhet epoka e Rilindjes Kombëtare, u është kushtuar përpjekjeve për krijimin e shtetit shqiptar, Shqipërisë.
Prej vitit në të cilin janë bërë botore, me shkrim, idetë shtetformuese shqiptare, që është viti 1845, e deri në vitin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, që është viti 1912, kanë kaluar 67 vjet.
Gjatë këtyre 67 vjetëve janë bërë shumë përpjekje çlirimtare për krijimin e Shqipërisë shtet.
Janë krijuar organizata politike e ushtarake, siç ishin Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Lidhaj e Pejës dhe janë bërë kryengritje të armatosura kundër pushtuesit shumëshekullor, që ishte Perandoria Otomane.
Janë botuar vepra letrare dhe shkencore me të cilat synohej formimi dhe forcimi i vetëdijes kombëtare dhe çlirimtare të popullit.
Janë mbledhur dhe janë botuar krijime të traditës gojore të popullit me të cilat synohej njohja e opinionit evropian dhe botëror për krijimtarinë shpirtërore të popullit shqiptar.
Janë botuar vepra me shkrime shkencore për historinë dhe, në përgjithësi, për traditat historike të popullit shqiptar.
Janë krijuar gazeta dhe revista, qëllimi kryesor i botimit të të cilave ishte shpjegimi i rëndësisë politike të shtetit shqiptar, të Shqipërisë, për qenien e Kombit shqiptar dhe për çlirimin dhe paqen e Ballkanit.
Janë botuar vepra programore me të cilat shpjegohej e drejta politike dhe historike e shqiptarëve për krijimin e shtetit kombëtar dhe me të cilat tregohej se ai shtet i ardhshëm do të ishte republikë parlamentare.
Prej intelektualëve shqiptarë, që jetonin jashtë atdheut, është zhvilluar veprimtari politike e diplomatike me të cilën kancelaritë e fuqive të mëdha evropiane njiheshin me të drejtën e shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre.
Dhe, në fund, është bërë luftë e dyfishtë në luftërat ballkanike për krijimin e shtetit shqiptar, Shqipërisë: është bërë luftë, në njërën anë, kundër pushtuesit shumëshekullor, Perandorisë Otomane, kurse, nën anën tjetër, kundër fqinjëve ballkanikë - Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, që kishin krijuar lidhje për pushtimin e trojeve shqiptare.
Dhe, mbas të gjithë këtyre përpjekjeve 67-vjeçare, të bëra me armët e trimave e me mendjen e intelektualëve në numër atëherë të paktë do të bëhet shteti shqiptar, Shqipëria , më 28 nëntor 1912.
Por, si do të bëhet? Dhe, si do të pritet prej vetë popullit shqiptar?
Shqipëria e 28 nëntorit 1912 do të jetë shtet që do ta gëzojë pa masë popullin shqiptar, por Shqipëria e 28 nëntorit 1912 do të jetë shtet që pa masë edhe do ta dëshpërojë popullin shqiptar!
Fuqitë e mëdha dhe shtetet fqinje
Pse jo?
Shqipëria do të bëhet shtet prej më pak se gjysmës së trojeve në të cilat shqiptarët ishin ose popullsi e vetme ose shumicë etnike!
Dhe, Shqipëria do të bëhet shtet në të cilin do të përfshihen më pak se gjysma e pjesëtarëve të popullit shqiptar, kurse më shumë se gjysma e tyre do të mbeten nën sovranitetin e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë.
Ishte kjo një padrejtësi e madhe, historike, që fuqitë e mëdha evropiane - Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Austro- Hungaria, Italia dhe Rusia po i bënin popullit shqiptar.
Ishte kjo një padrejtësi e madhe ndaj popullit shqiptar në të cilin rolin kryesor e luante Rusia.
