Syrja Bej Vlora: Ja si e
njoh unë Ismail Qemalin

Syrja Bej Vlora: Ja si e<br />njoh unë Ismail Qemalin
Ai ishte dëshmitar i atmosferës së shpalljes së Pavarësisë, i përpjekejve dhe planeve për  të mbërritur tek ajo ditë, i njihte nga afër personazhet e ngjarjes me të madhe të historisë së shqiptarëve.  Me disa ndante njëjtat mendime e ideale, me të tjerë ishte kundështar, e ndonjë prej tyre e kritikonte deri në mohim. Syrja bej Vlora  nuk ishte një personazh i zakonshëm.

Pinjolli i familjes së njohur të Vlorajve, që i kishte dhënë Perandorisë Osmane, pashallarë e vezirë, i biri i Mustafa Pashë Vlorës dhe vëllai i Vezirit të Madh, Ferit Pashë Vlorës (1903-1908), kushëri i Ismail Qemalit, por njëherësh rival i tij politik, babai i Eqrem Bej Vlorës, kujtimet e të cilit u botuan me bujë disa vite më parë, kunat i Esat Pashë Toptanit, të cilit i kishte marrë motrën për grua, drejtor i përgjithshëm i doganave osmane, deputet në Parlamentin Osman pas vitit 1908, ambasador i Shqipërisë në Vjenë më 1914, njeri i arsimuar mirë për kohën, personi në shtëpinë e të cilit, në lagjen Taksim në Stamboll, në janarin e vitit 1912 u bë mbledhja e njohur (morën pjesë Ismail Qemali, Hasan Bej Prishtina, Myfit Bej Libohova, Esat Pashë Toptani etj....) dhe u mor vendimi për të shpërthyer në Shqipëri një kryengritje e përgjithshme antiosmane, i preferuari i Vjenës në vjeshtën e vitit 1912 për të organizuar e drejtuar procesin e pavarësimit të Shqipërisë, pronar i madh, një nga personat që do të fusnin elementë të drejtimit kapitalist në pronat e tij agrare në vitet 20-30 etj. etj.

Pikërisht ky person me emër në elitën politike e atë ekonomike të kohës, dinte shumë, kishte njohur shumë, kishte qenë i pranishëm në shumë ngjarje… Ndaj kujtimet e tij kanë një vlerë të veçantë.

Shkruar në  osmanisht në vitet ’20, me gjasë në 1921-1925 në Romë dhe në Vlorë ku jetoi në ato vite, përkthyer në gjysmën e dytë të viteve’40, përkthim i gjetur në arkivin e Institutit të Historisë me inicialet A.A (mbase Ali Asllani), me një redaktim shkencor dhe i përgatitur për botim nga Akad. asoc.

Marenglen Verli dhe dr. Ledia Dushku, këto kujtime të vyera vijnë më në fund në dorën e lexuesve shqiptarë. Siç mësohet nga botuesi, libri i shumëpritur me kujtimet e Syrja bej Vlorës me titullin “Historia e Shqipërisë nga invadimi osman më 1400 deri në Luftën e Vlorës dhe çlirimin e saj nga okupacioni italian më 1920” del nesër në qarkullim.

Dy pjesë mjaft ngacmuese  kemi përzgjedhur këtë herë për lexuesit tanë, mbi ngjarjet që i paraprtinë shpalljes së Pavarësisë dhe pas saj si dhe një portretizim të rrallë që i bëhet plakut të Vlorës nga Syrja bej Vlora, kundërshtari më i fortë politik i tij.
 
Syrja Vlora
 
Beratit iu dha urdhër nga Janina për të kapur dhe arrestuar Ismail Qemalin, i cili udhëtonte nga Durrësi në Kavajë e mandej për në Vlorë. Për të zbatuar urdhrin ishte dërguar një kompani ushtarake, por Ismail Qemali pa ndeshur në ta dhe pa pësuar gjë, ishte futur në Vlorë me gjithë shokët që e shoqëronin.

