Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, akuzoi mazhorancën se po nis sesionin e ri parlamentar pa përcaktuar ligjet prioritare që lidhen me procesin e integrimit europian. Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Tabaku kërkoi që lista e ligjeve të integrimit të ndahet me opozitën, ndërsa i bëri thirrje PS-së të heqë dorë nga miratimi i njëanshëm i reformave territoriale dhe zgjedhore.

“Po nisni një sesion ku nuk përcaktohen ligjet për integrimin. A ju duket sikur jeni një kuvend që po punon për integrimin? Po jua them këtu një kërkesë të bërë para një viti: ndajeni me opozitën listën e ligjeve të integrimit. Integrimi do të duhet të jetë një proces transparent. Nuk mund ta trajtoni Kuvendin si pronë. Pastaj na thoni neve se nuk punojmë për integrimin? Ju nuk jeni serioz dhe këtë proces po e trajtoni si të tillë.

Kam edhe një thirrje tjetër: hiqni dorë nga kalimi i nismave të rëndësishme në mënyrë të njëanshme. Nuk mund të ketë reformë territoriale të njëanshme, nuk mund të ketë reformë zgjedhore të njëanshme ndryshe ky kuvend nuk mund të quhet kuvend i shqiptarëve”, tha Tabaku.


Lajmi kryesor:

PS e PD përplasen për pagat e drejtësisë/ Bardhi: Gjykatat në kolaps, zbatoni vendimin e Kushtetueses! Balla: I cakton Kuvendi, më 17 shtator votojmë për formulën e re