Teuta ul siparin e javës së 10 të Kategorisë Superiore me përballjen në ‘Niko Dovana’ përballë ekipit të Kastriotit. Kur duhen edhe dy ndeshje nga fundi i fazës së parë të Kategorisë Superiore, Teuta është në vendin e parë së bashku me ekipin e Skënderbeut me 19 pikë. Por ajo që e dallon Teutën nga Skënderbeu është fakti që durrsakët e drejtuar nga Magani nuk kanë asnjë humbje në kampionat duke u renditur në radhë me ekipet më të mira në Evropë. Përballja e sotme me ekipin e Kastriotit është e dyta që do të zhvillohet në stadiumin e rikonstruktuar ‘Niko Dovana’, teksa javën e parë e inauguroi mjaft mirë me një fitore.
Në letër edhe ndeshja e sotme duket se do të jetë e lehtë për “Djemtë e Detit” të vetmit që nuk e kanë provuar shijen e humbjes në këtë sezon, synojnë që me një fitore të mundshme të vënë sërish nën presion Skënderbeun, që do të presë të shtunën në Korçë Partizanin. Në prag të ndeshjes trajneri i ekipit të Teutës, Magani shprehet se ka shumë besim te djemtë e tij që do të arrijë që të fitojnë ndeshjen me Kastriotin. Trajneri vlerëson kundërshtarin dhe kërkon nga ekipi i tij përqendrim maksimal.
Ndërsa Kastrioti është skuadra e vetme e Kategorisë Superiore që nuk ka arritur asnjë barazim, teksa ka fituar 3 dhe humbur 6 ndeshje. Krutanët vijnë në Durrës pas tre humbjeve duke e ndërlikuar pozicionin në renditjen e përgjithshme, por trajneri Ndreu nuk mendon që loja e ekipit të tij nuk e meriton këtë pozicion në tabelë.
Sipas tij Kastrioti nuk ka marrë atë që meriton deri në 9 javët e para dhe do të kërkojnë që përballë Teutës shpreson të dalë me pikë me cdo kusht, por duket se ka zgjedhur sfidën e gabuar, pasi ‘Djemtë e Detit’ janë të pamposhtur këtë edicion. Të shtunën Tirana do të presë në kryeqytet Flamurtarin për të marrë tri pikët e para me trajnerin e ri Alpin Gallo.
Takimi tjetër i së shtunës është Lushnja – Besa, që për nga rezultatet që kanë arritur këto dy skuadra javët e fundit mbetet i paparashikueshëm. E shtuna mbyllet me ndeshjen mes Lacit dhe Kukësit, e cila është shansi i fundit i trajnerit Shensoji për të marrë një fitore pa tre javësh. Kategoria Superiore mbyllet të dielën me Laci – Kukësi dhe Vllaznia – Bylis, dy sfida mjaft interesante nëse I referohesh ecurisë së rezultateve të javëve të fundit.
Shkrimi u publikua sot (1.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)