Aty gjeti gati gjithë parinë të ardhur nga çdo vend, të cilën unë e kisha ftuar për të ardhur, pa marrë parasysh mijëra ushtarë osmanë që ndodheshin në Fier e në Berat. Më 28 nëntor, me dëshirën dhe pëlqimin e të gjithëve, u vendos të ngrihej flamuri i Shqipërisë dhe të shpallet Pavarësia Kombëtare.

Pasi atë ditë nuk kishte mundësi të përgatitej flamuri, u mor nga shtëpia jonë një flamur, që djali im Eqremi (96) që nga viti 1908 e ruante me plot nderime. Ai u ngrit në mes të manifestimeve e brohoritjeve gazmore të popullit dhe atë çast u formua një qeveri si më poshtë:
Kryetar i qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme - Ismail Qemal Beu;
Nënkryetar i qeverisë - Imzot Dom [Nikollë] Kaçorri nga Durrësi;
Ministër i Brendshëm - Myfit Beu nga Libohova;
Ministër i Post-Telegrafëve - Lef Nosi nga Elbasani;
Ministër i Financave - Abdi Bej Toptani nga Tirana;
Ministër i Drejtësisë - zoti Petro Poga nga Gjirokastra;
Ministër i Arsimit - zoti Luigj Gurakuqi nga Shkodra;
Ministër i Bujqësisë - zoti Pandeli Cale nga Korça;
Ministër i Botores – Mit’hat Beu nga Frashëri;
Ministër i Luftës - Mehmet Pashë Deralla nga Kallkandeleni.

Gjithashtu u formua një senat me atributet e një Këshilli Shteti prej 18 vetësh dhe kryetar u zgjodh myftiu i Dibrës, Vehbi Efendiu, kurse nënkryetar Eqrem Bej Vlora.

Por, njëzet ditë para se të vinte [në Vlorë] Ismail Beu, nën komandën e [Spiro] Spiromilos, në Himarë kishin dalë dy batalione hajdutësh, të cilët quheshin xhandarë gjiritas (kretas), të cilët populli i kishte pritur mirë. Me përhapjen e këtij lajmi populli i Vlorës u shqetësua.

Situata ishte shumë e trazuar, Paria u mblodh në zyrën qeveritare të vendit. Për të ndaluar zgjerimin dhe shkeljen e vendeve të tjera nga hajdutët, Eqremi u ngarkua që të nisej me fuqinë, të cilën ai vetë do të mund të mblidhte. Eqremi shkoi në Velçë dhe në Smokthinë ku qëndroi dy ditë në çdo vend dhe mblodhi me qindra njerëz.

Ditën që arriti në Kuç i erdhën 200 vetë nga populli i Kurveleshit, si edhe rreth 200 xhandarë, të cilët u dërguan nga Gjirokastra nën komandën e një majori. Fuqia e armikut, e cila u forcua duke u bashkuar me elementin e krishterë të vendit, shkaktonte shqetësim.

Megjithatë, përballë guximit dhe trimërisë që treguan ushtarët e mbledhur, ajo nuk mundi të bënte çap jashtë kufirit të Himarës. U bënë disa përpjekje dhe të dy palët ruajtën pozitat që kishin zënë (97). Në këtë kohë, Eqremit i vjen një letër nga Ismail Qemal Beu.

Në këtë letër, e cila botohet tekstualisht më poshtë (98), deklarohej se qeveria provizore e formuar në Vlorë, duke pritur vendimin e Konferencës [së Ambasadorëve] që ishte mbledhur në Londër, ruhej nga të hyrit në armiqësi me shtetet e Ballkanit, prandaj ushtarët dhe vullnetarët duhej të qëndronin në pozitë mbrojtëse.

