Takimi i tretë i IPARD, Peleshi: Mbështetje për zhvillimin rural

Takimi i tretë i IPARD, Peleshi: Mbështetje për zhvillimin rural

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi mori pjesë në takimin e tretë të Komitetit të Monitorimit të IPARD-it, (institucion i rëndësishëm i zhvillimit rural). Peleshi  tha se IPARD-i mbështet dhe investon bujqësinë shqiptare. Ai falënderoi hapur  donatorët e komunitetit që dhanë mbështetjen e tyre.

Është organizuar sot në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural takimi i tretë i Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD –II, si një institucion i rëndësishëm vendimmarrës për investimet në zonat rurale. Në fokus të takimit, sfidat që i paraqiten shtetit shqiptar, në rrugën e gjatë për integrimin e vendit në familjen e madhe evropiane. Një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballet sot qeveria shqiptare është përgatitja e bujqësisë dhe zonave rurale, për arritjen e standardeve të sigurisë ushqimore drejt vendeve të Bashkimit Evropian, përmirësimin e produktivitetit nëpërmjet modernizmit dhe teknologjive të reja të avancuara, forcimi dhe konsolidimi i ekonomive bujqësore dhe jo bujqësore.   

Nën komponentin IPA, programi IPARD II i Bashkimit Europian ofron mbështetje të konsiderueshme për bujqësinë dhe zhvillimin rural në Shqipëri. 
Në këtë fazë fillestare, programi IPARD II përmban katër masa: Investime në asetet fizike në fermat bujqësore, investime në asetet fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit; Diversifikimi Fermave dhe Zhvillimi Biznesit; dhe Asistencë Teknike, masë për të cilën shteti shqiptar ka aplikuar dhe është në pritje të akredimit të saj. 

Në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Monitorimit, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi tha se Shqipëria ka bërë hapa përpara dhe është në rrugë të mbarë, që do të sjellë hapjen së shpejti të Thirrjes së parë të Programit IPARD, e cila me shumë gjasa do të hapet brenda muajit prill, dhe se ky Program i ndërthurur me Skemën Kombëtare të Mbështetjes financiare do të jetë një shans më shumë për fermerët, blegtorët dhe agro-përpunuesit shqiptarë për t’u rritur dhe fuqizuar dhe për bujqësinë shqiptare do të jetë mundësia më e madhe për të bërë hapin më të madh për të kaluar nga një bujqësi mbijetese në një bujqësi që krijon të ardhura dhe mirëqenie. MInistri theksoi:

“Duhet ta them që jemi në një moment shumë optimist për bujqësinë, duke iu referuar shifrave. Në fund të vitit 2017 eksportet bujqësore u rritën me 20 %. Dhe ky trend i rritjes së eksporteve, nuk është një rastësi. Është një vijueshmëri e viteve të fundit, që vjen për shkak, siç e thashë të kalimit nga bujqësia e mbijetesës në shumë zona, tek bujqësia si një biznes që siguron të ardhura shumë të mira. Pra ky trend, shtuar këtu një injeksion që sjell IPARD – i, na heq të drejtën për t’u ankuar për mungesë financimi. Natyrisht, ne e kemi vënë dhe tek skema kombëtare, theksin tek rritja e transparencës. Sa më transparente të jetë skema, aq më shumë besim prodhon tek fermerët.”

Në këtë kontekst, Ministri informoi se për të këtë arsye është reduktuar dhe numri i dokumenteve për të aplikuar në Skemën Kombëtare të mbështetjes financiare, të cilat tashmë plotësohen online me asistencën e plotë të AZHBR –së në çdo agro-pika. Ai ftoi të gjithë aktorët e spektrit ekonomik, donatorët dhe partnerët e huaj të bëheshin pjesë aktive për përthithjen e fondeve të këtij programi duke ndihmuar me asistencë teknike që në fazën e përgatitjes për aplikim, sepse vetëm duke konsoliduar këtë rrjet, do të bëhet e mundur kapilarizimi i punës së institucioneve shtetërore, për të shkuar deri tek fermeri me mbështetje.

Nga ana e përfaqësuesve të Programit IPARD, z. Liam Breslin, Drejtor i Njësisë së IPARD, DG AGRI dhe përfaqësuesit të Delegacionit Europian në Tiranë, z. Mario Mariani u theksua dhe njëherë gatishmëria dhe mbështetja që Bashkimi Evropian do t’i japë Shqipërisë për zhvillimin rural në përthithjen dhe menaxhim e këtyre fondeve. Të dy përfaqësuesit e lartë, përshëndetën progresin që Shqipëria ka bërë në këtë drejtim, në përmbushjen e kritereve dhe direktivave të kërkuara, që do të çojnë në hapje të disa prej masave të Thirrjes së parë për përfitime fondesh. Siç dihet programi ka miratuar një buxhet prej 71 milionë Euro nga BE dhe 24 milionë euro garant nga qeveria shqiptare.  

