Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e 70-vjetorit të themelimit të Policisë Rrugore. 

Tahiri tha se "me qëllim rritjen e sigurisë rrugore, nga viti i ardhshëm do aplikohet shpërblim për këdo që respekton rregullat e qarkullimit rrugor".

Tahiri paralajmëroi gjithashtu ashpërsim të masave ndëshkuese për ata që shkelin rregullat e qarkullimit.

"Nga 1 Janari e tutje do kemi në fuqi sistemin e cili do garantojë shpërblimin e atyre që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe penalizimin e rëndë për ata që janë mësuar të shkelin Kodin Rrugor në mënyrë të vazhdueshme. Për ne ka qenë e papranueshme dhe besoj për qytetarët po kaq e papranueshme të dënohej në mënyrë të njëjtë qoftë ai që merrte një gjobë në vit, qoftë ai që gjobitej thuajse çdo javë. Ndaj ne mendojmë që mënyra më e mirë për të shpërblyer ata që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe për të dënuar më shumë ata që shkelin vazhdimisht rregullat e qarkullimit rrugor, nga njëra anë", u shpreh Tahiri. 

Ai gjithashtu, në këtë 70-Vjetor të Policisë Rrugore, tha se nga 1 janari 2017, do të aplikohen gjobat progresive. Kështu, ata që shkelin më shumë rregullat e qarkullimit rrugor do të gjobiten më shumë, ndërsa ata që bëjnë rrallë shkelje do të kenë gjoba më të vogla. 

"Gjithashtu, nga 1 Janari fillojmë gjobën progresive. Ju e dini që deri dje, qoftë një shofer i ri apo me eksperiencë, qoftë një drejtues automjeti me probleme historike me Policinë Rrugore dhe gjobat apo një drejtues mjeti vazhdimisht i rregullt, gjobiteshin të gjithë njësoj. Dhe diskrecioni i Policisë Rrugore ishte i madh", tha Tahiri.

Tahiri theksoi më tej se nga janari i 2017-ës do të zbatohet edhe taksa për automjetet e luksit.

[gallery]20099[/gallery]

Prononcimi i plotë i Tahirit:
"Sot është një ditë e veçantë, është saktësisht 70-vjetori i krijimit të Policisë Rrugore në Republikën e Shqipërisë. Ndaj doja ta shfrytëzoja këtë moment për të falënderuar të gjithë ata që në këto 70 vite kanë kontribuar në sanksionimin e rregullave të qarkullimit rrugor në Shqipëri, për të garantuar rrugë më të sigurta dhe një mjedis më të qetë për ata që përdorin rrugët – qoftë si drejtues automjetesh, qoftë si këmbësorë. Sot Policia Rrugore ka një tjetër fytyrë. Është shumë më afër qytetarit, me një shërbim shumë më njerëzor, shumë transparent dhe mbi të gjitha pa korrupsion. Ne vazhdojmë ndërgjegjësimin e qytetarëve për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor. Ashtu si vazhdojmë dhe përpjekjet tona për të garantuar që të gjithë ata që përdorin rrugën – qoftë si drejtues mjetesh apo këmbësorë – të kenë mundësi të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Sepse kjo është mënyra e vetme për të pasur qytetarë të shëndetshëm, të cilët e përdorin rrugën pa rrezikun e pasojave të rënda në shëndet apo pasojave fatale me humbjen e jetëve të njerëzve.
Shqipëria është ende një ndër vendet me një numër të lartë aksidentesh dhe pasojash të rënda në shëndetin dhe jetën e njeriut. Kemi bërë punë kolosale për të zhdukur korrupsionin nga punonjësit e Policisë Rrugore. Nëse deri dje perceptoheshin si pjesë e graduar e Policisë dhe si gjobaxhinj korruptivë, sot janë shembulli i Policisë së Shtetit. Në radhë të parë në raport me qytetarin dhe marrëdhënien që kanë me të. Por së dyti në raport me sanksionimin e ligjit dhe garantimin e rregullave për të gjithë. Në këtë 70-vjetor të Policisë Rrugore, e theksoj, dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar dhe sakrifikuar në Policinë Rrugore, për ta bërë më të mirë shërbimin dhe për t’i garantuar më mirë qytetarët.
 
