Tahiri gjithashtu theksoi se kompanitë private janë bërë gjithmonë objekt diskutimi në rastet e ngjarjeve kriminale.
“Policitë Private nuk mund të jenë foletë ku strehohen njerëz që shfrytëzohen si skllevër.
Ne do bëjmë gjithçka është e mundur që brenda një kohe shumë të shkurtër, shumë, shumë të shkurtër të detyrojmë çdo kompani, çdo polici private që të paguajë pagën sipas ligjit për çdo polic privat.
Asnjë lek më pak sesa 330 mijë lekë që është paga e parashikuar në ligj. Na ndihmoni ju, ta bëjmë realitet këtë me informacion apo denoncime atëherë kur pronari apo administratori i kompanisë nuk e respekton këtë detyrë ligjore.
Dhe ne do bëjmë maksimumin deri në heqjen e licencës për ato kompani që të respektohet ligji dhe kriteri. Të respektohet gjithçka kemi parashikuar në ligj.
Kjo do të jetë beteja jonë e përbashkët. Beteja jonë pa asnjë diskutim dhe beteja juaj dhe e çdo polici privat, e secilit prej 9000 policëve privatë në Republikën e Shqipërisë” deklaroi ministri.
Takimi me kompanitë e policive private vjen pas grabitjes së fundit të blindit që po transportonte paratë e një banke të nivelit të dytë, 4 nga autorët e së cilës u arrestuan pak ditë më parë, ndërsa 2 janë ende në kërkim.
Tahiri ka kërkuar edhe më parë që paga e punonjësve të policisë private duhet të rritet, pasi nuk mundet që të ruajë një shumë të madhe monetare një punonjës që paguhet shumë pak.
Fjala e plotë e Saimir Tahirit
Policitë Private në Republikën e Shqipërisë janë bërë objekt diskutimesh sa herë ka pasur në fakt ngjarje kriminale, të cilat kanë përfshirë në dinamikat e tyre edhe policitë private, siç ishte vjedhje e fundit e një banke.
Policia Private, diku me të drejtë diku pa të drejtë, është vënë në shënjestrën e vëmendjes së opinionit publik për disa arsye sipas meje.
E para, sepse shërbimi i një Policie Private bën një punë që jo në të gjitha rastet është e dukshme.
E dyta, sepse ka pasur një braktisje të vazhdueshme nga qeveritë e së kaluarës. Dhe të 9 mijë policët privatë në Shqipëri (që janë më shumë se policët e Shtetit) janë trajtuar si një armatë jetimësh apo të braktisur nga çdo qeveri e së kaluarës ndërsa janë lënë në fatin e tyre në kontratat e bëra me punëdhënësin.
Shpesh edhe punëdhënësit, pra pronarët e Policive Private, kanë qenë të fokusuar tek fitimi duke shfrytëzuar kapitalin e madh njerëzor – që jeni ju praktikisht.
Dhe nëse një pronar i një kompanie private të Policisë private është i interesuar të fitojë më shumë para, këtë kurrë nuk mund ta bëjë dhe kurrë nuk do ta lejojmë ta bëjë në kurrizin tuaj, pra të njerëzve që punojnë në policitë private.
Nuk ka nevojë të shohim shumë më thellë gjithçka ndodh me Policinë Private dhe me kontributin që ajo jep në sigurinë publike.
Në çdo vend të botës është kthyer në praktikë tashmë që Policia Private nuk është “një gjë tjetër”, “një gjë e ndryshme”, “një gjë e huaj” nga përpjekja e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe institucioneve në përgjithësi për ta bërë vendin më të sigurt. Përkundrazi, është problemi më i ngushtë me Policinë e Shtetit. Dhe unë besoj se ju të gjithë këtu jeni të vetëdijshëm që shumë pak keni pasur mundësi deri më sot të kontribuoni bashkë me Policinë e Shtetit në sigurinë publike. Dhe kjo ka një arsye madhore që fillon me mënyrën si trajtoheni ju.
