Ndërkohë që si në Tropojë, Kukës, Lezhë, Pogradec, Selenicë, apo dhe në Mallakastër votat e këshillit i kryeson e majta. Në Tropojë numërimi i fletëve të votimit për këshillin bashkiak ka përfunduar me 6292 vota të koalicionit të majtë kundrejt 4509 votave të së djathtës. Kjo i jep mundësinë të majtës të ketë më shumë mandate në këshill. Po ashtu dhe në Kukës, pavarësisht se janë në nisjen e numërimit të fletëve të votimit, PS kryeson këshillin bashkiak ku e djathta ka marrë 923 vota dhe e majta 1807.
Kjo pavarësisht se kryetari i Bashkisë do të jetë i PD-së. E njëjta situatë është dhe në Lezhë. Edhe pse janë numëruar 50 për qind e fletëve të votimit e majta ka fituar 5833 vota kundrejt 3966 të së djathtës, duke rrezikuar drejtimin e këshillit bashkiak nga Eduard Kapri, që fitoi nën siglën e PD-së. në Selenicë, ku PD fitoi kryetarin e bashkisë e majta ka arritur të fitojë shumicën në këshillin Bashkiak, ku ASHE ka marrë 5213 vota dhe APPD 3629 vota. E njëjta situatë shfaqet dhe në Mallakastër, ku PD ka fituar kreun e Bashkisë por ka humbur këshillin.
E majta ka marrë 8542 vota ndërsa e djathta 3629 kur kishin mbetur për tu numëruar dhe 14 kuti nga 56 të tilla. Por dhe bastioni i PS Përmeti ka dhënë votë kundër kandidatit të majtë, por ka mbështetur këshillin. Në 20 kutitë e numëruara, nga 29 të tilla e djathta ka marrë 1519 vota ndërsa e majta PS 4363. Në Devoll shfaqet e njëjta situatë, ku e majta ka numëruar 6650 vota kundrejt 3000 të së djathtës.
Një tjetër garë e fortë me numrat ka qenë dhe gara e partive politike. Deri në mesnatë Partia Socialiste ka regjistruar 205 mijë vota duke siguruar 27 për qind të totalit. Ndërkohë që Partia Demokratike ka marrë 14 mijë vota ose 19 për qind të zgjedhësve. Nga ana tjetër Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 125 mijë vota, duke siguruar 8 mijë vota më shumë se vitit 2011 kur ishte në koalicion me Partinë Demokratike. Si koalicion Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet ka marrë 233 mijë vota, ndërkohë koalicioni Aleanca për Shqipërinë Evropiane 503 mijë vota. Kjo deri në mesnatë kur ishin numëruar 50 për qind të kutive të votimit për këshillat bashkiakë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 Qershor 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)