Takimi i fundit me Odhise K. Grillo

Takimi i fundit me Odhise K. Grillo
Odhise K. Grillon, si shkrimtar, e njoha që në fëmijëri. Ndaj, fëmijëria ime pati privilegjin të bëhej edhe më e bukur, sepse herë pas here e shtegtonte drejt fantazisë e ëndrrave lodërtare, zëri i shkrimtarit të madh nga Vunoi.

     Çuditërisht, pas shumë e shumë vitesh, shkrimtari Grillo do t’i rikthehej fëmijërisë së tij dhe do ta shenjtëronte atë nëpërmjet një cikli poetik, që do të ishte i pranishëm në një libër me poezi , ku: “Një nga motivet kryesore në këtë libër, siç del edhe nga vetë titulli, është fëmijëria. Kthimi i poetit në të vërteton se largimi nga ajo nuk mund të ndodhë kurrë. Vendlindja dhe fëmijëria janë kujtime të cilat njeriun e shoqërojnë në jetë. Ato nuk shlyhen, sidomos kur janë të lidhura me njëra-tjetrën.”

Vëllimi poetik “Mollëkuqja e fëmijërisë” do të ishte dhe libri i fundit poetik në gjallje të tij. Dhe kujtoj nga ky libër, në mes të tjerave, edhe këto dy fragmente poezish: “Më presin mijëra çerdhe / të fshehura diku...    Po çerdhja me kujtime / ku është vallë, ku? // Këtu mes qiparisash / ajo çdo vit më pret... / Si çerdhja me kujtime / asnjë fole nuk ngjet”!  apo edhe atëhere kur koha e fëmijërisë përmes simbolikës së asaj kandrrës së vogël , bëhet kujtesë e pleqërisë: “Po unë sytë nuk i mbyllja dot, / se luaja me mollëkuqen e fëmijërisë, / ajo si në ëndërr më del edhe sot, kur eci me tri këmbë, duke trokitur trak e trok! /    Mbështetur te shkopi i pleqërisë”.  

Pikërisht, edhe me këtë libër (atëherë i sapodalë në qarkullim) më lidh dhe ai takim i paradites në një nga lokalet e qendrës në Tiranë. Takimi (shpesh e risjell nëpër mend dhe e rijetësoi) ishte jo i zakontë, kishte humor e të qeshura, dhe zgjati si orar më shumë se herët e tjera. Në at’ tavolinw ishte shkrimtari Dionis Bubani, botuesi Gwzim Tafa dhe mjeku-farmacist Bashkim Laçej. Më  vonë, nga ajo çka mësova për atë që ndodhi, kishte qenë takimi... i fundit me mikun tim dhe poetin e shquar të letërsisë për fëmijë e të rinj Odhise K. Grillo.

Në këtë takim mësova se, pas një jave Odhiseja së bashku me Vangjelonë, të shoqen, do të niseshin për në SHBA, ku kishin një pjesë të shpirtit të tyre, tek e bija, Ani. Në fund të takimit, para se të përshëndeteshim, Odhiseja me humorin e tij karakteristik më tregoi se miku i tij i ngushtë, shkrimtari humorist Dionis Bubani i kishte dhënë si dhuratë rreth 50 e ca fije format A4, për t’i kujtuar se, duhet të na vish patjetër me një vepër të re. Por...

     Dua ta përsëris trishtueshëm se, ishte biseda e fundit e një takimi të fundit... Kur e përmend, nuk dua ta besoj. Nuk e pashë më. As nuk do ta shihja..!
Por... shpesh, për arsye të studimeve të mia në fushën e letërsisë për fëmijë e të rinj, shfletoj herëpashere librat e tij. Sikur më shfaqet i “gjallë”, aty, pas një gërme, pas një shkronje, pas një vargu, pas një... Dhe kam menduar gjithnjë se kjo është përjetësia e veprës dhe pavdekësia e shkrimtarit. E zë të bisedoj me të... Më saktë kam nevojë të bisedoj me të... Dhe bisedoj vazhdimisht me të...

Siç thotë liriku i shquar Xhevat Beqaraj: “Po Odhisenë nuk e kemi më, e mallin do ta shuajmë me kujtimet që i ruajmë për të e me librat e shumtë, se shumë shkroi ai e, në çdo gjini që provoi veten, mbetet një krijues i denjë i letërsisë për fëmijë.”

Mbase biseda nis edhe nga biografia e shkrimtarit, aty ku zë fill rrënja, historia, pema gjenealogjike apo tradita e tij familjare... Po e nis kështu: Çuditërisht njoha një shkrimtar që thoshte: “... pat (ëm) një fëmijëri pa libra.”  E, që, në vazhdim thoshte: “I lexuam e i rilexuam me dhjetra herë ato katër – pesë libra të përkthyer të Kolodit, Kërellit, Molnarit, De Amiçisit, Gajdarit. ...

