Pas takimit me shqiptarët e Athinës, takimi i radhës i kryeministri Edi Rama me diasporën që do të zhvillohet në Milano më 26 maj në pallatin e sportit “Busto Arsizio”.
Lidhur me këtë takim, Dritan Trimçe, zv/presidenti i shoqatës së Diasporës në Itali, i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me Arbër Hitaj në Report TV, tha se po punohet që të ketë një pjesëmarrje të madhe të shqiptarëve që jetojnë në Itali.
“Ne jemi të informuar për këtë takim nga rrjetet sociale. Janë rreth 620 000 shqiptarë që jetojnë këtu dhe rreth 200 000 prej atyre që jetojnë këtu kanë marr nënshtetësi italiane dhe ata kanë bindje politike të majta dhe të djathta dhe do doja ta shohin si përfaqësues të shtetit shqiptar kryeministrin. Ne po organizohemi që të vijmë sa më shumë nëpërmjet rrjetet sociale, pra që të marrin pjesë sa më shumë”, tha ai.
Pasi marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet u ratifikua nga Kuvendi në Shqipëri, tashmë pritet edhe ratifikimi nga qeveria italiane. Trimçe tha se marrëveshja nuk hyn në fuqi vetëm nëse aprovohet nga një shtet, ndërsa bëri me dije se takimi i parë zbatues do të bëhet 18-20 qershor.
“Në pension italian edhe pse është shqiptar do vijë në Shqipëri pa shpenzime dhe do të vijë në lekë me kursin e këmbimit të bankës italiane, ndërsa kur dërgohet në Shqipëri me kursimin e këmbimit të bankës shqiptare. Neni 31 parashikon hyrjen në fuqi njëkohësisht të marrëveshjes politike që është firmosur nga kuvendi dhe asaj administrative që do bëhet ose Tiranë ose në Romë në 18 deri 20 qershor midis ISSH dhe IMS-it italian. Marrëveshja nuk hyn në një shtet në fuqi, Italia nuk e aprovuar akoma në senat, dhe nuk mund të hyj në fuqi vetëm nga një shtet, por në momentin pasi janë shkëmbyer dokumentet e ratifikimit”, shtoi ai.
Në Studio Live, ai u shpreh se pala shqiptare e ka ratifikuar, por çështja ka ngelur në ministrinë e Punëve Sociale të Italisë. Sipas tij, marrëveshja duhet që të mbyllet brenda këtij viti.
“Marrëveshja ka ngelur në ministrinë punëve sociale të Italisë, qeveria e ka provuar, por për palën italiane ajo Ministria e Punës dhe Politikave Sociale. Unë them se kjo punë duhet të mbarojë brenda këtij viti, burokracia shqiptare e ka kaluar me shpejtësi. Miqësia e Ramës me Melonin është e madhe dhe Rama duhet që të loboj tek Meloni për këtë”, u shpreh ai.
Më 16 maj, me 92 vota pro, asnjë kundër, u ratifikua marrëveshja me Italinë për pensionet, nga ku do të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë.