“Numri i telefonatave është mbi 194.000, pra mbi 500 telefonata në ditë, gjë që tregon besimin e qytetarit ndaj shtetit. Aplikacioni i “Komisariatit Dixhital”, është shkarkuar mbi 35 mijë herë. Falë transparencës dhe punës në shërbim të qytetarëve, është rritur besimi i tyre ndaj Policisë së Shtetit”, është shprehur ministri Tahiri. Sipas ministrit të Brendshëm, policia tashmë është model i respektimit të ligjit ndërkohë që, prioritet për vitin 2016 do të jetë vendosja e kamerave trupi për të gjithë punonjësit e policisë; lufta ndaj korrupsionit brenda radhëve të Policisë së Shtetit; ligji për sigurinë publike si dhe përfundimi i programit të popullimit dhe regjistrimit të emigrantëve.
Analiza
Gjatë fjalës së tij, Tahiri ka thënë se gjatë vitit 2015 nuk është shënuar asnjë vrasje për motive gjakmarrje, ndonëse kjo çështje meriton më shumë vëmendje. Ai ka shtuar se në vitin 2015 ka patur rritje të aksidenteve e viktimave, ndërsa është ulur 8 herë kultivimi i bimëve narkotike. Po ashtu ai tha që për herë të parë niveli i vrasjeve është ulur, ashtu siç është ulur edhe numri i plagosjeve të rënda. Sa i takon personave të shpallur në kërkim, që janë kapur nga policia, Tahiri tha se janë kapur 19% më shumë persona të shpallur në kërkim. Sipas tij, gjatë vitit 2015 ka patur 1 mijë punonjës policie të proceduar, ku 243 janë proceduar penalisht e 790 kanë marrë procedim disiplinor.
“Janë evidentuar 54 vrasje, ku viti i shkuar kishte numrin më të ulët krahasuar me çdo vit të 25 viteve të fundit. 39% e vrasjeve janë kryer për motive të dobëta, 35% vrasje brenda familjes 8% vrasje nga pakujdesia, 3% për motive pronësie dhe 8% për motive të panjohura”, ka thënë ministri Tahiri në analizën që u zhvillua dje. Ai ka shtuar se gjatë vitit të shkuar është vërejtur një ulje e numrit të vrasjeve brenda familjes ndërkohë që kanë pësuar ulje me 10% edhe plagosjet e rënda, 20% plagosjet e lehta.
Pasuritë
Sa i takon konfiskimit të pasurive që janë vënë në bazë të aktiviteteve kriminale, Tahiri ka thënë se asetet e sekuestruara me iniciativë të policisë janë 39% më shumë se në vitin 2014. “Në vitin 2013 u sekuestruan 1.2 milionë euro pasuri, në 2014 u sekuestruan 19 milionë euro pasuri dhe në vitin 2015 janë 31 milionë euro pasuri”, ka thënë Tahiri. Ndërkohë, më tej ministri ka shtuar se persona në kërkim të kapur janë 19 % më shumë se 2014, ose rreth 2.400 persona të shpallur në kërkim, ndërsa ka patur 13.8 % më pak vjedhje me armë. “Janë 24.5% më shumë vepra penale për zyrtarët që kryejnë korrupsion në detyrë”, shtoi më tej ministri i Brendshëm. “Lidhur me drogën janë 620 raste më shumë të evidentuara me 319 autorë të proceduar penalisht më shumë krahasuar me vitin 2014. Në bashkëpunim me partnerët janë 12 mijë informacione të shkëmbyera ndërkohë që janë kryer 16 operacione të përbashkëta me partnerët”.
Fjala e ministrit Tahiri, mbi arritjet për vitin 2015
Redaksia online
(F.T/shqiptarja.com)