Të gjithë këto libra, që nga viti 1945 e gjer më sot (origjinalë e përkthime, në prozë e në poezi) jo vetëm i kam lexuar e rilexuar por për çdo njërin prej tyre kam shënime e mendimet e mia për të mirat dhe dobësitë që kanë. Herë pas here u kthehem librave e shënimeve dhe shoh gjërat që më interesojnë, veçanërisht ato që lidhen me botën e të vegjëlve dhe me probleme të mjeshtërisë. Kështu mësoj në të dy drejtimet, nga të gjithë shkrimtarët.” 

Të gjitha këto detaje që përmend krijuesi Grillo, fare mirë, dhe nuk gabojmë t’i quajmë “të pathënat”, të cilat i di vetëm shkrimtari, të cilat nuk duhet të mbeten mister për lexuesin. Ato duhet të shpalosen, sepse, kështu, plotësojnë më mirë portretin e shkrimtarit; individualiteti i tij krijues merr një hapësirë më dimensionale.

Në fillim të kësaj sprove, përmenda Fëmijërinë time. Jo më kot. Jo se ajo ishte vetëm hershmëria më e lumtur e jetës sime; por edhe për një fakt tjetër që lidhet  pazgjidhshmërisht me të: shkrimtari Odhise Grillo shkroi gjatë gjithë jetës së tij për fëmijët.

Dhe më ngjan absulutisht e vërtetë: Çdo vit i jetës së tij “u zbardh” dhe “u thinj” për letërsinë për fëmijë. Korpusi i veprave të tij dhe botimet e pafund tregojnë se, i deshi shumë fëmijët, jetoi me ta, jetoi për ta, zemra gjer në çastin e fundit rrahu për ta... Kjo mbase është arsyeja që, si shkrimtar në çdo krijim që sillte, tregonte njëherazi edhe përpjekjet e tij që ta njihte sa më mirë e sa më thellë botën dhe psikikën e fëmijëve, tregonte edhe talentin e tij. Një refleks të tillë e gjejmë edhe te kjo poezi që po citojmë:

“I thotë malit: - Shtrihu! – / Dhe ai shtrihet, / I thotë fushës: - Ngrihu! – / Dhe ajo ngrihet, / I thotë gjolit: - Thahu! – / Dhe ai thahet, / I thotë gurit: - Çahu! – / Dhe ai çahet, / I thonë ditës: - Zgjatu! – / Dhe ajo zgjatet, / I thotë zemrës: - Hapu! – / Dhe ajo hapet. // Një gjë fëmija të kërkojë / Në çast ndryshon / Sikur të ish lojë”!
 
Ndaj, çdo libër që mbante emrin e tij, ishte me vlera e cilësi artistike, ndonëse thoshte: “... librat për fëmijë, nga volumi i mban edhe zogu në sqep, por jo nga vlerat...” ; por, ama, vazhdonte prapë të thoshte: “Sado të pasura e të bukura të jenë mbresat e kujtimet që mbart shkrimtari nga fëmijëria e vet, ato janë shumë të varfra e të kufizuara në krahasim me botën e madhe e të pasur të fëmijëve bashkëkohorë.” 

     Emri i Odhise K. Grillos, me të tjera vepra që do të vinin, “bisedoi” edhe me adoleshencën, më pas me rininë time, më pas..., derisa erdhi ai takim i parë i shumëpritur me shkrimtarin e shumë ëndërruar...
Isha akoma student, kur dorëzova për botim një vëllim me skica e tregime të titulluar  “Dita e parë e dëborës”, në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Ishte viti 1975.

     Takimi, ndonëse i parë me shkrimtarin Odhise Grillo, ishte shumë miqësor, aq miqësor, sa më dukej vetja se njiheshim prej vitesh. E mbaj mend, si tani, kishte veshur një xhaketë me kuadrate dhe në kokë mbante një fes francez, siç i themi ne nga Shkodra. Teksa bisedonim, e vëreja herë pas here me kujdes. Rrezatonte mirësi. Por, se si më bëhej a se si më dukej se, herë pas here buzëqeshte si hidhur. Nuk e di pse, po… sikur një hënë e zbehtë i pushonte mbi fytyrë. I jepte një pamje paksa trishtuese.

