Ish-trajneri i Partizanit Dritan Mehmeti mendon se Sylvinho nuk ishte zgjedhja e duhur për të drejtuar kombëtaren. Për ‘Report TV’ Mehmeti saktëson se referuar potencialit që ka aktualisht kombëtarja është me rrezik që të drejtohet nga një trajner jo me eksperiencën e duhur, por gjithsesi nuk nguroi të uronte brazilianin për detyrën.
“Duke patur parasysh eskperiencën e Sylvinhos, nuk dua ta paragjykoj, por mendoj se i është dhënë një shans shumë i madh. Kjo referuar elementëve shumë të mirë në kombëtare. Koha do ta tregojë sa sa mirë do eci, por ka shumë pak eksperiencë si trajner i parë. Ka qenë shumë futbollist me vlera, por kjo s’do të thotë të jesh trajner i madh. Koha do ta tregojë,”-u shpreh ish-trajneri i Partizanit.
Një temë e gjërë diskutimi ishte edhe nëse trajneri i kombëtares duhet të jetë shqiptar apo jo. “Do isha entuziazt nëse trajneri do ishte shqiptar sepse edhe ne e kemi ngritur nivelin. Duhet që ai ish-lojtar shumë i madh i kombëtares të ketë edhe eskperiencën e madhe si trajner, sepse është ndryshe futbollist dhe ndryshe trajner.”
Objektivi i kombëtares dhe Sylvinho-s është që në 2024 kuqezinjtë të kualifikohen në Europian. Një arritje shumë e vështirë, por që për Mehmetin trajneri brazilian i ka mundësitë.
“Pa e paragjykuar grupin, sepse në futboll asgjë nuk është e lehtë, mendoj se i kemi shanset shumë të mira, duke parë kualitet e mëdha. Sylvinho duhet të fusë frymën e grupit dhe kiminë në skuadër. Ti marrë maksimumin lojtarëve sepse tani mendoj se mungon fryma e skuadrës,”-tha ai.
Një nga lojtarët shqiptarë më të kërkuar në merkaton e janarit është sulmuesi i Partizanit Xhuliano Skuka, i cili në janar të 2022 u mor me këmbënguljen e Mehmetit nga Dinamo. Tani 24-vjeçari është dëshira e disa klubeve në Seria A.
“Kënaqësi e veçantë sepse Skuka ka 1 vit te Partizani kur e morëm të panevojshëm nga Dinamo. Kam insistuar që ta marr te Partizani dhe sot është ky që është. Ai e ka potencialin të rritet dhe të shkojë në ekipe elitare. Dua ta shikoj në nivele të larta, por dua që të punojë fort në aspektin fiziko-taktik,”-tha Mehmeti.
Lidhur me pretendetët për të fituar Superligën trajneri tha se dëshira e tij është që t’ia dalë Partizani, por përveç Tiranës këmbënguli që edhe Vllaznia të merret seriozisht, pasi ka potencial për të ngritur titullin.