Fjalimi i plotë i ministrit Peleshi 

I nderuar z. Breslin, 
Të nderuar pjesëmarrës, 
Ndjesë për vonesën që u krijua për shkak të një emergjence që kemi këto ditë në zonën e veriut, në zonën e Shkodrës, dhe me emergjencë u mblodh Komiteti i Emergjencës për këtë problematikë. Jam shumë i kënaqur që kemi arritur në këtë pikë, në fakt, në një ditë ku Komiteti i Monitorimit të Programit të IPARD –it mblidhet për herë të tretë, por në fakt është hera e parë që ky komunitet mblidhet, pasi kemi një miratim, pra një akreditim të programit më të madh që bujqësia shqiptare ka marrë ndonjëherë mbështetje, programi IPARD- II së bashku me kontributin e qeverisë shqiptare shkon 94 milionë euro.
Ne jemi ankuar me të drejtë dhe vazhdojmë të ankohemi, ashtu si çdo vend tjetër, për burimet e kufizuara të financimit. Por duhet të them që nga ky vit për shkak të këtij programi shtuar dhe me skemën kombëtare të mbështetjes prej 20 milionë euro këtë vit, bujqësia shqiptare, fermerët shqiptarë, agro-përpunimi, sektorët e tjerë jo bujqësorë në fshat janë të sfiduar për të përfituar nga një dritare financimi që siç e thashë është e pazakonshme për këtë sektor, në të shkuarën. Pra, po e them që në fillim që çështja kryesore para nesh, sfida më e madhe është absorbimi i fondeve të IPARD-it. Jemi munduar që të bëjmë një dizenjim komplementar të skemës tonë kombëtare prej 20 milionë euro dhe skemës së IPARD-it që me shumë gjasa do të shpallet brenda prillit, të paktën një pjesë e masave të këtij programi. Komplementar duke pasur parasysh që edhe struktura e bujqësisë shqiptarë është pak a shumë në ekstreme.
Pra kemi një numër të madh fermerësh të vegjël, të cilët kanë shumë nevojë për mbështetje, kanë nevojë për këshillim, kanë nevojë për mbështetje financiare, kanë nevojë të rialokohen drejt kulturave që janë më konkurruese, në mënyrë që të sigurojnë më shumë të ardhura apo kanë nevojë të mbështeten në aktivitete të tjera të diversifikimit të të ardhurave dhe ekonomisë. Duhet ta them që IPARD-I një nga tri masat që mbështet është diversifikimi i ekonomisë, por në spektrin e operatorëve në bujqësinë shqiptare ka sidomos vitet e fundit edhe disa pionierë do të thoja unë të fermave të mëdha moderne edhe komerciale, të cilët gjithashtu kanë potenciale, kanë nevojë për mbështetje për t’u rritur dhe për t’u kthyer pastaj në pika ku agregon kooperimi i fermerëve. Ne e dimë problemin më të madh që bujqësia shqiptare ka, që është ferma e vogël, ndaj qoftë nga skema jonë, qoftë nga IPARD –i, unë përsëris ftesën për të gjithë fermerët t’i kthejnë sytë nga kooperimi, formave të ndryshme të kooperimit, jo domosdoshmërisht bashkëpunimi sipas kooperativave të vjetra klasike, por kooperimit të paktën në shitjen e prodhimit, në blerjen e inputeve bujqësore, në marrjen e këshillimit, të gjitha këto, kooperimi i jep fermerëve shqiptarë fuqi negocimi për të marrë çmime më të mira dhe të ardhura më të mira. Kemi në të dy skemat, po kryesisht tek IPARD, kemi të parashikuara masa që mbulojnë, të gjithë spektrin, nga fermerët e vegjël, të cilët kërkojnë mbështetje për një mekanikë bujqësore, për një mbështetje për të rritur dhe fuqizuar ekonominë bujqësore dhe deri tek agro-përpunuesit, grumbulluesit e mëdhenj, investitorët në fushën e agro-turizmit, të ekonomive të tjera, të prodhimeve të produkteve tipike, marketimit më të mirë të produkteve tona për të rritur kështu eksportin. Duhet ta them që jemi në një moment shumë optimist për bujqësinë, duke iu referuar shifrave. Në fund të vitit 2017 eksportet bujqësore u rritën me 20 %. Dhe ky trend i rritjes së eksporteve, nuk është një rastësi. Është një vijëmësi e viteve të fundit, që vjen për shkak siç e thashë të kalimit nga bujqësia e mbijetesës në shumë zona, tek bujqësia si një biznes që siguron të ardhura shumë të mira. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për fermat e reja me 100 – 200 hektarë, që quhen të mëdha në vendin tonë, por edhe për fermerë me një sipërfaqe shumë më të vogël toke, por që për shkak të investimeve teknologjike, si p.sh serrave kanë arritur të ngrenë biznese të mirëfillta dhe me të ardhura shumë të mira në fshat.
Pra ky trend, shtuar këtu një injeksion që sjell IPARD – I na heq të drejtën për t’u ankuar për mungesë financimi. Natyrisht, ne e kemi vënë dhe tek skema kombëtare theksin tek rritja e transparencës. Sa më transparente të jetë skema, aq më shumë besim prodhon tek fermerët. Duhet ta themi, që nga gjithë fushata e madhe që ne vazhdojmë të bëjmë për promovimin e skemës kombëtare, problemi me i madh ka qenë bindja e fermerëve tek skema. Pra rindërtimi, restaurimi i besimit të fermerëve tanë. Për këtë arsye zoti Breslin, ne kemi bërë një gjë shumë inovative në skemën kombëtare, kemi çuar në zero numrin e dokumentacionit, që u kërkohet fermerëve për aplikim.