Ishte kjo padrejtësi e madhe, historike, që i bëhej popullit shqiptar, jo vetëm për të kënaqur sa mund të kënaqeshin me të interesat e atyre fuqive të mëdha, por edhe për arsye se shqiptarët në shumicë ishin çka Evropa nuk dëshironte të ishin: ishin pjesëtarë të besimit islam!
Ishte kjo padrejtësi tepër e madhe, tepër tragjike, që do të përcaktojë edhe kushtet ekonomike, kushtet politike dhe kushtet kulturore për zhvillimin, në të vërtetë për prapambetjen zhvillimore të popullit shqiptar në tërësi.
Shqiptarëve u ishin cenuar rëndë mundësitë natyrore për zhvillim.
Me kufij ishin ndarë qytete dhe malësi, malësi dhe qytete, që me shekuj ishin furnizuar ndërsjellshëm me krejt ç'duhet për jetë.
Me kufij ishin ndarë krahina që i kishte bashkuar natyra, domethënë gjeografia dhe koha, domethënë historia.
Me kufij ishin ndarë familje, fise, popullsi, që me shekuj kishin ndërtuar jetë të përbashkët.
Me kufij ishte ndarë tërësia kulturore e popullit shqiptar.
Shqipëria do të jetë shteti, sigurisht i vetmi në Evropë, i cili në të gjitha anët - në lindje e në perëndim, në veri e në jug do të kufizohet me shqiptarët, që ishin popullsi e vetme a shumicë etnike në trojet përgjatë kufirit me shtrirje deri në 250 kilometra të mbetur nën sovranitetin e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë!
Shkencëtarë evropianë, që njihnin mirë gjeografinë dhe etnografinë ballkanike, do të thonë se shteti shqiptar, Shqipëria e Konferencës së Londrës, është si një organizëm të cilit i ishin prerë të gjitha gjymtyrët: duart deri në krahë e këmbët deri në kofshë, prandaj nuk do të ketë kushte natyrore për ekzistencë! Varfëria e zgjatur e Shqipërisë dhe e shqiptarëve është pasojë e copëtimit të tillë të tërësisë natyrore, demografike dhe kulturore të Shqipërisë.
Nuk është e çuditshme, prandaj, pse ministri i Jashtëm britanik, Eduard Grei, do të deklarojë pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër se ndaj popullit shqiptar është bërë një padrejtësi aq e madhe saqë një ditë pashmangshëm do të duhet të korrigjohet ajo.
Luftërat që ka përjetuar Shqipëria
E thashë se të gjata, të rënda e të shumta ishin përpjekjet për krijimin e shtetit shqiptar, Shqipërisë, por të gjata, të rënda e të shumta ishin edhe përpjekjet e shtetit shqiptar, Shqipërisë, për t'u mbajtur çka ishte bërë: shtet i lirë, i pavarur, që do të mund t'ia siguronte jetën popullit të vet.
Të shumta, të ndryshme do të jenë ngjarjet dhe të bërat, veprimet dhe veprimtaritë, politikat dhe ideologjitë, që do të përjetojë a do të prodhojë ky shtet.
Shqipëria shtet do të përjetojë dy luftëra ballkanike - të parën prej së cilës do të dalë si shtet i cenuar demografikisht e territorialisht dhe të dytën në të cilën do të kryhet copëtimi i saj prej fqinjëve ballkanikë.
Shqipëria do të përjetojë luftën e Vlorës në vitin 1920 me të cilën do ta dëbojë Italinë prej këtij qyteti dhe pjesës tjetër të Shqipërisë që ajo e mbante të pushtuar.
Shqipëria do të përjetojë dy luftëra botërore -të Parën gjatë së cilës një pjesë e saj do të jetë e pushtuar prej Serbisë, një pjesë prej Greqisë, kurse një pjesë prej Italisë dhe të Dytën gjatë së cilës në tërësi do të jetë e pushtuar prej Italisë fashiste dhe prej Gjermanisë naziste.
