Opozita ka reaguar pas përplasjeve në protestën e djeshme para Kryeministrisë, e cila përfundoi me arrestimin e 14 protestuesve. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzon Policinë se ka shtruar dhunë ndaj protestuesve dhe kërkon lirimin e tyre

“95 ditë protestë. 95 ditë rezistencë. Dhe përgjigjja e qeverisë? Dhunë dhe polici! Kur një pushtet nuk ka më argumente, përdor forcën. Kur nuk dëgjon më qytetarët, përpiqet t’i trembë. Por qytetarët nuk tremben. Një protestë nuk tërhiqet zvarrë. Një e drejtë nuk arrestohet. Një popull nuk heshtet me dhunë.

Ky nuk është pushteti i forcës. Është pushteti që ka frikë nga qytetarët. Dhe frika e një qeverie është zëri i një populli që nuk dorëzohet.  Dënoj me forcë keqpërdorimin e Policisë së shtetit, dhunën ndaj protestuesve dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të 14 protestuesve të arrestuar padrejtësisht”, shkruan Bardhi.

Ndërkohë, deputetja demokrate Jorida Tabaku vizitoi protestuesit që po mbahen te Blloku i Sigurisë

Pas takimit me ta, Tabaku kritikoi sistemin që “mban në burg qytetarin e pambrojtur dhe liron të korruptuarit” dhe bëri thirrje që qytetarët t'i bashkohen protestës. 

"Ditën e djeshme, pa asnjë arsye, ata u shoqëruan dhe do të qëndrojnë në qeli për 72 orë, pa ndonjë arsye reale apo parim moral. Nga ana tjetër, shohim qeveritarë që dalin nga burgu, edhe pse i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, ndërsa qytetarët arrestohen vetëm sepse protestojnë. Kjo është arsyeja përse të gjithë duhet të bashkohemi kundër këtij sistemi, i cili mban në burg qytetarin e pambrojtur dhe liron të korruptuarit. Përballë këtij sistemi autokratik, nuk ka asnjë arsye për të mos iu bashkuar protestuesve, të cilët nuk kanë asnjë forcë tjetër përpos fjalës së tyre" tha Tabaku. 

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
2.0 / 5 (1 vlerësim)
  • Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56

    Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?