Të vjedhësh aleatin !

Të vjedhësh aleatin !
Tashmë votimet kanë mbaruar dhe dihen rezultatet. Njihen fituesit dhe humbësi i madh që është PD. Por njerëzit nuk dijnë saktësisht se çka ndodhur me partitë e vogla. Edhe mund të kenë të drejtë , ndërkohë që kanë njëmijë halle të tyre e nuk iu shkon mendja për të vegjlit, nga të cilët dikush është mikluar e i kanë mbushur koshin me vota vetë PD-ja, kurse disa të tjerë janë sakatuar po nga numëruesit e PD-së.

Në të vërtetë nuk kisha ndërmend të shkruaja për këtë që po shkruaj, porse duke kontrolluar websiten e KQZ për votat e LDK në Rrogozhinë, Kavajë dhe në katër qendrat e votimit tek gjimnazi “Petro Nini Luarasi” në Tiranë ku unë banoj prej 20 vitesh, u habita nga ato çka kishin dorëzuar në KQZ këto komisionet zonale, ose siç quhet ndryshe KZAZ. E them këtë pasi nuk kisha asnjë vëzhgues në të gjitha KZAZ-të dhe votat e mia i ruante PD dhe i hanin nja dy parti të vogla aleate, natyrisht bashkë me PD.

Pra në KQZ në gjithë Rrogozhinën kisha marrë një votë, ndërkohë që kisha 25 veta në shtabin e fushatës së këtij qyteti! Në krejt Kavajën dhe rrethinat e saj pas dy javë takimesh përditë me banorët kavajas më kishin lënë vetëm dy vota! I përmenda këto dy zona, pasi kam punuar shumë dhe kisha me të vërtetë shumë e shumë vota.

Në qendrën e votimit tek gjimnazi “Petro Nini” në Tiranë ku votuam unë, bashkëshortja, djali i madh, vjehrri e vjehrra me dalin tre vota! Ndërkohë që vetëm nga pallati ku banoj kisha të garantuara pa asnjë dyshim 19 vota, përveç të familjes time. Bile banorët e pallatit të cilët më dhanë votën më thanë që të deklarojmë me noteri votën dhe kërko hapjen e kutive.

Dhe shto këtu shumë vota në lagje, të cilat pa asnjë hezitim ishin diku tek 60 vota. E them këtë fakt se i njoh mirë çdo familje të pallateve komshinj. Kur më thanë rezultatin tek gjimnazi “Petro Nini” në fillim u nxeha , por më pas e mora si me shaka, bile takova disa kolegë të vjetër të medias dhe kur ua tregova këtë historinë me votat tek qendra e votimit në lagjen time qeshën me të madhe, pasi u dukej histori e bukur, aq sa njeri më tha “ore mos nuk të ka votuar vjehrri”.

Me këtë humor, pasi nuk kisha ç’të bëja tjetër, shkova tek vjehrri. I thashë, natyrisht duke qeshur se “nuk më del vota jote, vjehërr”. Ai e mori seriozisht dhe u xhindos, pasi për mua kishte votuar, porse nuk mund të mos ia tregoja këtë histori. E kështu jam i bindur se ka ndodhur në shumë e shumë qendra votimi në Bashkinë e Vorës, Kamzës, komunën Kashar e në krejt kryeqytetin ku unë kandidoja për deputet.

E për të qenë edhe më të saktë me lexuesin, pasi për vete tashmë ,siç thashë më sipër, e marr me humor se nuk kam ç’të bëj! Unë kisha marrëveshje me PD si parti kryesore e koalicionit dhe në marrëveshje thuhet se PD garanton ruajtjen e votës së partive aleate,etj etj. Sipas Kodit Zgjedhor numëruesit e votave të shqiptarëve janë PS e LSI me nga një komisioner dhe PD me dy veta.

Para ditës së votimeve kërkova nga PD autorizime për vëzhguesit e mij, të cilët të shikonin procesin e numërimit të votave. Zoti Njazi Kosovrasti i PD dhe disa drejtues të tjerë demokratë më garantuan për autorizimet. Natën e datës 23 qershor kur kutitë po shkonin drejt qëndrave të numërimit të votave insistova me forcë për autorizimet. Asgjë! Përdora telefona e sms, prapë asgjë . Ndërkohë kutitë kishin filluar të hapeshin.

Vetëm PR e PDIU e ndonjë parti me “mik” kishte autorizime për vëzhgues nga selia blu. Nuk kisha ç’të bëja as unë, por as disa kolegë të partive të tjera. Kishim varur me dorën tonë mëlçitë në qafën e ujkut! Por kishte edhe çakenj vëzhgues nga koalicioni, të cilët masakronin bashkë me numëruesit demokratë, votat e mija, por edhe të kandidatit të PDK-së zotit Frrok Gjini dhe të kandidatit të Legalistëve.

Tek votat e mia po bënin masakër, pa hesap. PS dhe LSI gjatë numërimit merreshin me votat e tyre dhe partive të koalicionit të majtë, ndërsa unë dhe disa parti të tjera kishim caktuar PD të na i ruante, e jo se donim, porse Kodi Zgjedhor vetëm atë lejonte.

Edhe po të shikosh, gjë që është transmetuar në TV, tavolinat e numërimit të votave ishin kaq të vogla sa nuk kishte vend përvec fletëve pro PS, LSI e PD e kësisoj hamëndësoj, ndonëse faktet këtë thonë, se aleati im PD i ka mbivendosur votat e mija, porse edhe të disave, tek fletët e saj, ose të ndonjë partie tjetër mike historike.

Dhe i ka numëruar më pas si të PD apo të ndonjë partie, e cila mori mandat deputeti. Kështu ka ndodhur pasi nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, përderisa me garanci absolute pohoj nga një deputet i është vjedhur në Tiranë Partisë së Legalistëve, PDK së Nard Ndokës dhe mua përsonalisht.

Edhe të bertasësh tashmë nuk të besojnë, ndaj edhe unë e tregoj sa për t’u çliruar nga dilema nëse duhej shkruar, apo jo kjo që na ka ndodhur. Ja e thashë, por votat janë aty në kuti dhe mandati im, i zotit Frrok Gjini dhe i kandidatit legalist është tjetërsuar në parti të tjera.

Tani gjithcka ka mbaruar dhe e kotë të bërtasësh, pasi shumëkush mund të thotë “po ti ç’pate që shkove tek ujku?!”. E drejtë , porse po kujtoj atë shprehjen e urtë popullore, e cila thotë se “me rrejsh (gënjesh) herën e parë, të vraftë Zoti , por në me rrejsh (gënjesh) për së dyti, të ruajtë Zoti!”. Kjo ishte herë e parë për mua në Tiranë. Herë të dytë nuk do të ketë në këtë mënyrë, ndryshe “të ruajtë Zoti!”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 29.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit