Takimi i vjeshtës/ FMN e BB: Shqipëria të përgatitet ndaj goditjeve të mundshme ekonomike

Takimi i vjeshtës/ FMN e BB: Shqipëria të përgatitet ndaj goditjeve të mundshme ekonomike

Guvernatori i BSH, Gent Sejko gjatë takimit me përfaqësues të FMN

Ekonomia shqiptare duhet të përgatitet nga goditjet e mundshme nga faktorë të brendshëm apo të jashtëm. Ky është apeli që vjen nga Banka e Shqipërisë, por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore. Ky apel është bërë gjatë Mbledhjes Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), që u zhvillua në Bali, Indonezi. “Trendi rënës i raportit të kredive me probleme është një ndër treguesit mjaft domethënës e, megjithatë, paralelisht me vazhdimin e punës në drejtim të nxitjes së aktivitetit ekonomik, është po ashtu mjaft e rëndësishme që vendi dhe institucionet të jenë të mirëpërgatitura dhe të reagojnë në kohën dhe mënyrën e duhur, në rast të ndonjë goditjeje nga faktorë të jashtëm ose të brendshëm”, thuhet në raportimin e Bankës së Shqipërisë.

Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar e Financiar të FMN-së theksohet se zgjerimi global mbetet i fortë. Rritja ekonomike është parashikuar të jetë e qëndrueshme në periudhën afatmesme dhe e moderuar më vonë. Megjithatë, rimëkëmbja ekonomike gjithnjë e më shumë bëhet më e pabarabartë, ndërsa janë materializuar disa nga rreziqet e identifikuara më parë. Në përgjithësi, rreziqet gjithnjë e më shumë po orientohen për poshtë, në kushtet e tensioneve tregtare të intensifikuara, shqetësimeve të vazhdueshme gjeopolitike, dhe kushteve financiare më të shtrënguara, duke ndikuar në veçanti shumë tregje në zhvillim dhe ekonomi të zhvilluara. Pasiguria politike, nivelet e larta historike të borxhit, brishtësitë financiare në rritje dhe hapësira e kufizuar e politikës mund të minojnë besimin dhe të ardhmen e rritjes ekonomike.

Në këtë mbledhje, Shqipëria u përfaqësua nëpërmjet një delegacioni të përbashkët, të kryesuar nga Guvernatori Sejko dhe përfaqësues të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Ekspertët e huaj nënvizuan se ekonomia shqiptare ka vijuar të ecë në një trajektore pozitive, ndërkohë që trajtimi i sfidave kryesore, me të cilat ajo përballet, është mjaft i rëndësishëm dhe mbetet një prioritet, vijimi i punës për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja, si dhe rritjen e eficiencës dhe zgjerimit të potencialit ekonomik.

Gjatë diskutimeve, të pranishmit u shprehën se Shqipëria ka treguar se është e orientuar drejt normalizimit dhe rritjes së besueshmërisë, si dhe po ndërmerr masat e nevojshme që ndikojnë në forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike. Delegacioni zhvilloi takime edhe me homologë nga vende të ndryshme, ku pati mundësinë të diskutojë mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Lindi 1750 gramë, Raina e vogël fiton betejën për jetën në maternitetin 'Mbretëresha Geraldinë'

Lindi 1750 gramë, Raina e vogël fiton betejën për jetën në maternitetin 'Mbretëresha Geraldinë'