Unë e quaj të papranueshme që në Republikën e Shqipërisë në vitin 2017 të ketë një armatë të tërë skllevërish siç janë policët privatë që paguhen 15.000L, 17.000L, 18.000L, maksimumi 20.000L apo 22.000l. Kjo është e papranueshme për Shqipërinë që duam! Është e papranueshme për çdo familje. Është e papranueshme për ju. Dhe është kjo arsyeja përse nuk keni mundur dot as ju të jeni kontributorët e vërtetë – siç ju takon – për sigurinë e vendit, pra për sigurinë publike.
Policitë Private nuk mund të jenë foletë ku strehohen njerëz që shfrytëzohen si skllevër.
Policitë Private duhet të jenë pa asnjë diskutim qendra reale të punës, me njerëz që e meritojnë ta bëjnë atë punë, që paguhen siç duhet, që respektohen dhe kanë dinjitet me punën që bëjnë, me njerëz që e kanë të ndarë punën nga pushimi, që gëzojnë të drejtën të kenë pushim, me njerëz që mund të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit për ta bërë Shqipërinë më të sigurt.
Dhe kjo kërkon pa asnjë diskutim një ndjesë tonën, pavarësisht se nuk është përgjegjësi jonë direkte.
Një ndjesë tonën për gjithçka ka kaluar në vitet e mëparshme. Një ndjesë e jona sepse qeveritë e mëparshme duhet të kishin bërë çmos të riparonin këtë situatë në Policitë Private. Dhe duhet të kishin bërë gjithçka ishte në dorën e tyre që policitë private të mos ishin një ushtri skllevërish, po të ishin njerëz me dinjitet, që punonin me dinjitet dhe që paguhen me dinjitet.
Gjithsesi kjo ka qenë në vëmendjen tonë që në ditën e parë. Dhe është kjo arsyeja pse pas një vlerësimi themelor që kemi bërë në çdo sektor, dhe veçanërisht në policinë private, bashkë me Kuvendin, me Komisionin e Sigurisë dhe Komisionin e Ekonomisë; ne kemi miratuar një ligj, ku sanksionon që çdo polic privat të paguhet 50% më shumë sesa paga minimale e miratuar në Këshillin e Ministrave, me vendim të Këshillit të Ministrave. Pra do të thotë që minimumi i pagës për secilin prej jush do të jetë 330 mijë lekë (të vjetra).
Ne do bëjmë çmos me të gjithë me të gjithë mekanizmat që ka Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Shtetit, Kuvendi, Komisioni i Sigurisë, Komisioni i Ekonomisë dhe çdo mekanizëm tjetër që ka Qeveria, çdo institucion, përfshirë këtu dhe mekanizmat e kontrollit fiskal, do bëjmë ç’është e mundur që të detyrojmë kompanitë e policisë private që t’i paguajnë aq sa i takon nga ligji, dhe asnjë lek më pak.
Ky është një detyrim i ynë madhor, por për këtë kemi nevojë për ndihmën tuaj.
Për këtë kemi nevojë për ndihmën tuaj sepse ndodh në jo pak raste kur disa prej jush e pranojnë, për shkak të hallit, për shkak të luftës së papunësisë apo varfërisë, e pranojnë këtë lloj trajtimi.
Më mirë të paguhen 200 mijë lekë sesa të mos paguhen hiç. Jo mos e pranoni këtej e tutje. Bëni këtë betejë, betejën tuaj se mund ta fitojmë të gjithë bashkë. Bëjeni këtë betejë, betejën tuaj për të na njoftuar ne për X administrator të kompanisë private, apo për X pronar të policisë private që nuk jep rrogat apo mashtron me pagat e policisë private. Bëjeni këtë betejë për betejën tuaj dhe bindni të 9 mijë policët privatë në Republikën e Shqipërisë. Bindini dhe ne na keni në krahun tuaj.
Unë i pari, Erjoni si kryetar i Komisionit të Ekonomisë, të gjithë deputetët e Komisionit të Sigurisë, secili prej drejtuesve të Policisë së Shtetit është në krahun tuja.