Prej vitit 1997 e deri në gjysmë të vitit 1999 Shqipëria do të përjetojë edhe një luftë: do të përjetojë luftën e Kosovës sado si shtet nuk do të marrë pjesë në të, por në të do të marrin pjesë oficerë dhe atdhetarë të tjerë të saj.
Si në luftërat ballkanike, ashtu, as në luftërat botërore më parë se të jetë në gjendje të përzgjedhë vetë aleatët dhe miqtë, Shqipëria do të jetë e përzgjedhur, kur prej atyre me të cilët nuk kishte pasur lidhje natyrore dhe historike e kur prej atyre me të cilët kishte pasur lidhje të tilla.
Trajtat shtetërore
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë Shqipëria do të ndërrojë disa rende politiko-shoqërore dhe kushtetutare-juridike: për nga mënyra e sundimit më së gjati do të jetë republikë e më së shkurti mbretëri. Për nga qëndrimi ndaj shoqërisë do të jetë më shkurt demokratike e më gjatë autokratike. Do të jetë e krijuar si republikë parlamentare,të cilën fuqitë e mëdha europiane shpejt do ta bëjnë principatë të pasuksesshme, prandaj edhe të përkohshme në krye me princin austriak, Vid; prej vitit 1924 e deri në vitin 1928 formalisht do të jetë republikë presidenciale; prej vitit 1928 e deri në vitin 1939 do të jetë mbretëri parlamentare, në të vërtetë despoti, kurse prej vitit 1939 deri në vitin 1943 do të jetë monarki e pushtuar me "bashkim personal" me Italinë, e sunduar prej të ashtuquajturës Mëkëmbësi e përgjithshme në krye me Mëkëmbësin e parë të mbretit Viktor Emanueli III; prej vjeshtës së vitit 1943 deri në vjeshtë të vitit 1944 do të jetë republikë e pushtuar prej Gjermanisë, ndërsa prej vitit 1945 do të jetë republikë socialiste, totalitare. Prej vitit 1991 Shqipëria shpallet republikë demokratike.
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të saj në Ballkan do të jetojnë gjashtë vjet në Mbretërinë e Serbisë e të Malit të Zi, mandej, njëzet e tre vjet në Mbretërinë e Serbëve, të Kroatëve e të Sllovenëve, respektivisht në Mbretërinë e Jugosllavisë e, mandej, prej vitit 1945 e deri në vitin 1990 në republikë socialiste, në pjesën më të madhe të kohës e quajtur Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Shqiptarët në Greqi, ndërkaq, do të jetojnë kur në republikat e kur në monarkitë greke deri në vitin 1940 kur pjesa më e madhe e tyre do të shpërngulen me dhunë në Shqipëri!
Në të gjitha këto trajta shtetërore, fjalët republikë dhe demokraci ishin vetëm mbulesë politike kushtetutare, sepse Shqipëria ishte republikë vërtet demokratike vetëm deri në dhjetor të vitit 1924; kohën tjetër, deri sot, ajo ishte: despoti deri në vitin 1939; monarki fashiste deri në vitin 1943; diktaturë komuniste deri në vitin 1990 dhe demokraturë, domethënë përzierje e demokracisë dhe diktaturës prej vitit 1990 e deri sot.
Si kanë ardhur në pushtet sundimtarët shqiptarë?
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë së Shqipërisë sundimtarët shqiptarë do të vijnë në pushtet në mënyra të ndryshme: me zgjedhje, domethënë të zgjedhur prej popullit; me kryengritje, domethënë të vetëzgjedhur; dhe me porosi prej shtetesh të tjera.