Gjithashtu, nga 1 Janari fillojmë gjobën progresive. Ju e dini që deri dje, qoftë një shofer i ri apo me eksperiencë, qoftë një drejtues automjeti me probleme historike me Policinë Rrugore dhe gjobat apo një drejtues mjeti vazhdimisht i rregullt, gjobiteshin të gjithë njësoj. Dhe diskrecioni i Policisë Rrugore ishte i madh.
Nga 1 Janari e tutje do kemi në fuqi sistemin e cili do garantojë shpërblimin e atyre që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe penalizimin e rëndë për ata që janë mësuar të shkelin Kodin Rrugor në mënyrë të vazhdueshme. Për ne ka qenë e papranueshme dhe besoj për qytetarët po kaq e papranueshme të dënohej në mënyrë të njëjtë qoftë ai që merrte një gjobë në vit, qoftë ai që gjobitej thuajse çdo javë.
Ndaj ne mendojmë që mënyra më e mirë për të shpërblyer ata që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe për të dënuar më shumë ata që shkelin vazhdimisht rregullat e qarkullimit rrugor, nga njëra anë. Po gjithashtu mënyra më e mirë për të ngushtuar hapësirën e diskrecionit të Policisë Rrugore dhe për të shmangur maksimalisht korrupsionin është vendosja e rregullave të saktë për ta bërë gjobën progresive.
Me gjobën progresive nga 1 janari 2017 qytetari që shkel vazhdimisht rregullat do gjobitet maksimalisht. Ndërkohë qytetari që ka rekorde pozitive pranë Policisë Rrugore dhe që nuk është gjobitur gjatë vitit do gjobitet në minimumin e përcaktuar nga ligji. Kjo sepse ne duam që qytetarëve pozitivë t’i japim mundësinë të besojnë te gjoba si mjet këshillimi. Ndërkohë atyre që nuk binden dhe vazhdojnë të shkelin ligjin t’i japim mundësinë të luftojnë që ligji duhet të jetë i ashpër dhe më i ashpër akoma deri në momentin kur të ndryshojnë mendje dhe bindje dhe të fillojnë të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Gjoba progresive ka qenë një angazhim i yni i cili përmbushet nga 1 janari 2017. Shumë shpejt do bëjmë të mundur që me ndryshimet  e pritshme të Kodit Rrugor të bëjmë realitet edhe gjobën këshilluese. Pra gjobën me vlerë zero, pra për të gjithë ata që kanë nevojë të premiohen për respektimin e vazhdueshëm të rregullave të qarkullimit rrugor. Ne jemi shumë të bindur që rrugët më të sigurta nuk bëhen vetëm duke përmirësuar shërbimin policor. Rrugët më të sigurta bëhen duke u bindur individi, shoqëria në tërësi se duhet të punojmë të gjithë bashkë për të pasur një mjedis të sigurt për të garantuar shëndetin dhe jetën e cilitdo që qoftë si drejtues mjeti, apo qoftë si pasagjerë, apo qoftë si këmbësorë duhet të gëzojë mundësinë për të qenë i qetë, për të përdorur rrugën, pa frikën dhe kërcënimin e dëmtimit në shëndet apo akoma më keq të humbjes së jetës. Rrugët e Shqipërisë janë ende një problem, pavarësisht masave që ka marrë Qeveria për përmirësimin e sinjalistikës rrugore, masave që kemi marrë me përmirësimin e shërbimit rrugor, masave ndërgjegjësuese që kemi marrë me drejtuesit e mjeteve, masat ndërgjegjësuese që kemi ndërmarrë me Ministrinë e Arsimit për edukimin e të rinjve lidhur me respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Por, na mbetet ende shumë punë për të bërë, duke qenë të bindur që asgjë nuk arrihet në qoftë se qytetarët dhe shoqëria në tërësi nuk bashkohen me ne për të pasur rrugë të sigurta.

Ndaj duke u uruar dhe njëherë punonjësve të Policisë Rrugore 70 vjetorin, duke falënderuar ata që kanë kontribuuar në vite për Policinë Rrugore dhe duke njoftuar për qytetarët gjobën progresive pas 1 janarit 2017 unë shpresoj që të kemi ndërtuar një platformë solide për t’u bashkuar me të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm për t’i bërë rrugët e Shqipërisë më të sigurta".


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com