Mirëpo, siç u shpreh edhe vetë Ismail Qemal Beu, ishte shumë e vështirë që të mbaheshin në një pozitë mbrojtëse më tepër se 1.000 vullnetarë. Aq më tepër që këta, duke keqkuptuar rekomandimet e katër vetëve, të cilët erdhën në qendrën ushtarake si të dërguar dhe të ngarkuar nga Vlora për të këshilluar Eqremin që verbalisht të vepronte me ngadalësi, u shpërndanë.

Pra fuqia e mbledhur u shpërnda dhe mbeti vetëm një fuqi sa të mund të mbronte disa vende të ashpra. Ishulli i Sazanit, që ndodhet në hyrje të limanit të Vlorës, ishte okupuar prej grekëve që në fillim të luftës dhe rreth e përqark tij vinin vërdallë anijet greke.

Kësisoj të krishterët, të cilët kishin lidhur shpresën te helenizmi, ndizeshin çdo ditë e më shumë. Këto anije disa herë hynë në limanin e Vlorës dhe qëlluan me top zyrat që ndodheshin në skelë, si edhe qytetin. Sado që këto të shtëna nuk bënë ndonjë dëm, ato shkaktuan turbullimin e popullsisë.

Një ditë kur këto anije hynë në liman për të përsëritur mësymjen, Ismail Beu dërgoi me flamur të bardhë në dorë, pranë komandantit të anijeve, ministrin Gurakuqi dhe nga paria Sami Bej Vrionin. Me anën e tyre, ai i njoftoi komandantit se Vlora është kryeqyteti i Mbretërisë Shqiptare, që shpalli pavarësinë e saj dhe nuk ndodhet në luftë me Mbretëritë Ballkanike.

Flamurin që ngriti, duke e ringjallur pas pesëqind vjet robërie, në vend që ta përshëndetnin, ishte për t'u çuditur e keqardhur, që e qëllonin me top. Komandanti i anijeve, i priti mirë zotin Gurakuqi dhe Sami Beun. I deklaroi se çka ata i thanë, do t’ia njoftonte qeverisë së tij dhe do të vepronte sipas urdhrave të reja që do të merrte.

Anijet në fjalë, nuk erdhën më të përsëritnin mësymjen dhe nga kjo kuptohej se qeveria greke do t'u kishte dhënë urdhër të mos qëllonin më në Vlorë. Ndoshta ajo u druajt edhe nga Italia dhe kështu e ndryshoi sjelljen e saj.

Ushtarët shqiptarë që ndodheshin në vende të fortifikuara në Janinë, arratiseshin aq shumë sa ishte për të ardhur keq. Qeveria [e Vlorës] nën shtytjen morale të njerëzve me mend dhe patriotë, nga drejtimi i Përmetit e Gjirokastrës nisi për në Janinë ministrin Mit’hat Bej Frashërin, me detyrë që të këshillonte ushtarët.

Por ai nuk pati sukses t'i bindte, as ata që ishin arratisur që të ktheheshin, as ata që kishin mbetur, të mbanin vendet ku ishin. Qeveria provizore për shpëtimin e Janinës, jo vetëm që nuk e dha ndihmën e saj të plotë, por siç dihej edhe, vetë Ismail Qemali, për këtë çështje nuk u përpoq dhe nuk insistoi.

Një pjesë e të arratisurve, për shembull ata që ishin nga Çamëria, u ngjitën pas familjeve të tyre, që ishin sulmuar nga banditë grekë e rumë. Pjesa tjetër e kishin humbur shpresën se lufta do të fitohej dhe kishte lidhur shpresën me Shqipërinë e re, të sotmen dhe të ardhmen e së cilës populli e shihte të sigurt.

Veç kësaj, ishin shumë të varur nga sihariqet që vinin nga Vlora. Sipas mendimit të ushtrisë [osmane] dhe të parisë, këto arratisje medoemos u shkaktuan nga nxitjet e Vlorës.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan