Ndërhyrja e qeverisë përmes një bordi synon vetëm parandalimin e abuzimeve, por nuk shmang peshën që çmimet e rritura të karburantit kanë mbi kostot në sektorë të ndryshëm. Transporti është ndër më të prekurit në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Dy ministrat e qeverisë, Delina Ibrahimaj e Ekonomisë, dhe Enea Karakaçi i infrastrukturës u takuan sot me përfaqësues të Shoqatës së Transportit. Sipas këtyre të fundit premtimi është për riaktivizimin i një skeme që qeveria aplkoi gjatë krizës së luftës në Ukrainë.
Skema e vitit 2022 parashikonte një kompensim prej 100 lekësh për litër karburanti për linjat qytetase dhe ndërqytetase.
“Me mbledhjen e parë të qeverisë na u premtua se do të diskutohet dhe miratohet. Ndoshta vlera mbetet për t'u diskutuar, ndoshta mund të jetë edhe më shumë për shkak të rritjes të vazhdueshme të çmimit të karburantit. Kjo mbetet për t'u diskutuar dhe miratuar”, tha kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas, Kostandin Foni.
Ai sqaroi gjithashtu se, nëse miratohet, skema mund të ketë efekt prapaveprues, duke përfshirë edhe karburantin e konsumuar gjatë këtij muaji.
“Atëherë në momentin që miratohet kjo mund të marri dhe veprim prapaveprues. Pra në rast se miratohet mund të merret parasysh dhe litrat e karburantit të muajit mars. Pra mund të afektohet edhe pjesa e marsit që të cilët operatorët e kanë blerë këtë karburant”, tha Foni.
Me nisjen e konflikteve në Lindjen e Mesme, siç shprehen përfaqësuesit e operatorëve të transportit, nafta është shtrenjtuar me afro 70 lekë.
“Fatura e fundit që çmimi i karburantit ka qenë në çmime normale ka qenë 145 për litër. Aktualisht sot që ne flasim është 210 dhe diferenca e çmimit është ndjeshëm 60 deri në 70 lekë për litër. Krahas çmimit të rritjes së karburantit kemi dhe rritjen e çmimeve të produkteve të cilat këto mjete marrin pjesët për amortizimi e tyre. Pra është rritur me rreth 25-30% për shkak të rritjes së transportit të importit të këtyre të këtyre mallrave”, shpjegoi ai.
Nëse nuk do të zbatohet operatorët e transportit paralajmërojnë se “do të arrijnë në reduktimin e mjeteve. Më pas nëse përsëri nuk do të ketë një lloj reagimi ndoshta dhe në një kapitullim apo mbyllje të të autobuzave”, tha Foni.
Megjithatë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi nuk u shpreh me të njëjtën entuziazëm në lidhje me këtë takim.
“Ne e dimë që gjatë vitit 2022 janë marrë disa akte subvencioni për sa u përket shoqërive të transportit interurban dhe urban. Një element i tillë po diskutohet përsëri pavarësisht se jemi akoma në fillimet e veta, kur e kemi miratuar në vitin 2022 e kemi miratuar mbas disa muajsh që çmimi ishte rritur dhe në nivel shumë më të lartë se sa aktualisht”, tha Karakaçi.
Ndërkohë është paralajmëruar një tjetër takim me përfaqësuesit e qeverisë dhe shoqatës së transportit për të martën e ardhshme.
Komente













Po Autobuz elektrik?
Përgjigju