Deputetja e opozitës Jorida Tabaku në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, ka kërkuar nga mazhoranca respektim të rregullores së Kuvendit dhe lejimin e debatit për çdo ligj apo akt normativ që vjen në parlament për tu miratuar.

Tabaku vuri theksin dhe të procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, teksa thotë se procesi është deformuar dhe se nuk mund të trajtohet si i njëanshëm ku opozitës i kërkohet vetëm të votojë për ligje të gatshme.

Deputetja demokrate kritikoi gjithashtu mosrespektimin sistematik të të drejtave të opozitës, duke theksuar se edhe në raportimet zyrtare të mazhorancës për integrimin europian parashikohen seanca dëgjimore, komisione hetimore, interpelanca dhe pyetje parlamentare, por këto mbeten vetëm në letër.

 “Këto nuk janë fjalë politike, janë të drejta kushtetuese të opozitës. Është viti i katërt radhazi që përfshihen në kalendar dhe nuk zbatohen”, deklaroi ajo, duke e cilësuar të patolerueshme kufizimin e hapësirës së opozitës dhe paralizimin e mbikëqyrjes parlamentare.

Tabaku u ndal edhe te raporti i Kuvendit me drejtësinë, duke e cilësuar mbylljen e sesionit të kaluar si një shembull shumë të keq institucional. Ajo përmendi rastet kur mazhoranca, sipas saj, është bërë mburojë politike për të penguar zbatimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë, përfshirë vendime të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Tabakut, fakti që sesioni i kaluar u mbyll pa u diskutuar mandati i zëvendëskryeministrit tregon qartë mënyrën se si shumica socialiste po e trajton drejtësinë. Ajo kërkoi që sesioni i ri parlamentar të nisë me rikthimin e rregullit përmes mbledhjes së Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet. Sipas saj, kërkesa e opozitës për kohë të ndërmjetme, analizë dhe debat për ligjet e integrimit nuk është pengesë, por kusht për cilësi.

“Nxitimi i shumicës për të votuar çdo ligj të qeverisë ‘shkel e shko’ ka kosto për buxhetin dhe për qytetarët shqiptarë”, u shpreh ajo.


Lajmi kryesor:

Sot sesioni i ri parlamentar, priten debate për Ballukun! Balla-PD: Kthehuni tek ‘Zgjedhorja’ dhe ‘Territorialja’, ose do të vijojmë punën vetëm