Vitin që shkoi, ndërsa rebelët zaptuan qytetet kryesore në Mali-n e Veriut, "UN Women" verifikoi një rritje të papritur dhe dramatike të përdhunimeve në javët e para të pushtimit të qyteteve të Gao-s dhe Kidal-it, vende ku shumica e grave nuk e raportojnë kurrë këtë lloj dhune tek askush, madje as edhe tek punonjësit e shëndetësisë.

Kemi dëgjuar histori vajzash vetëm dymbëdhjetë vjeçare të cilat janë marrë nga shtëpitë e tyre dhe janë dërguar në kampet ushtarake, janë përdhunuar në grup për ditë me radhë dhe më pas janë braktisur; të sallave të kirurgjisë dhe të lindjeve të zaptuara nga burra të armatosur duke detyruar kode të caktuara veshjeje dhe duke zaptuar ambientet e godinave që ofrojnë kujdes shëndetësor; të grave të reja që janë ndëshkuar, rrahur, dhe torturuar për shtatzëni jashtë martese.

Këtë javë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dëgjuar masakra të tilla dhe nga pjesë të tjera të globit, dhe miratoi rezolutën e tij të katërt brenda pesë vjetësh që i përkushtohet ekskluzivisht çështjes së dhunës seksuale në konfliktet e armatosura.

Një krim, i cili deri kohët e fundit ka qenë i padukshëm, i neglizhuar, ose i lënë pas dore si pasojë e pashmangshme e luftës, që tani trajtohet në mënyrë të rregullt nga organizëmi ndërkombëtar përgjegjës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Dhe kjo nuk është politika e vetme e realizuar sërish gjatë muajve të fundit për ta kthyer dhunën kundër grave nga pandemi në diçka të papranueshme.

Në mars, Komisioni mbi Statusin e Grave, organi kryesor botëror i politikëbërjes i përkushtuar për të avancuar të drejtat e grave, arriti një marrëveshje historike mbi dhunën kundër grave. Kjo deklaratë largpamëse i angazhon shtetet anëtare për veprime që kurrë më parë nuk janë artikuluar në mënyrë kaq të qartë në dokumente ndërkombëtare, duke përfshirë situatat në zona konflikti dhe post-konflikti.

Në prill, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një Traktat të ri për Tregtinë e Armëve, i cili u kërkon shteteve palë eksportuese të shqyrtojnë rrezikun e armëve të përdorura “për kryerjen ose lehtësimin e akteve të rënda të dhunës me bazë gjinore ose dhunës kundër grave”. Në të njëjtin muaj, Përfaqësuesja e Posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm mbi Dhunën Seksuale në Konflikte përmendi dhe i deklaroi përgjegjës autorët e këtyre krimeve në raportin e saj vjetor për Këshillin e Sigurimit. Për më tepër, tetë kombet më të pasura të botës arritën një marrëveshje historike për të punuar së bashku për t’i dhënë fund dhunës seksuale në situata konflikti. Nën presidencën e Mbretërisë së Bashkuar, G8-ta ra dakord mbi gjashtë hapa kryesore për të adresuar pandëshkueshmërinë dhe premtuan mbi 35 milionë dollarë amerikanë për financime të reja.

Ky shembull i zhvillimeve të politikave shkon paralelisht me kërkesat në rritje për avancimin e fuqizimit të grave dhe barazinë gjinore dhe për t’i thënë jo dhunës kundër grave. Ky vit filloi me protesta masive në çdo qytet kryesor në Indi kundër një përdhunimi brutal në grup në Delhi, më vonë i përsëritur në revolta publike kundër sulmeve seksuale në Brazil, në Afrikën e Jugut dhe në vende të tjera. Nivele të tilla të mobilizimit botëror popullor në reagim të incidenteve individuale të dhunës kundër grave nuk janë parë më parë.

Ajo çfarë të bën më shumë përshtypje është se, e gjithë kjo po ndodh në një kohë kur fondamentalizmi në rritje, ashpërsimi i masave financiare në përhapje të gjerë dhe militarizmi i vazhdueshëm kërcënojnë të tjetërsojnë të drejtat e grave dhe të lënë mënjanë kërkesat e tyre për barazi gjinore. Sot, aktivistët e të drejtave të grave duhet të rrezikojnë jetët e tyre për të denoncuar përdhunimet në Mali, refugjatët që po largohen nga Siria po përjetojnë martesa të detyruara dhe të hershme në komunitetet e refugjatëve në vendet fqinje, dhe sulme revoltuese po kryhen kundër vajzave të cilat thjesht duan të shkollohen në Afganistan ose në Pakistan.

Faktet rreth asaj që Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka quajtur kohët e fundit “një problem botëror shëndeti me përmasa epidemike” mbetet kryesisht i pandryshuar. Më shumë se një e treta e të gjitha grave dhe vajzave, në vende të pasura ose të varfra, përjetojnë dhunë gjatë jetës së tyre, dhe pjesa më e madhe e tyre dhunohen nga partnerët e tyre.

Rezoluta e fundit e Këshillit të Sigurimit dhe arritjet e politikave të tjera të kohëve të fundit janë shenja përparimi. Tani fjalët e tyre frymëzuese duhet të kthehen në veprime duke investuar në fuqizimin dhe lidershipin e grave si strategjia më efektive e parandalimit për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave. Nuk është rastësi që pjesa më e madhe e përparimeve të fundit në jurisprudencën ndërkombëtare për krimet e luftës kundër grave kanë ardhur nga vendosja e grave në krye të gjykatave ndërkombëtare, ose të prokurorive kryesore ndërkombëtare. Por, ligjet dhe masat e politikave nuk janë të mjaftueshme për të ndihmuar një grua të kërcënuar t’i shpëtojë një situate abuzimi dhe të fillojë një jetë të re - vetëm një barazi më e madhe ndërmjet sekseve do të kthejë baticën për parandalimin dhe dhënien fund të dhunës kundër grave dhe vajzave.

Këto hapa pozitive duhet të ndërtohen nëpërmjet masave vendimtare nga qeveritë kombëtare. Ato duhet të sigurohen që në radhë të parë dhuna ndaj grave dhe vajzave të mos ndodhë dhe që të jepet një përgjigje e shpejtë dhe e përshtatshme kur ajo ndodh, duke përfshirë dhe aksesin efektiv në sistemin gjyqësor. Kjo kërkon bashkëpunim të fortë ndërkombëtar midis subjekteve shumëkombëshe dhe rajonale, duke përfshirë UN Women, për të fuqizuar gratë dhe vajzat dhe për t’i dhënë fund masakrave. Po ashtu, kërkohen përpjekje të fuqishme nga organizatat e shoqërisë civile dhe nga lëvizja botërore e grave për t’u kujtuar si qeverive kombëtare dhe organizatave ndërkombëtare se fjalët nuk mjaftojnë, se pak veprime nuk mjaftojnë po ashtu, dhe se ne duhet të synojmë lart dhe të vazhdojmë të ecim përpara.

Lakshmi Puri, Drejtoreshë e ngarkuar në detyrë për "UN Women" dhe Ndihmës Sekretare e Përgjithshme e OKB-së