Ismail Qemali - babai i Shqipërisë, do të vijë në pushtet me vullnetin e popullit; Fan Noli do të vijë në pushtet me lëvizje popullore, në të vërtetë me revolucion demokratik; mbreti i ardhshëm, Ahmet Zogu, do të vijë në pushtet me dhunë - me ndihmën e Serbisë: me ushtarë të saj dhe me bellogardistë, që kishin gjetur strehim aty; Enver Hoxha me Partinë komuniste do të vijë në pushtet në sajë të luftës kundërfashiste dhe me zgjedhje, që aspak nuk do të mund të quhen të lira e demokratike. Pas rënies së komunizmit prijësit partiakë shqiptarë do të vijnë në pushtet me zgjedhje, që deri sot, asnjëherë, nuk i kanë plotësuar standardet evropiane.
Ideologjitë
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë, Shqipëria do të provojë a do të zbatojë disa ideologji: ideologjinë kombëtare të trashëguar prej Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila do të jetë ideologji, po thuaj ,e gjithë popullit;
ideologjinë fashiste, të cilën do ta pranojë një pjesë e vogël e popullit, kryesisht një pjesë e klasës politike, një pjesë e klerit dhe e klasës intelektuale; ideologjinë komuniste, të cilën do ta pranojë, po thuaj, pjesa më e madhe e shqiptarëve në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë, dhe ideologjinë demokratike në Shqipëri e quajtur gjoja liberale, të cilën do ta pranojë, po ashtu, pjesa më e madhe e shqiptarëve në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës.
Revoltat
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë, Shqipëria do të përjetojë disa revolta dhe kryengritje popullore, që ishin shprehje e mospajtimit të popullit me politikën dhe me ideologjinë sunduese, me gjendjen sociale, me padrejtësitë e ndryshme, me privilegjet e jashtëzakonshme të klasës sunduese. Në kohën e Mbretërisë shqiptare prijësit e këtyre revoltave dhe kryengritjeve do të jenë të pushkatuar, kurse të revoltuarit a të kryengriturit e tjerë të dënuar me shumë vite burgje.
Në kohën e komunizmit prijësit e të revoltuarve e të kryengriturve, po ashtu, do të jenë të pushkatuar, kurse të revoltuarit dhe të kryengriturit e tjerë të dënuar me burgje e të dërguar në internime.
Tani, në kohën e rendit demokratik, ata të revoltuarit, të kryengriturit, në vitin 1997, po thuaj, nuk do të jenë të pushkatuar as të burgosur dhe nuk do të jenë as të pushkatuar, as të burgosur, në radhë të parë, sepse Bashkimi Evropian dhe SHBA-të do ta bëjnë të pamundshëm qëllimin e kryetarit të atëhershëm të Shqipërisë që të dërgojë forcat ushtarake ndëshkuese në ato pjesë të vendit ku kishte shpërthyer revolta.
Aleatët
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë, Shqipëria do të krijojë lidhje politike, ideologjike, ekonomike apo edhe ushtarake me disa shtete, natyrisht me disa shtete të mëdha e të forta. Menjëherë pas krijimit e, sidomos, në vitin 1924 Shqipëria do të dëshirojë të krijojë lidhje politike dhe të përgjithshme me Britaninë e Madhe dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kjo nuk do t'i bëhet e mundshme sepse qeveria e saj quhej e majtë; prej vitit 1928 e deri në vitin 1943 Shqipëria do të krijojë lidhje politike, ideologjike ekonomike dhe, më në fund, ushtarake me Italinë fashiste; prej vitit 1945 e deri në vitin 1990 Shqipëria do të krijojë lidhje politike e ideologjike njëherë me Jugosllavinë - deri në vitin 1948, mandej lidhje politike, ideologjike dhe ushtarake me Bashkimin Sovjetik dhe me organizatën e tij ushtarake, Paktin e Varshavës, kurse pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe daljes prej Paktit të Varshavës Shqipëria do të krijojë lidhje me Kinën komuniste; pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën Shqipëria komuniste do të jetë shtet jashtë blloqeve politike e ushtarake, kurse pas rënies së komunizmit, Shqipëria do të bëjë çmos dhe do të arrijë të krijojë lidhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.
(ad.ti/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com