Një ditë tjetër lufte në Ukrainë u shoqërua me të vrarë në terren, tension të fortë diplomatik dhe përplasje të hapur për sanksionet ndaj Rusisë.

Ngjarja më e rëndë e ditës erdhi nga rajoni i Kharkivit, ku një sulm rus goditi një autobus në zonën e Kupyanskut. Tre persona humbën jetën, mes tyre drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerë, ndërsa katër të tjerë mbetën të plagosur. Më herët gjatë natës, sipas ushtrisë ukrainase, Rusia kishte lëshuar 127 dronë sulmues ndaj Ukrainës, shumica e tyre të tipit Shahed, dhe 117 prej tyre u thanë se u rrëzuan ose u neutralizuan.

Në planin politik, dita u përqendrua te vizita e Volodymyr Zelenskyt në Paris. Presidenti ukrainas u takua me Emmanuel Macron në Pallatin Elysee, ku në qendër të bisedimeve ishte vazhdimi i mbështetjes për Kievin dhe rritja e presionit ndaj Moskës. Pas takimit, Zelensky tha se Bashkimi Europian duhet të qëndrojë i vendosur dhe se Rusia duhet t’i japë fund luftës. Ai paralajmëroi edhe për pasojat e lehtësimit të sanksioneve amerikane ndaj naftës ruse, duke thënë se kjo mund t’i sjellë Moskës rreth 10 miliardë dollarë të tjera për luftën dhe se një hap i tillë nuk ndihmon paqen, por forcon Kremlinin.

Edhe Macron mbajti të njëjtën vijë, duke thënë se Rusia gabon nëse mendon se zhvillimet e luftës me Iranin mund t’i japin frymëmarrje. Sipas tij, rritja e çmimit të naftës nuk duhet të përdoret si arsye për të zbutur sanksionet ndaj Moskës. Po në të njëjtin drejtim folën edhe disa vende europiane. Gjermania tha se gjashtë vende të G7 e kundërshtuan qartë zbutjen e sanksioneve në një telefonatë ku mori pjesë edhe president Donald Trump. Britania kërkoi që të gjithë aleatët të mbajnë presionin ndaj Rusisë, ndërsa nga Brukseli Antonio Costa tha se vendimi amerikan prek drejtpërdrejt sigurinë europiane. Edhe Spanja reagoi me habi ndaj këtij ndryshimi kursi nga Uashingtoni.

Nga Moska, toni ishte krejt ndryshe. Kremlini tha se heqja e kufizimeve amerikane për eksportet e naftës ruse ndihmon stabilizimin e tregut energjetik dhe këmbënguli se pa Rusinë nuk mund të ketë ekuilibër në tregun global të energjisë. Po ashtu, Moska tha se pret një raund të ri bisedimesh për Ukrainën me ndërmjetësimin e SHBA-së dhe se situata në Lindjen e Mesme nuk do t’i largojë amerikanët nga negociatat për luftën./CorrieredellaSera