Për dikë që ka dalë “defteri”, populli e përdor fjalën “laik”, ndonjëherë edhe vend e pavend, pse kjo fjalë e ka domethënien për njerëzit ateistë, që nuk besojnë në fe ose në kler.
Prandaj kjo fjalë në nocionin e dialogut të përditshëm e ka fjalën për një njeri ose një popull që i ka larë duart si “Pon Pilati” me sapun.

Në rastin ton, “laik” e ka kuptimin e plotë, sepse vërtet si popull jemi shpërlarë nga truri, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e në Maqedoni, ku do që jetojmë si shqiptarë.

Dikur të gjithë jemi krenuar me bagazhin kombëtar, me krenarinë shqiptare, me besën, me familjen, me traditën, jemi ndjerë krenarë me lashtësinë si komb dhe humanitetin si popull. Ndërsa, sot në masë të madhe ndjehemi të turpëruar me atë çka po ndodh me neve si popull dhe si komb.

Pa hyrë në histori, duke ia bërë një rezyme vetëm muajit të fundit, e shohim se shqiptarët kanë dalë “defteri”.
Natyrisht, njeriu që ka etiketuar në masë të madhe imazhin e shqiptarëve është xhelati i Kaçanikut, Lavdrim Muhaxheri, i cili ia preu kokën një njeriu, pa gjyq e pa ligj, ndërsa arsyetimi i tij tejkaloi çdo marrëzi, duke krahasuar veten me luftëtarët e ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pra, kasapi i Kaçanikut dy herë e njollosi imazhin e shqiptarëve, e para duke therë njeriun si bagëti, dhe e dyta duke u dhënë material mediave serbe që Ushtrinë Çlirimtare ta krahasojë me luftëtarët e pafe (laikët) që luftojnë në emër të fesë.
Pra ky është paradoksi i parë i shqiptarit me emrin Lavdrim, që e etiketoi kombin shqiptar dhe fenë e shqiptarit - shqiptarinë.

Por, para se të mbërrijmë te Ganiu i Llaushës, lajm në vete përbën vrasja e dyfishtë në rajonin e Gjakovës, ku nga një pusi u vra mixha dhe nipi 15 vjeç. Kjo nuk ka ndodhur te shqiptarët, as me fe e as me kanun, që të vriten djemtë e rinj, fëmijët të cilët akoma nuk kanë arritur ta kuptojnë tamam jetën dhe nocionin e të jetuarit.
Por, jo vetëm në Gjakovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoni.

Në rajonin e Beratit, imagjinojeni, mediet raportojnë se një burrë e detyron dhunshëm gruan e tij, pas disa vjet martese, të pijë helm (acid vdekjeprurës).
Ndërsa, rasti tjetër për të cilin raportuan të gjitha mediet e huaja, ishte vrasja e pesëfishtë në rajonin e Fierit.

Këtu nuk bëhet fjalë për vrasje banditësh, për kartele droge, ose diçka të ngjashme që ndodhin shpesh në Meksikë e vendet tjera, por vëllai 73-vjeçar me armë gjuetie (çifte) vret dy vëllezër, kunatën, mbesën 17 vjeçare dhe në fund e vret veten.

Raste të tilla të vrasjeve në familje (jo si kjo në Fier), ndodhin shpesh në Shqipëri, sikurse ka raste edhe në Maqedoni e Kosovë.
Kurse e fundit që duhet përmendur është vrasja në Skënderaj, ku Gani Geci, pas një varg zënkash me gazetarë, politikanë, deputetë, etj., vrau Ruzhdi Shaqirin e Baksit.
Jo vetëm kaq.
Njeriu i cili për gjithë vitet e pasluftës shtirej si burrë që nuk i ikën ligjit, pas vrasjes iku kaçak, duke e kthyer në mode “kaçakizmin”.
Kaçak kanë dalë shqiptarët atëherë kur i kanë qëndruar karshi pushtuesit, Serbisë, Turqisë, jo shtetit tonë, për të cilin, (edhe pse nuk e kemi) synimin e kemi për ta bërë ligjor.

Këto janë vetëm pak raste, krahasuar me dhjetëra të tillë që ndodhin përditë te shqiptarët, duke na bërë si popull me tru të shpëlarë.

Kjo është vetëm një tablo e kronikës së zezë që e përbën mozaikun bardhezi të kombit shqiptar, ndërsa copëzat tjera që lidhen me politikën, institucionet, diplomacinë, janë edhe më keq – “llugë”. Pas gjithë këtyre ngjarje, vlerësohet lehtë, nëse kemi dalë apo jo jashtë “defterit”.