TIRANE- Publikohet lista e re e 107 ish të përndjekurve politikë të cilët do të marrin pagesat. Ministria e Mirëqenës Sociale bën të ditur se do të jenë sërish 107 persona të tjerë, të cilët do të trajtohen me pagesë dhe përfituesit janë ata ish të përndjekur të cilët janë gjallë dhe nuk kanë marrë asnjë këst përgjatë këtyre viteve.

Duket se ky institucion brenda verës do të përfundojë shpërndarjen e këstit të parë për të gjithë ata persona të cilët nuk kanë përfituar asnjë pagesë. Ky fakt është bërë i ditur nga vetë ministri Erion Veliaj. “Situata është shumë transparente. Ne kemi një fond prej 18 milion dollarësh. Unë personalisht jam çdo javë kur ne shpërndajmë këstet. Ne duhet të ndryshojmë ligjin dhe t’i japim prioritet atyre që janë ende gjallë, sesa nipërve apo mbesave, që kanë të drejtë të përfitojnë, por mund të presin teksa ata që e kanë përjetuar vuajtjen mbi kurriz duhet t’i marrin ato.

Në 8 vjet duhet të ishin dhënë 8 këste, por janë dhënë vetëm 2 këste dhe këto vetëm për një pjesë dhe 2 mijë të tjerë nuk kanë marrë asnjë këst. Ne në 5 muaj, rekord, për 1 mijë veta, që nuk kishin marrë asnjë këst, i kemi shpërndarë dhe 1 mijë të tjerët do t’i përfundojmë brenda verës” ka theksuar Veliaj gjatë një deklarate me media. Nga ana tjetër, pak ditë më parë Ministria e Mirëqenies Sociale ka ngritur një grup pune i cili ka propozuar disa ndryshime ligjore. Ish-të përndjekurit politikë femra dhe ata që vuajnë nga sëmundje të rënda do të jenë të parët që do marrin lekët e dëmshpërblimit.

Aktualisht 2754 ish të dënuar politikë janë gjallë dhe për të likuiduar tetë këstet që u takojnë, duhen në total 8.5 miliardë lekë. Grupi i punës i ngritur në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, do të nisë shumë shpejt shqyrtimin edhe të mbi 2000 dosjeve të ish të përndjekurve politikë, që kanë ngelur jashtë kësaj skeme për shkak të mangësive në dokumentacion.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)