Të dielën zhvillohen tre nga pesë ndeshjet e javës së 16 të Superligës, me Vllazninë kryesuese e cila pret Kastriotin në Loro Boriçi. Shkodranët vijnë pas një ecurie tepër fantastike dhe përballë krutanëve duan të hedhin një hap më tej drejt titullit.
Ndërkohë tifozët shkodranë me rastin e ditëlindjes i kanë bërë një surprizë trajnerit Brdaric, i cili për këtë rast u shpreh:
“Shpresoj që urimet t’jua kthej me shumë besim, pasion dhe dëshirën me të cilën kemi filluar bashkë. Mendoj se kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu deri në fund.”
Dy ndeshjet e tjera të ditës së dielë janë Kukësi-Bylis dhe Skënderbeu-Apolonia. Kjo e fundit një ndeshje për jetë a vdekje mes dy vendeve të fundit.
Sakaq të hënën kalendari rezervon Tirana-Laçi në Selman Stërmasi dhe supersfida Teuta-Partizani në Durrës.