Nuk mund të thoja asgjë, nuk mund të bëja dhe një pyetje, nuk mund të bëja qoftë edhe një krahasim, sepse ishte hera e parë që e takoja. Në raste të tilla takimi me shkrimtarin, siç ishte Odhiseja, ishte një privilegj. Dhe privilegji nuk duhet humbur. Në të shumtën e rasteve ruan vlerën e margaritarit. Ishte “...ky njeri i madh, (që) kishte hyrë në botën e fëmijëve, në ëndrrat dhe imagjinatën e tyre. Ndaj prej shpirtit të tij buronte mirësi." 

     Ndjesia për shkrimtarin e shumë ëndërruar që më në fund u bë realitet, m’i largonte edhe ato pak re dyshimi që shfaqeshin në fytyrën e tij. Megjithatë… sikur diçka nuk shkonte... Këtë e mora vesh më vonë... Më erdhi keq, shumë keq sa një hënë pikëllimi ra në sytë e mi.

     Brengosjen, dramën tragjike që ia shkaktuan të tjerët, e më pas paparacët, ma fshehu me shumë dinjitet. Nuk u dha për asnjë çast para meje. Më ka mbetur në mëndje: mënyra se si më fliste, se si më pyeste, si interesohej, si kujdesej e si më këshillonte. T’ju them të drejtën, atë ditë, me mua nuk ishte kush. Fjalët e urta të shkrimtarit Odhise K.Grillo (të cilat i ruaj edhe sot e kësaj dite) më dhanë krahë, ndonëse ishte libri im i parë.

Mbi të gjitha ishte komunikimi shumë i bukur e me dimension njerëzor, që përfshinte edhe vlerat e librit tim të parë, aq vlera sa mund të kishte ai. Këtë moment s’e harroj!

     Kur u ndamë, më siguroi se, patjetër, njëri nga  recensuesit e librit do të ishte poeti i mirënjohur Xhevat Beqaraj, dëshira që ia shfaqa gjatë bisedës. Me Xhevatin  kisha një njohje të vjetër, që edhe sot e kësaj dite e mbaj si diçka të vyer dhe të shtrenjtë.

Odhisea, edhe pse ishte shpirt trazuar, amanetin ma kreu. Teksa ecja rrugëve të Tiranës me emocionin e dorëzimit të librit të parë, ndoshta edhe të botimit, të një takimi të shumëpritur me një shkrimtar të dëgjuar, se si më bëhej dhe, ktheja kokën herë pas herë pas, se mos e takoja përsëri atë njeri, me të cilin doja të vazhdoja bisedën... ta vazhdoja... ndoshta gjer në pafundësi.

     Takimi me shkrimtarët gjithmonë janë një shpresë dhe ëndërr e bukur!.. Veçanërisht, kur ato realizohen, marrin dimension dhe thellësi përjetimi. Aq më shumë, kur nuk e ke pritur e, shkrimtari i shumë  ëndërruar me gjestin e tij normal dhe fisnik të fal si vlera tiparet e tij njerëzore: thjeshtësinë, modestinë dhe komunikimin miqësor. Dhe për këtë, shumë vite më vonë solla një nga urtësitë e novelistit Mario Vargas Llosa, të cilën dua ta shënoj në këtë sprovë letrare.

Ai thoshte: “Prirja për të shkruar, për mendimin tim, është pikënisja e bisedës sonë, për atë që të emocionon dhe të turbullon: pra, si të bëhesh shkrimtar. Kjo është pa dyshim një punë e mistershme, e mbështjellë me dyshime dhe subjektivizëm.”

Gjithashtu, mu kujtua, miku im, shkrimtari dhe studiuesi i talentuar nga Kosova, Xhevat Syla, i cili e përshkruan ngrohtësisht takimin me Odhisenë.
     “Me Odhise Grillon për herë të parë  u takova në Tiranë, në njërën nga shkuarjet e mia atje që nga viti 1992. Na takoi Skënder Zogaj, në një restorant afër ndërtesës ku dilte “Rilindja” e ndaluar në Kosovë, e ku Skënderi redaktonte faqet e fëmijëve. Ishte një gëzim i veçantë për mua kur Skënderi më tha se nesër do të takohesha me Odhise Grillon.

U takuam si dy miq të hershëm që nuk ishin parë gjatë. Odhiseu u bë imi me gjithë shpirtin, familjen e shtëpinë e tij. Edhe para se të takoheshim, edhe derisa po bisedonim me shumë dashuri me njëri-tjetrin, vazhdimisht më kujtoheshin fjalët e Vehbi Kikajt, që m’i pat thënë diku në vitet shtatëdhjetë: “Nga Shqipëria jam kthyer edhe më shumë i pasur për shumë miq-vëllezër”. Të njëjtën gjë tash, pas shumë vitesh, e përjetova dhe unë.”  
libra

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, Ja reagimi i kryeministrit Edi Rama (VIDEO)

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, Ja reagimi i kryeministrit Edi Rama (VIDEO)