Qindra besimtarë të krishterë nga mbarë vendi u bënë shtegtarë të shpresës, teksa u ftuan në lutje për familje të shëndosha dhe larg dramave me të cilat përballet familja sot.

Në kuadër të vitit jubilar, Kisha Katolike lëshoi mesazhe të forta dhe të drejtpërdrejta për më shumë lindje, dashuri dhe tolerancë.

“Sot po i mungojnë shoqërisë sonë fëmijët. Familja nuk i ngjan më familjes së shenjtë. Kemi tepër pak dashuri mes njëri-tjetrit, sepse teknologjia dhe gjërat e botës kanë mbuluar zemrën tonë. Ju lutem, mësoni fëmijët tuaj tri fjalë kryesore: ‘të lutem’, ‘më fal’ dhe ‘faleminderit’, tha Simon Kulli, ipeshkëv i Dioqezës së Sapës.

Krerët e Kishës, si një nga plagët e familjes, konsiderojnë edhe emigracionin, çka sjell distancën e për pasojë mungesën dhe konfliktet.

“Vështirësitë janë shumë, duke filluar nga pasiguria në vend dhe papunësia. Shumë familje nga Shqipëria janë të detyruara të largohen nga vendi', tha Monsinjor Giovanni Peragine, Ipeshkëv i Shkodër-Pultit.

“Ky jubile është një zë për ata që nuk kanë zë. Është një zë i fortë dhe një dëshmi e vërtetë që familjet shqiptare duhet të krijojnë familjen e tyre të shenjtë, pikërisht këtu në Shqipëri',  tha Monsinjor Simon Kulli, Ipeshkëv i Sapës.

'Familjet shqiptare duket se kanë nevojë për dashuri, shpresë dhe vendosmëri për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre'. Ky ishte edhe mesazhi i disa prej familjarëve, shtegtarë të shpresës.

Kjo nuk është hera e parë që Kisha Katolike në Shqipëri reagon përballë fenomeneve që po shkaktojnë drama sociale edhe në vendin tonë.