Po bëjeni betejën tuaj dhe ne jemi në dispozicion të secilit që do të ngulë këmbë për të vendosur standarde dhe dinjitetin mbi të gjitha në punën e policisë private.
Mos lejoni t’iu trajtojnë siç iu kanë trajtuar deri tani. Sot ne jemi të vetëdijshëm që ka shumë vështirësi. Jemi të vetëdijshëm që shumë vështirësi edhe në sektorin tuaj vijnë për shkak të marrëdhënies së formuar ndërmjet kompanisë private dhe kontraktorit, qoftë ajo bankë, qoftë ajo institucion tjetër.
Jemi të vendosur të rregullojmë këtë marrëdhënie duke detyruar çdo institucion tjetër, fillimisht bankat dhe pastaj institucionet e tjera; të paguajnë sa duhet policitë private.
Por na duhet pa asnjë diskutim ndihma juaj. Ndihma e secilit prej jush. Ndihma e çdo punonjësi privat, të policisë private, të secilit prej 9 mijë policëve privatë në Republikën e Shqipërisë.
Na konsideroni në mbështetjen tuaj për të bërë gjithçka është e mundur, të sanksionojmë që paga minimale realisht do jetë asnjë lek më pak sesa 330 mijë lekë.
Kjo nuk është gjithçka, por unë ju kuptoj, që ndoshta s’mjafton, por ky është një fillim i mirë për të pasur më shumë standarde në punën tuaj.
Kjo ndoshta nuk rregullon çdo problem që keni në punën tuaj të përditshme, shumë probleme mbeten për t’u zgjidhur në vazhdim. Por ne po fillojmë betejën.
Ne po fillojmë betejën për gjithçka që nuk ka funksionuar siç duhet në policitë private deri më sot. Dhe kjo detyrimisht duhet të fillojë nga paga, detyrimisht duhet të fillojë nga rroga.
Ka pasur mes debatit, sa ka pasur ngjarje ku përfshihej policia private.
Dhe një nga çështjet që ngrihen në të gjitha raste natyrisht në privat ishte: “mos prisni prej nesh të bëjmë çudira sepse paguhemi shumë pak, paguhem shumë pak, paguhem sa për të mbajtur frymën gjallë. Nuk paguhemi për të bërë çudira në punë. Paguhemi sa për të mbajtur frymën gjallë, sa për të thënë që nuk jemi pa punë”. Ky ka qenë një ndër problemet kryesore që kemi vënë re në çdo ngjarje ku përfshihet policia private.
Dhe sigurisht duhet të investojmë më shumë në trajnimin tuja, në formimin e policisë private, në detyrimin që kanë policitë private për të respektuar komunitetin dhe ligjin.
Ne na duhen policë privatë që kanë të njëjtin trajnim, të njëjtin trajtim, të njëjtin formim, si policët e shtetit. Policia private nuk mund të jetë aneksi, i njerëzve që nuk gjejnë dot punë tjetër. Duhet të jetë mision. Nuk është punë si çdo punë.
Duhet të jetë punë mbi punët, është mision. Njëlloj si ata që kontribuojnë në policinë e shtetit. dhe për ta përmbushur këtë mision duhet detyrimisht të bashkëpunojmë, dhe duhet detyrimisht të garantojmë që gjithçka funksionon siç duhet, duke nisur nga paga.
Ju e patë që përkundër sulmit, përkundër vrerit të përditshëm, përkundër baltës që hidhet mbi Policinë e Shtetit, kemi dhënë prova të vazhdueshme se Policia e Shtetit është në detyrë dhe bën detyrën, pavarësisht gjithçkaje.
Por ne na duhet të ndreqim në themel gjërat që nuk kanë funksionuar prej dekadash në Shqipëri. Në mënyrë që ngjarje si ato që kanë ndodhur të mos ndodhin më.
Unë do e vlerësoj pafund sakrificën tuaj, ashtu siç vlerësoj pa fund sakrificën e familjes suaj, që ka babain apo vëllain në punë por ndërkohë e di që paguhet shumë më pak se çdo i punësuar tjetër në Republikën e Shqipërisë.
