TIRANE- Në një kohë kur pritet vendimi final i Komisionit të Venecias mbi ligjin e Vettingut, ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Takimi ka zgjatur rreth 60 minuta, në Kryesinë e Kuvendit, dhe në thelb të tij ka qenë reforma në drejtësi dhe vonesat e shkaktuara në zbatimin e ligjit të Vettingut.

Detajet e takimit i ka bërë të ditura vetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili u shpreh gjatë një komunikimi të shkurtër me gazetarët se, ligji i Vettingut është kusht për çeljen e negociatave. 

"Ishte një takim ku u fol për ecurinë e reformës në drejtësi. Ligji i vetingut është mjaft i rëndësishëm dhe duhet që të kalojë në përputhje me rekomandimet e Venecias. Ai është kushti i vetëm për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh Meta.   

I pyetur për kërkesën e demokratëve për shkarkimin e Taulant Ballës nga kryetar i komisionit parlamentar hetimor për CEZ-in, Meta tha se do ta shikojë me vëmendje. 

Sa i takon, reformës zgjedhore, Meta tha se është e vonuar, duke shtuar se është humbur kohë.   

Ndërkohë, Meta u pyet edhe për emrin e kandidaturës për President Republike: “Besoj se Presidenti është në detyrë”, tha ai.

Sa i takon dekretit të Presidentit Nishani për ligjin e mbetjeve, Meta tha se do të trajtohet me seriozitet, ndërsa qëndrimi i LSI, tha ai, do të vendoset nga grupi parlamentar.

“Dekreti i Presidentit do të trajtohet me seriozitetin që parashikon rregullorja, sa për pyetjen e dytë, mendoj se duhet të pyesni kreun e grupit parlamentar të LSI-së për këtë çështje”, tha Meta.