TIRANE-Para largimit nga Shqipëria, ambasadori i SHBA, Donald Lu zhvilloi një takim lamtumire edhe me Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku. Zyra e shtypit të Prokurorisë ka zbardhur takimin që u zhvillua ditën e djeshme.
Prokurorja e Përgjithshme dhe zyrtarët amerikanë theksuan rëndësinë që ka bashkëpunimi mes Prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara.
Sipas zyrës së shtypit, ambasadori Lu vlerësoi maksimalisht rolin, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e Arta Markut në një periudhë të rëndësishme për zbatimin e legjislacionit të ri të reformës në drejtësi.
Prokurorja e Përgjithshme i uroi punë të mbarë zotit Lu në detyrën e re dhe çmoi rolin e tij dhe të ambasadës së Shteteve të Bashkuara për promovimin, hartimin dhe miratimin e reformës në drejtësi.
Njëkohësisht, Prokurorja e Përgjithshme i uroi mirëseardhjen në Shqipëri zëvendësambasadores së re Leyla Moses-Ones, duke theksuar vendosmërinë për thellimin e punës së përbashkët për të ardhmen, në luftë kundër kriminalitetit.
Donald Lu u largua nga Shqipëria pas përfundimit të mandatit diplomatik si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Diplomati amerikan ishte ndër insistuesit kryesorë të një prej reformave më të rëndësishme në Shqipëri atë në sistemin e drejtësisë.