Dhe në qoftë se juve ju vjen kërcënimi pranë, nuk ka pse të mos jeni të paguar siç duhet dhe të mbrojtur siç duhet nga ligji.
Dhe në qoftë se ju e keni punën me sakrificë dhe me rrezik, nuk ka pse të mos respektohen kriteret e ligjit, si për pagat, si për kohën e punës, si për pushimin, kohën e pushimit në policinë private.
Miqtë e mi të njëjtit mendimi thonë, bashkë, nuk jemi ne dhe ju, jemi të gjithë bashkë.
Unë s’kam asnjë dyshim se secili prej jush e do Shqipërinë më të mirë, do më shumë mirëqenie në familjen e tij, do më shumë siguri në qytetin e tij, në lagjen ku jeton, do një Shqipëri më të mirë nesër.
Dhe këtë kemi nevojë ta bëjmë bashkë, duke kontribuar e ndihmuar njëri-tjetrin në mënyrë që puna juaj të ketë standardet e duhura, pagesën e duhur dhe ndërkohë bashkërisht të punojmë që qytetarët në qytetin e Lushnjes apo kudo në Shqipëri, të kenë një jetë më të mirë.
Në këtë qytet, dhe jo pa shkak ndaluam këtu, ka zero vrasje për vitin që kaloi, zero!
Eshtë realisht shenja më e mirë se si qytetarët, institucionet, Policia e Shtetit, ju pa asnjë diskutim, mund të kontribuojnë të gjithë bashkë për të bërë një qytet më të mirë, më të sigurt, ku ka më shumë paqe, ku konflikti të zgjidhet në mënyrën më të butë, sesa dhuna e zakonshme, ku kontributi i të rinjve është themelor në ndërtimin e një Shqipërie më të mirë.
Dhe sot jo pa shkak, ky qytet, falë edhe punës që keni bërë, falë punës që ka bërë Kryetari i Bashkisë, falë punës që bëjnë të gjithë ata që kanë një mundësi për të bërë opinionin në qytet, sot ky qytet renditet ndër qytetet në Shqipëri që ka zero vrasje.
Kjo deri dje ishte komplet e pakonceptueshme, tërësisht e pakonceptueshme. Por ende shumë më shumë mund të bëjmë. Dhe gjithçka kemi bërë deri më sot është vetëm mënyra më e mirë për të parë se sa shumë mund të bëjmë në të ardhmen.
Dhe veçanërisht në sektorin tuaj.
Ne do bëjmë gjithçka është e mundur që brenda një kohe shumë të shkurtër, shumë, shumë të shkurtër të detyrojmë çdo kompani, çdo polici private që të paguajë pagën sipas ligjit për çdo polic privat. Asnjë lek më pak se sa ç‘është parashikuar në ligj. Asnjë lek më pak sesa 330 mijë lekë që është paga e parashikuar në ligj. Na ndihmoni ju, ta bëjmë realitet këtë me informacion apo denoncime atëherë kur pronari apo administratori i kompanisë nuk e respekton këtë detyrë ligjore.
Dhe ne do bëjmë maksimumin deri në heqjen e licencës për ato kompani që të respektohet ligji dhe kriteri. Të respektohet gjithçka kemi parashikuar në ligj.
Kjo do të jetë beteja jonë e përbashkët. Beteja jonë pa asnjë diskutim dhe beteja juaj dhe e çdo polici privat, e secilit prej 9000 policëve privatë në Republikën e Shqipërisë.
Ne jemi të gjithë në mbështetjen tuaj. Dhe të gjithë bashkë duhet të jemi në shërbim të qytetarëve për një Shqipëri shumë më të mirë, ekonomi shumë më të shëndoshë dhe me shumë më shumë siguri sesa sot.
Shumë punë kemi bërë, shumë punë kemi për të bërë. Ndaj dhe ecim bashkë këtu.
dy.b/shqiptarja.com