Një nga risitë e rëndësishme të sezonit të ri të Superligës shqiptare të futbollit ka nisur të japë menjëherë rezultatet e para konkrete. Rregulli i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për aktivizimin e detyrueshëm të lojtarëve të rinj ka krijuar më shumë hapësira për talentet shqiptarë që të provojnë veten në elitën e futbollit vendas.
Sipas rregullores së miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, duke nisur nga sezoni 2026-2027, në Superligë dhe në Kupën e Shqipërisë, çdo skuadër do të ketë detyrimin të aktivizojë nga minuta e parë, për të paktën një pjesë loje, një futbollist të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare.
Në javën e parë të kampionatit, kjo risi është shoqëruar me aktivizimin e 17 futbollistëve të rinj. Por përtej shifrave, java e parë solli edhe protagonistë të rinj. Briajan Gjyla i Vorës, i datëlindjes 2007, u bë vendimtar në sfidën ndaj Dinamos, duke shënuar golin e fitores në suksesin 1-0 të Vorës. Një paraqitje që e vendosi menjëherë në qendër të vëmendjes që në javën hapëse të kampionatit.
Gjyla, së bashku me Dion Vatën e Partizanit, një tjetër futbollist i ri i aktivizuar në javën e parë, u përzgjodhën në formacionin më të mirë të javës së parë nga Drejtoria Teknike e FSHF-së.
Te Tirana u aktivizuan pesë lojtarë të rinj: Olti Qerimaj (2007), Mateo Maçi (2009), Aimar Bami (2008), Serxho Vogli (2008) dhe Serxho Prendi (2008).
Egnatia aktivizoi Reis Bakallin (2007) dhe Zyber Çullhajn (2008), ndërsa Teuta u dha hapësirë Ergis Arifit (2007) dhe Grei Kuqit (2008).
Në javën e parë minuta në elitë morën gjithashtu Sokol Uldedaj (2009) te Vllaznia, Spasian Nasto (2008) dhe Kleart Grazhdani (2007) te Skënderbeu, Dion Vata (2009) te Partizani, Klevi Ajazi (2008) te Laçi, Armir Borici (2008) te AF Elbasani, Skënder Meta (2007) te Dinamo dhe Briajan Gjyla (2007) te Vora.

Futbollistët e rinj të aktivizuar në javën e parë të Superligës










Komente
Komento