Lidhur me makinën e përdorur në kryerjen e veprës penale, e konkretisht të autoveturës tip “BMW” me ngjyrë gri, me targa DR 1944 F, ajo rezultoi e vjedhur në qytetin e Durrësit, më datë 23.02.2013 rreth orës 19:50 minuta, pra një natë para ngjarjes. Kjo makinë ishte në pronësi të dëshmitarit Fatmir Lila, i cili së bashku me dëshmitarin Bledar Sora u pyeten dëshmitarë në këtë gjykim.

Për vjedhjen e kësaj makine janë arrestuar dhe marrë të pandehur shtetasit Enver Stafuka dhe Gentjan Bejtja nga Fushë- Kruja. Aktet në ngarkim të këtyre shtetasve kanë kaluar për kompetencë lëndore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Kopje të këtyre akteve dhe provave të administruara nga hetimet tona i janë bashkëlidhur fashikullit për gjykim të kësaj çështje.

Hetimi i kryer ndaj tyre provoi se shtetasit Enver Stafuka dhe Gentjan Bejtja kishin më datë 23.02.2013, në përdorim të tyre numrat celularë 06868xxxxx Enveri dhe 06858xxxx Gentjani.

Më konkretisht, shtetasit Gentjan Bejtja së bashku me shtetasin Enver Stafuka me të cilin është komshi në fshatin Larushk të Bashkisë Fushë-Krujë, më datë 23.02.2013 rreth orës 19.30 kanë shkuar në qytetin e Durrësit me autoveturën foristradë tip « SANGION », me targa AA xxx CY, në pronësi të shtetasit Gentjan dhe të drejtuar prej tij, e kanë vazhduar të lëvizin nëpër qytet me qëllim vjedhjen e ndonjë makine. Rreth orës 19.50 në rrugën që të çon tek Komuna në lagjen Nr.8, Durrës, dëshmitari Fatmir Lila ka ndaluar autoveturën e tij tip « BMW », ngjyrë gri, me targa DR 1944 F, përballë një dyqani ëmbëlsirash dhe ka zbritur prej saj, duke e lënë makinën të ndezur. Dëshmitari Fatmir është futur në një dyqan aty afër, e në këtë kohë afër këtij vendi, kanë lëvizur shtetasit Gentjan Bejtja e Enver Stafuka me makinën e mësipërme. Sapo kanë vënë re lëvizjet e dëshmitarit Fatmir dhe faktin se makina e tij ishte vetëm dhe e ndezuar menjëherë kanë vendosur ta vjedhin atë. Për të realizuar vjedhjen shtetasi Enver Stafuka ka zbritur nga makina që drejtonte Gentjani dhe ka hipur në makinën tip « BMW », ngjyrë gri, me targa DR 1944 F dhe është nisur me shpejtësi në drejtim të autostradës Durrës-Tiranë, ndërsa shtetasi tjetër Gentjan me makinën e tij duke e ndjekur nga pas. Tek stacioni i trenit në Durrës në orën 20.00 të datës 23.02.2013 shtetasi Gentjan Bejtja ka marrë në telefon me telefonin e tij celular 06858xxxxx, bashkëpunëtorin e tij Enver Stafuka me numër telefoni celular 06868xxxxx, i cili kishte vijuar rrugën në drejtim të Shijakut ndërkohë. Kështu kominikimet e tyre me telefon kanë vijuar deri rreth orës 23.00 të datës 23.02.2013 dhe trajektorja e lëvizjes së tyre, pas vjedhjes ka qenë e njëjtë duke filluar nga Durrësi, Shijaku, Marikaj, Vora, Laknasi, Kamza e Fushë-Krujë.

Disa minuta pas vjedhjes së autoveturës, dëshmitari Fatmir Lila, i cili kishte në autoveturën e vjedhur edhe dy numrat e tij celularë 0682021xxx e 0695718xxx, të vendosur në një telefon celular, ka tentuar të komunikojë me numrin e tij tëcelularit 0682021xxx, ku pas dy zilesh dhe një mesazhi sipas dëshmisë së tij, dikush e ka mbyllur atë duke mos e hapur më. Në bazë të përgjigjes së ardhur nga kompania celulare « AMC », datë 20.03.2013 rezulton se numri celularit 0682021xxx më datë 23.02.2013 pas orës 20.00 ka loguar në antenat e kompanisë « AMC » Laknas F në orën 20.23 dhe Kamza City D në orën 20:29 duke mos pasur më logime. Antenat Laknas F dhe Kamza City D janë përshkruar në të njëjtën orë edhe nga numrat celularë 0685834xxx e 06868xxx në përdorim të shtetasve Gentjan Bejtja e Enver Stafuka, në komunikimet që kanë pasur me njëri-tjetrin, fakt i cili konfirmohet nga përgjigjet e ardhura për këta numra nga e njëjta kompani celulare.

U provua gjatë hetimit se numrat celularë të mësipërm kanë qenë në përdorim të shtetasve Gentjan Bejtja e Enver Stafuka.

Nga tabulatet e marra për numrin e celularit 06858xxx, në përdorim të shtetasit Gentjan Bejta rezulton se ai më datë 22.02.2013 në darkë ka qenë në zonën e njohur si « Misto Mame », në Tiranë. Po ashtu rezulton nga analiza e tabulateve telefonike, se shtetasi Enver Stafuka me numrin e celularit 06868xxx, ka komunikime me persona të përbashkët me të pandehurin Arben Frroku, e konkretisht ;

- Me numrin e celularit 06868xxx, Stafuka në datat 20.02.2013 dhe 24.02.2013 ka komunikime me numrin celular 06857xxx dhe ky i fundit ka komunikime po në të njëjtën datë me numrin e celularit 0696003xxx, që i përket dëshmitarit Jak Jaku dhe ky i fundit ka me të pandehurin Arben Frroku, me numrin e celularit 0692053xxx.

- Me numrine celularit 06868xxx, Stafuka , në datë 23.02.2013, pas vjedhjes së makinës në Durrës, ka komunikime me numrin e celularit 0686325xxx, ky i fundit me numrin tjetër të celularit në posedim të tij, konkretisht 0684715xxx, ka komunikuar me të pandehurin Arben Frroku më datë 24.02.2013, në orën 12:02.