Synon anëtarësimin në BE, Serbia dështon në hapjen e kapitujve

Synon anëtarësimin në BE, Serbia dështon në hapjen e kapitujve

Me gjithë përpjekjet e mëdha të Hungarisë e cila kryeson aktualisht presidencën e BE-së për ta shtyrë hapjen e kapitullit të tretë të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, vendet anëtare nuk kanë arritur pajtim për një gjë të tillë të hënën.

Disa shtete anëtare vlerësojnë se Serbia megjithëse ka shënuar përparim në disa fusha nuk ka bërë mjaftueshëm për ta merituar avancimin e negociatave të anëtarësimit.

Deri më tani, Serbia ka hapur 22 nga gjithsej 35 kapituj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga ata 22, ajo i ka mbyllur përkohësisht 2.

Negociatat mes Beogradit dhe Brukselit janë praktikisht të ngrira tash e tre vjet, për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë.

Komisioni Evropian, ndërkohë, ka përsëritur se Serbia i ka përmbushur kriteret teknike për hapjen e kapitullit të tretë, por në Këshill disa vende anëtare thonë se Serbia duhet të bëjë më shumë edhe në disa çështje politike.

Ndër vendet e BE-së, të cilat, sipas burimeve diplomatike, kanë qenë kundër ose kanë pasur rezerva, janë tri shtetet baltike, por edhe Holanda, Kroacia, Finlanda dhe Suedia.

Arsyet të cilat më së shpeshti janë përmendur për të mos ia dhënë dritën e gjelbër Serbisë tani për tani, janë dështimi i Beogradit për t’i përshtatur qëndrimet e veta me ato të BE-së në fushën e politikës së jashtme, sidomos me sanksionet ndaj Rusisë, si dhe nevoja që Serbia të bëjë më shumë në fushën e lirisë së shprehjes dhe sundimit të ligjit. Disa vende kanë kërkuar që Serbia të bëjë më shumë edhe për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet në Banjskë në veri të Kosovës në vjeshtën e vitit 2023.

Për të ndihmuar në arritjen e konsensusit të nevojshëm për Serbinë, Hungaria – e cila kryeson presidencën e BE-së – e ka qarkulluar një non-paper në të cilin ka përmendur disa rezultate që Serbia, sipas saj, i ka bërë dhe obligimet që ka marrë përsipër për t’i përmbushur në të ardhmen.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në këtë non-paper, në të cilin thuhet se Serbia vitin e ardhshëm do të përshtatet më shumë me BE-në në fushën e politikës së jashtme dhe se Serbia ka shprehur përkushtim që ta respektojë obligimet që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.

Por, për momentin një grup vendesh të BE-së nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre. Kjo çështje, sipas burimeve brenda presidencës hungareze të BE-së, do të mbetet në rend dite në takimet e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.
Ndërkohë, vendet anëtare të BE-së kanë arritur pajtim për të hapur kapituj të ri në procesin e negociatave me Shqipërinë.

Ato kanë kërkuar që Shqipëria ta shpalosë pozitën e vet negociuese me qëllim që më 17 dhjetor të hapen kapitujt që kanë të bëjnë me fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes./REL

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan