Takimi i Zyrtarëve Zgjedhorë Europianë diskuton pjesëmarrjen e grave në zgjedhje

Konferenca e 23-të Vjetore dhe Takimi i Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Zyrtarëve Zgjedhore Europianë (ACEEEO), që zhvilloi së fundi punimet në Bukuresht, trajtoi dy aspekte të rëndësishme të organeve të administrimit zgjedhor, siç janë pjesëmarrja e grave në zgjedhje dhe në jetën publike, si dhe planifikimi i zgjedhjeve të përgjithshme.

Në këtë takim, ku mori pjesë dhe një delegacion i KQZ-së, kryetarja Lefterije Luzi, referoi rastin shqiptar të pjesëmarrjes së gruas në zgjedhje, duke vënë në pah angazhimin e saj në rritje në jetën publike, si dhe pjesëmarrjen në proceset zgjedhore.

Ajo evidentoi arritjet që solli ligji për barazinë gjinore, si dhe përfshirjen e kuotave në kodin zgjedhor, një kuadër ligjor, i cili dyfishoi përfaqësimin e grave në organet e zgjedhura, si dhe analizoi sjelljen e aktorëve të ndryshëm ndaj këtyre ndryshimeve.

Duke evidentur rritjen e përfaqësimit të grave në organet e zgjedhura, ajo theksoi se krahas arritjeve, pjesëmarrja e gruas në procesin zgjedhor në pozita të barabarta me burrat, bart ende sfida për gjithë shoqërinë shqiptare, partitë politike dhe ligjvënësit shqiptarë.

Në këtë kuadër, u prezantua për pjesëmarrësit angazhimi i KQZ-së për trajtimin me të gjithë aktorët e fushës të dobësive të sistemit, të cilat zbehin përfaqësimin e grave në çdo etapë të procesit zgjedhor, si dhe gjetjet për përmirësime të mundshme të Kodit Zgjedhor.

Pjesëmarrësit në konferencë theksuan se e drejta për të votuar e grave duhet të sigurohet pa asnjë lloj diskriminimi dhe trupat e menaxhimit të zgjedhjeve luajnë një rol të rëndësishëm në këtë aspekt. Gjithashtu, u ra dakord që këto sfida nuk mund të përballen pa një bashkëpunim të fuqishëm ndërmjet organeve ligjvënëse, trupave të menaxhimit të zgjedhjeve, partive politike dhe aktorëve të tjerë./ATSH/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)