Aplikohet vetëm me Kartën e Identitetit dhe të gjithë të dhënat e tjera në formën e aplikimit plotësohen në mënyrë automatike nga sistemet tona qeveritare, që në shumicën e tyre janë të ndërlidhura sot. Edhe ato sisteme, që nuk janë të ndërlidhura, nëpunësi i AZHBR –së e plotëson dosjen vetë, pa ia kërkuar fermerit të lërë punën dhe të shkojë nga një zyre tek tjetra, duke shpenzuar edhe kohë edhe para, për të plotësuar një dosje të madhe, që deri dje ka qenë me 13 dokumente, pra që e bënte gjithmonë e më tepër t’i largohej skemave të aplikimit. Këtë vit aplikimi është shumë i thjeshtë. Numri i aplikantëve është i kënaqshëm, deri tani, ka ngelur dhe pak kohë deri në fund të marsit për mbylljen e kësaj skeme dhe pastaj, ne të gjithë jemi duke u bërë gati për të hapur disa prej masave të IPARD-it. Ky takim i Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD, sot do të diskutojë edhe për sa dhe si, dhe cilat masa do të shpallen menjëherë. Ne e kemi bërë gati, brenda prillit do të merren disa vendime shumë të rëndësishme. Jemi gati, jemi në përmbyllje të fazës tonë përgatitore për t’ju përgjigjur pastaj aplikimeve për skemën e IPARD-it. Kemi nevojë, nuk mund ta bëjmë dot vetëm dhe më vjen mirë që këtu shikoj aktorë, që mund të na mbështesin, qoftë nga sektori privat, qoftë nga organizatat mbështetëse, po falenderoj, nuk po i përmend me emër, gjithmonë dua ta veçoj GIZ-in, sepse pala gjermane mban dhe lidership-in e gjithë komunitetit të donatorëve të shumtë për sektorin e bujqësisë. Ne e kemi të pamundur të jemi të suksesshëm, në qoftë se dhe ju nuk do të bëni një punë në mbështetje të grupeve që ju mbështesni, pra të fermerëve, të grupeve të caktuara për t’i mbështetur me asistencë teknike dhe për t’i bërë ata të aftë të aplikojnë. Të aplikosh kërkohet një burokraci, të cilën do mundohemi t’a thjeshtojmë, por ka një burokraci të domosdoshme që nuk e shmangim dot, dhe kjo burokraci kërkon aftësi teknike për t’u përballuar. Pra jo të gjithë ose shumë pak prej fermerëve, qofshin këta dhe më të mëdhenj janë të mësuar me këto praktika dhe janë mësuar të gatshëm të plotësojnë plane biznesi, forma aplikimi që e kalojnë me sukses klasën. Ndërsa, në këtë pikë puna juaj mund të jetë shumë e vyer, sepse vetëm duke konsoliduar këtë rrjet, ne mund të kapilarizojmë punën tonë për të shkuar deri tek fermeri me mbështetje, që në fazën e përgatitjes për aplikim. Duhet ta themi që është dhe një masë tjetër, për të cilën kemi qenë pak më të vonuar në kohë, që është masa e asistencës teknike, që do të na ndihmonte shumë, nëse do te ishte çelur nga IPARD-I, por ne kemi aplikuar dhe presim që t’i kalojmë fazat shumë shpejt, për ta akredituar këtë masë sa më shpejt, në mënyrë që të vijë pastaj si vlerë e shtuar në gjithë procesin e IPARD-it.
Nuk po zgjatem më tepër, edhe njëherë ndjesë për vonesën dhe nuk qëndroj dot gjatë për shkak të mbledhjes të Këshillit të Ministrave, por tani fjalën e ka Iliri, për ta zhvilluar sipas programit. 
Shumë faleminderit të gjithëve! , tha ministri Peleshi.

a.m/Shqiptarja.com            

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben tironci: 22/03/2018 00:36

    E dha dhe cnn breaching news Peleshi ne teren me popullin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'